OJQ-të me vëzhgues në terren do të edukojnë votuesit, shqiptarët vendimtar për suksesin e referendumit

Organizatat joqeveritare “CIVIL” dhe “MOST” do ta vëzhgojnë fushatën, votimin, numërimin e votave, përdorimin e gjuhës së urrejtjes, institucionet, kontekstin politik dhe do të edukojnë qytetarët për të drejtën e votës, shkruan Portalb.mk. Votuesit shqiptarë shihen si vendimtar për suksesin e referendumit.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Kryetari i OJQ “CIVIL”, Xhabir Deralla deklaroi se në procesin e referendumit do të marrin pjesë me më shumë se 30 vëzhgues në teren në tërë Maqedoninë, të cilët para referendumit do të shpërndajnë fletushka për edukim të qytetarëve për të drejtën e votës. “CIVIL” do t’i vëzhgojë edhe institucionet.

“CIVIL tashmë është përfshirë në procesin e referendumit duke realizuar monitorim me më shumë se 30 vëzhgues në terren në tërë Maqedoninë. Do të realizojë fushatë për edukim qytetarësh për të drejtën e votës, dhe kuptohet se do të vëzhgojmë edhe ditën e referendumit. Vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë edhe realizimin e referendumit nga ana e institucioneve”, tha për Portalb.mk, Deralla.

Edhe pjesëtari i OJQ “MOST”, Zlatko Dimitrioski deklaroi se do të marrin pjesë në teren me vëzhgues gjatë kohës së fushatës, votimit dhe numërimit të votave. “Most” tashmë ka nisur edhe vëzhgimin e punës së Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

“Siç është rast me zgjedhjet, do ta vëzhgojmë edhe referendumin. Ajo çfarë duhet të theksohet, është se “Most” nuk e vëzhgon vetëm ditën e votimit, por tërë procesin, dhe kjo përfshinë administratën zgjedhore, fushatën, ditën e votimit, si dhe procedurën për bisedimet eventuale për votim. “Most” tashmë ka nisur të vëzhgojë punën e KSHZ-së, dhe në një kohë sa më të shpejtë, në të gjitha komunat do të shpërndajë edhe vëzhguesit afatgjatë të cilët do të vëzhgojnë kontekstin politik dhe fushatën e referendumit. Sikur edhe tjera herë, në ditën e votimit “Most” do të mbulojë vende të votimit me vëzhguesit e saj, të cilët do ta vëzhgojnë votimin dhe numërimin e votave, dhe do ta informojë opinionin për rrjedhën dhe parregullsitë eventuale. Tërë këto aktivitete do të sigurojnë dhënie të vlerësimit të përgjithshëm dhe relevant për tërë procesin dhe për ditën e votimit”, deklaroi për Portalb.mk, Dimitrioski.

LEXO: Komisioni i Venedikut, Qeveria të mos bëj fushatë partiake për referendumin
LEXO: Urrejtja mes qytetarëve është e prekshme, partitë të bëjnë kujdes

Shqiptarët vendimtar për suksesin e referendumit

Referendumin që do të mbahet më 30 shtator dhe në të cilën qytetarët do të përgjigjen për pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati e sheh si një shansë të papërsëritshëm, për të cilin vendimtar janë votuesit shqiptarë.

Ditmir Bushati

“Shqipëria ka mbështetur pa asnjë hezitim procesin e dialogut mes Athinës dhe Shkupit dhe në të njëjtën kohë ka nxitur vijimësisht kohezionin e faktorit politik shqiptar për t’u bërë protagonistë të ndryshimeve transformuese, që i mundësojnë Shkupit të përparojë në proceset e anëtarësimit euro-atlantik. Urojmë që në referendumin e 30 shtatorit, qytetarët të mbështesin procesin e paqes së sapofilluar. Fqinji ynë ka një shans të papërsëritshëm përpara. Në këtë proces, roli i shqiptarëve është vendimtar. Stabiliteti demokratik, mirëkuptimi ndëretnik dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO janë në interesin e shqiptarëve. Mbajtja gjallë e konfliktit shumëvjeçar për çështjen e emrit me Greqinë apo çfarëdo projekti tjetër alternativ që krijon boshllëqe, përmes të cilave mund të depërtojnë aktorë të tretë në Shkup e rajon, nuk është në interesin e shqiptarëve. Përmbushja e angazhimeve që burojnë nga ky proces merr një rëndësi të posaçme për vetë Ballkanin Perëndimor, duke e transformuar atë në një hapësirë më të madhe sigurie”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Gjuha e urrejtjes mund të ndikojë në procesin e referendumit

Kryetari i “CIVIL”, Xhabir Deralla, duke vlerësuar se gjuha e urrejtjes ka marrë përmasa të mëdha, vëzhguesit e tyre do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë përdorimit të saj, me qëllim që të shmangen parregullsitë eventuale.

“Do t’i kushtojmë vëmendje edhe ndikimit nacionalizmit. Tashmë shohim se gjuha e urrejtjes dhe ndjenjat patriotike veç më kanë marrë hov, të cilat mund të rriten edhe më shumë në procesin e referendumit. Do të mundohemi që t’i mënjanojmë efektet e saj, dhe ndikimin në procesin e referendumit”, tha Deralla.

Përndryshe, ditë më parë Janko Baçev nga fronti për kundërshtim të referendumit, tha se referendumi nuk do të ketë sukses, dhe duke iu referuar partive shqiptare, ai përdori fjalën “shiptarskite partii”.

“Gjithkush e ka të qartë se referendumi nuk do të ketë sukses dhe tani kryeministri Zoran Zaev kërkon alibi për referendumin dhe frikëson popullin, dhe ja siç e shihni ambasadori amerikan Baily, “shiptarskite partii” kanë filluar të flasin hapur se do të ketë luftë nëse dështon referendumi. Pra, popullin e frikësojnë pasi Qeveria e ka të qartë se referendumi nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar Baçev.

Ndërkombëtarët përkrahin referendumin, VMRO-ja pa prononcim

Në lidhje me referendumin që do të mbahet më 30 shtator, janë deklaruar edhe Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, por jo edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE. Faktori ndërkombëtar pret miratim të referendumit me qëllim të hapjes së rrugës për anëtarësim në NATO dhe BE.

LEXO: Mickoski: Qëndrimi për referendum ende nuk është përcaktuar
LEXO: Zhbogar për referendumin: Populli do t’i përjetojë pasojat e vendimeve
LEXO: Zaev-Merkel: Referendumi është shprehje e përcaktimit për ardhmërinë
LEXO: Për BE-në dhe SHBA-në referendumi është zgjedhje mes së ardhmes dhe izolimit

Ndryshe, për referendumin janë paraparë të shpenzohen 80 milionë e 400 mijë denarë. 80 milionë nga buxheti shtetëror do t’i harxhojë Kuvendi i Maqedonisë si realizues i fushatës, kurse 400 mijë denarë Qeveria e Maqedonisë nga buxheti i Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë dhe atë për fushatë informative në rrjete sociale.

LEXO: Qeveria e Maqedonisë tregoi mënyrën e zhvillimit të fushatës së referendumit
LEXO: Referendumi, 400 mijë denarë Qeveria do të harxhojë për Twitter, Instagram…
LEXO: Referendumi, 1.3 milionë euro për Kuvendin e Maqedonisë

Maqedoni, propaganda për referendumin pa rregullore të veçantë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button