“Dita e Drurit” në Maqedoni: Hetimi për tharjen e drunjve, peng i mënyrës “me të dëgjuar”

Në Maqedoni askush nuk e merr përgjegjësinë për të treguar: “Pse u shkatërruan drunjtë e Dita e Drurit – mbille ardhmërinë?”. Prokuroria thotë se nuk ka hapur procedurë hetimi sepse nuk ka material, Pyjet e Maqedonisë thonë se nuk kanë qenë të obliguar nga Qeveria që materialin ta dorëzojnë në Prokurori, e nga Qeveria thonë se hetimi është dashur të nis me mënyrën “me të dëgjuar”, shkruan Portalb.mk. Askush nuk jep llogari për keqpërdorimet e mundshme.

LEXO: “Dita e Drurit”, Prokuroria ende nuk i heton keqpërdorimet e mundshme

Qeveria e Maqedonisë që nga shkurti e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar informatën për “Dita e Drurit – mbille ardhmërinë”, për të kuptuar se si janë harxhuar 17.8 milionë eurot për drunjt e mbjellur, të cilët sipas raportit të analizës së Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Pyjet e Maqedonisë – Shkup (Pyjet e Maqedonisë), kanë mbijetuar vetëm 21 për qind prej tyre.

Nga Prokuroria Themelore Publike deklaruan se nuk kanë hapur procedurë hetimi për shkak se nuk kanë material, dhe se ajo nuk mund të hapet nëpërmjet asaj çfarë dëgjohet në opinion.

“Në Prokurori nuk është dorëzuar asnjë informacion në lidhje pyetjen e parashtruar, dhe ne nuk mund të hapim procedurë hetimi për aksionin në fjalë deri sa ndonjë subjekt nuk dorëzon informacione. Nuk mund të hapet procedurë hetimore nga informacionet që dëgjohen në opinion”, deklaruan për Portalb.mk, nga PTHP.

Pyjet e Maqedonisë: Nuk kemi qenë të obliguar

Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” në Kumanovë
Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë”

Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Pyjet e Maqedonisë – Shkup ka realizuar analizë në raportin e së cilës u tha se për aksionin e Ditës së Drurit qeveria paraprake e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka harxhuar 17.8 milionë euro, ndërkaq nga drunjtë e mbjella kanë mbijetuar vetëm 21% prej tyre.

“Ne nuk kemi qenë të obliguar nga Qeveria që të dorëzojmë materialin e raportit në Prokurori. Askund në dokumentin e marrë nga Qeveria për raportin e analizës për aksionin në fjalë nuk shkruan se ne jemi të obliguar që materialet e atij raporti t’i dorëzojmë në Prokurori”, thanë nga Pyjet e Maqedonisë.

Në lidhje me këtë, nga Qeveria e Maqedonisë thanë se edhe pse Pyjet e Maqedonisë nuk kanë qenë të obliguara me shkrim që materialin ta dorëzojnë në Prokurori, hetimi ka mundur të nis me mënyrën “me të dëgjuar”.

“Raporti është dashur të dorëzohet nga Pyjet e Maqedonisë, ne si Qeveri vetëm e kemi miratuar informacionin nga raporti i Pyjeve të Maqedonisë. Analiza është e Pyjeve të Maqedonisë, ata duhet t’i dorëzojnë dokumentet në Prokurori, jo ne. Edhe pse me shkrim Pyjet e Maqedonisë nuk janë obliguar që ta dorëzojnë materialin në Prokurori, hetimi është dashur të nis me mënyrën ‘me të dëgjuar'”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

“Niveli mesatar i suksesit për sipërfaqen e përgjithshme të pyllëzuar prej 12.869 hektarësh është 21%, që është një përqindje e vogël, duke pasur parasysh se pyllëzimi konsiderohet i suksesshëm atëherë kur mbijetesa e fidanëve është ndërmjet 50% dhe 60%, në përputhje me standardet e vendosura në pylltari”, theksohet në raportin e Revizionit të titulluar “Efikasiteti i masave, politikave dhe projekteve për mbrojtjen e pyjeve në Maqedoni”, i cili e analizon situatën me mbrojtjen e pyjeve, por edhe problemet me të cilat u përballen institucionet kompetente nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Aksioni “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë e tënde”, filloi në gusht të vitit 2007, kur këngëtari i operës Boris Trajanov nxiti një projekt për mbjelljen masive të fidanëve në vendet e zhveshura dhe të shkretuara.

Derisa ka qenë në opozitë, LSDM-ja, vazhdimisht e ka kritikuar këtë projekt duke e cilësuar si aksion që nuk ka efekt, por se bëhet për qëllime që funksionarët e VMRO-DPMNE-së të fitojnë tenderë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button