“Mbrëmjet strugane të poezisë”: Gjuha shqipe përplasi Ademin me Kasamin, Merko pa koment

Edicioni i 57-të i “Mbrëmjeve strugane të poezisë” diskriminoi gjuhën shqipe, duke folur vetëm maqedonisht dhe anglisht. Ndaj kësaj është distancuar ministri i Kulturës, Asaf Ademi duke premtuar se vitin e ardhshëm shqipja do të ketë vendin e merituar edhe në këtë manifestim, njofton Portalb.mk. Distancimin, Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami e sheh si paaftësi menaxhuese.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi deklaroi se me hyrjen në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe do të flasë në edicionin e 57-të të “Mbrëmjeve strugane të poezisë”.

“Ne gjykojmë se ky manifestim i rëndësishëm, nuk duhet të bie nën hije të mosmarrëveshjeve të këtilla dhe qasjeve selektive. Jam i bindur se vitin e ardhshëm edhe shqipja do ta ketë vendin e saj të merituar, aq më shumë që jam i sigurt se vitin e ardhshëm do të jetë në zbatim edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe të gjitha institucionet e shtetit do të jenë të detyruara ta zbatojnë ligjin”, tha për Portalb.mk, ministri Ademi.

Distancimin e ministrit Ademi, Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami e shohin si paaftësi dhe dëshmi se roli i tij në Qeveri është për të mbushur numrin.

“Duke dëgjuar arsyetimin e ministrit të Kulturës nga radhët e LSDM-së, Asaf Ademi i cili tha se ka qenë vonë për të ndërhyrë në agjendën e organizimit, mund të konstatojmë se drejtori i “Mbrëmjeve strugane të poezisë” është më i fuqishëm se ministri i Kulturës. Të lejosh anashkalimin e gjuhës shqipe që nga hapja e programit deri te përkthimi i broshurave dhe materialeve tjera dëshmon në pa aftësinë e ministrit të kulturës, gjegjësisht dëshminë se roli i tij në Qeveri është vetëm sa për të mbushur numrin dhe asgjë më tepër”, thuhet në reagimin e BESA-s.

Edicioni i 57-të i “Mbrëmjeve strugane të poezisë”

Ramiz Merko nuk ka koment për mosprezencën e tij

Në manifestimin e hapjes së “Mbrëmjeve Strugane të Poezisë”, nuk ishin të pranishëm as kryetari dhe pjesëtarët tjerë të Komunës së Strugës. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko pa koment për mosprezencën e tij.

“Nuk kam koment”, tha Ramiz Merko për Portalb.mk, duke mos sqaruar se a ishte shqipja arsyeja e mospranisë së pjesëtarëve komunal në hapjen solemne.

Përndryshe, më 22 gusht nisën “Mbrëmjet strugane të poezisë”. Përveç fjalimit të ministrit të Kulturës, Asaf Ademi dhe një poezie, asgjë tjetër nuk foli shqip, e kurse të gjitha të tjerët u thanë në maqedonisht e anglisht. Kjo nuk është hera e parë që manifestimi “Mbrëmjet strugane të poezisë” diskriminon shqipen, nën arsyetimin se respektohet ligji i gjuhëve dhe Kushtetuta e Maqedonisë – e cila si gjuhë zyrtare e njeh vetëm në gjuhën maqedonase.

Gjuha shqipe assesi të zbatohet në praktikë

Edhe pse u bënë 17 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhjetë vjet nga miratimi i ligjit të parë të gjuhës shipe në vitin 2008, dhe pesë muaj nga miratimi i dytë i ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe vazhdon të jetë e papërdorshme në institucionet shtetërore, edhe pse shqiptarët janë më shumë 20 për qind.

Nga ana tjetër, u tha se Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin parashihet përdorim më i gjerë i gjuhës shqipe do të publikohet në Gazetën Zyrtare pas referendumit, bashkërisht me Marrëveshjen e ratifikuar Maqedoni – Greqi. Për këtë marrëveshje do të mbahet referendum më 30 shtator, dhe deri atëherë as ligji i gjuhëve nuk do të hyjë në fuqi.

Përndryshe, ligji i gjuhëve në votimin e dytë kaloi më 14 mars, por për shkak se i njëjti nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deri më sot nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare.

LEXO: 17 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, gjuha shqipe ende e papërdorshme në institucione shtetërore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button