ANALIZË: Sa kushton e sa vlerësohet puna në Maqedoni? (INFOGRAFIK)

Kostoja mesatare vjetore e punëdhënësve për një punëtor është 6,475 euro ose 539 euro në muaj, ku është përfshirë bruto rroga, gjegjësisht shpenzimet e përgjithshme të të kompanisë për rrogën bazë, të dhënat ndaj shtetit, kontributet, trajnimi profesional. Kjo shumë praktikisht e pasqyron edhe çmimin e punës në vend. Rrogë më të lartë kanë të punësuarit që janë të punësuar në sektorin e financave dhe të energjetikës, ndërsa më të ulët ata në industrinë e përpunimit të ushqimit. Sipas disa ekonomistëve, me këto parametra Maqedonia konsiderohet një destinacion investimi me fuqi të lirë punëtore. Pikërisht puna që nuk paguhet sa duhet është arsyeja kryesore për problemin me të cilin përballet vendi – emigrimi, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Për punëtorët – rroga të ulëta, për menaxherët – shpenzime të larta…

Një orë pune në vend paguhet me 3.2 euro. Mesatarja vjetore e shpenzimeve të përgjithshme të punëdhënësit për një punëtor është afër 6.500 euro, por të dhënat nga publikimi i ri i Entit statistikor kushtuar çmimit të punës tregojnë dallime të mëdha në vlerësimin e punës sipas sektorëve dhe llojeve të kompanive. Shpenzime më të vogla për një punonjës kanë menaxherët e sektorëve me intensitet të lartë të punës, ku gjendet edhe numri më i madh i punëtorëve. Më së shumti vlerësohet puna në veprimtaritë financiare, energjetikë, komunikime.

Në fakt, kompanitë që absorbojnë më shumë se 1.000 punonjës kanë edhe shpenzime më të larta për punonjës, ose 7.824 euro në nivel vjetor. Firmat më të vogla, të cilat e kanë pjesën më të madhe të punonjësve, kanë shpenzime më të vogla, kështu që për shembull, kompanitë që punësojnë prej 10 deri në 49 persona, kanë shpenzime mesatare vjetore prej 5.872 eurosh për një punonjës.

“Kompanitë me numrin më të madh të të punësuarve kanë shpenzime më të larta vjetore për punonjës, jo vetëm për shkak të lartësisë së rrogave, por edhe për faktorë të tjerë – në kompanitë më të mëdha, më të mëdha janë edhe investimet për sigurimin e kushteve të punës, respektimin e standardeve, futjen e teknologjive të reja, dhe e gjithë kjo e rrit çmimin, gjegjësisht shpenzimet për punonjës”, thotë konsulenti Goran Rafajllovski.

Anëtarësimi në BE – “shpatë me dy tehe” për migrimet…

Sipas të dhënave, në vend ka 375.649 punëtorë me orar të plotë dhe 11.642 punëtorë me orar të shkurtuar të punës, ndërsa nëpër firma si praktikantë punojnë 858 njerëz. Sipas sektorëve, pjesa më e madhe e punëtorëve janë të punësuar në industrinë për përpunimin e ushqimit dhe atë tekstile, ndërsa në sektorin publik, numër më të madh të të punësuarve ka në administratën publike, mbrojtje dhe në sigurimin e detyrueshëm social.

Me çmimin aktual të punës, Maqedonia konsiderohet një vend që ofron fuqi të lirë punëtore, dhe ky fakt mund të jetë pozitiv për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe negativ. Mu për shkak të punës së papaguar sa duhet, qytetarët migrojnë – thonë ekonomistët.

“Ne kemi një forcë jashtëzakonisht të lirë të punës në treg. Çmimi i punës është një problem, ndërsa problem tjetër është se kemi ofertë të të papunësuarve që nuk janë të kualifikuar. Pra, përballemi me fuqi të pakualifikuar punëtore në industrinë e tekstilit, kemi gjithnjë e më pak lyerës të kualifikuar të mureve, mjeshtër, elektricistë. Është e qartë se tashmë këto profesione në tregun e punës janë deficitare. Të kualifikuarit tashmë janë larguar ose do të largohen nga vendi – për më shumë para do të punojnë si kamerierë në Maltë, për shembull” – thotë Rafajllovski dhe shpjegon se një nga arsyet kryesore për migrim janë pikërisht rrogat e ulëta në vend, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia përballet me një humbje të rëndë në planin ekonomik, vendet me zhvillim të lartë, siç është Gjermania, tërheqin fuqi të kualifikuar të punës, ofrojnë paga që janë të paarritshme për standardin tonë, ndërsa, për shembull për standardin gjerman, janë mesatare ose të ulëta. Është e qartë se vendi përballet me problemin e shpërnguljes, prandaj konsideroj se është i nevojshëm integrimi në Bashkimin Evropian. Kjo mund të jetë edhe shpatë me dy tehe, por nga ana tjetër, BE-ja do të hapë fonde dhe burime financash që duhet të hapin vende të reja pune në vendet e origjinës, dhe kështu do ta parandalojnë procesin e migrimit. Nevojitet strategji serioze në nivel të Bashkimit Europian, ndërsa ne këtu duhet të përballemi me faktin se kemi një problem që nuk mund të zgjidhet për një ditë dhe nuk është nga dje – por është shumëvjeçar. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që të parandalojmë që Maqedonia të bëhet vend i pensionistëve” – përfundon Rafajllovski.

Analizuar sipas rajoneve, çmim më të lartë të punës kanë të punësuarit në rajonin Verilindor, ku në nivel vjetor ai është 7.725 euro, ndërsa çmim më të ulët të punës kanë të punësuarit në rajonin e Vardarit me 4,718 euro në nivel vjetor.

Shpenzimet e punëdhënësve për shkak të rrogës së 13-të, bonuseve për festa, dëmshpërblimeve për tepricë teknologjike dhe shpërblimeve për pensionistë, kapin vlerë prej mesatarisht 219 eurosh në nivel vjetor. Subvencioni mesatar vjetor për punonjësit në sektorin privat është 355 euro. Subvencionet i përfshijnë të gjitha përfitimet, beneficionet dhe format e ndihmës shtetërore që u jepen kompanive në baza të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button