Referendumi, LSDM dhe VMRO-DPMNE me akuza ndaj njëra tjetrës

“A i pengon Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së përparimi i Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s dhe prandaj nuk deklarojnë qëndrimin e tyre për referendumin”, parashtron pyetjen përmes njoftimit të sotëm LSDM-ja.

Partia gjithashtu parashtron pyetjen se vallë edhe sot  VMRO-DPMNE-ja dhe Hristijan Mickoski përsëri nuk do të tregojnë përgjegjësi para qytetarëve dhe shtetit dhe nuk do ta deklarojnë qëndrimin e qartë për referendumin, që sipas tyre paraqet të ardhmen e Maqedonisë.

“VMRO-DPMNE-ja është i vetmi subjekt politik që nuk ka qëndrim të qartë për çështjen më të rëndësishme në historinë e re të Maqedonisë” thonë nga LSDM-ja duke pyetur se kësaj partie a i pengon përparimi i Maqedonisë dhe ajo që para Maqedonisë është mundësia për hyrje në BE dhe NATO me identitet maqedonas të garantuar dhe të mbrojtur.

Në njoftimin e sotëm LSDM-ja parashtron pyetjen nëse Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja dëshirojnë që të kthejnë Maqedoninë në të kaluarën e errët, në kohën e dhunës, krimit, pasigurisë dhe tensioneve.

Sipas LSDM-së qytetarët janë të orientuar drejt të ardhmes së ndritshme, për hyrje të Maqedonisë në BE dhe në NATO përmes pranimit të marrëveshjes me Greqinë.

“Prandaj më 30 shtator qytetarët me dinjitet do të thonë po për anëtarësim në BE dhe në NATO me identitet maqedonas të garantuar, do të thonë po për të ardhmen e Maqedonisë”, citohet në kumtesën e LSDM-së.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE thotë se keqmenaxhimi i LSDM-së nuk ka fund, në vend të investimeve në projekte dhe infrastrukturë, Qeveria e Zaevit bën luks dhe harxhon miliona në punë jo produktive. Më shumë se një vit gjithçka ka ndaluar.

Kjo parti kërkon nga Qeveria që “në vend se të hedhë 1 milion e 300 mijë euro  për promovimin e marrëveshjes kapitulluese për ndryshimin e emrit, paratë të shkojnë për ndërtimin e shkollës “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.

Ata shtojnë se 670 mijë eurot që Qeveria planifikon t’i shpenzojë për furnizimin e luleve, që sipas VMRO-DPMNE-së është joproduktive, t’i japë për furnizimin e ambulancava  dhe me ato para të blejë 15 të tilla.

“Në vend të luksit dhe blerjes së kafes prej 55 mijë eurove nga ana e Qeverisë dhe Bashkisë së Shkupit paratë të dedikohen për riparimin e ndonjë kopshti të fëmijëve”, thonë nga partia.

VMRO-DPMNE-ja gjithashtu shton se me paratë e shpenzuara për festimin e siç e quajnë ata “marrëveshjes kapitulluese” të ndërtoheshin 15 kilometra rrjet ujësjellësi,

“Qeveria në vend që të shpenzojë para për luks duhet të investojë në projekte për të cilat qytetarët kanë benifite reale”, citohet në njoftimin e sotëm të VMRO-DPMNE-së.

OJQ-të me vëzhgues në terren do të edukojnë votuesit, shqiptarët vendimtar për suksesin e referendumit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button