“Monstra”, avokatët thonë se “E1” gënjen, familjarët e të vrarëve të kënaqur nga deklarata

Avokatët dhe familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, e kontestojnë vërtetësinë e deklaratave të dëshmitarit të koduar “E1”, ndërkaq prokurorët dhe avokatët e familjarëve të të vrarëve thonë se ai jep deklarata logjike dhe të sakta, raporton Portalb.mk.

Në seancën e sotme gjyqësore, dëshmitari “E1” u është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, gjegjësisht avokatëve dhe të akuzuarve. Ata në disa raste me pyetje të ndryshme, janë përpjekur t’i hedhin poshtë dhe të dëshmojnë se dëshmitari i koduar po jep deklarata të rrejshme.

Avokati Naser Raufi deklaroi se dëshmitari në fjalë gënjen dhe nëse kontrollohen të gjitha përgjigjet që i ka dhënë 8 herë në Gjykatë, ai ka ndryshim në deklarimet e tij. Ai gjithashtu, këtë dëshmitar e cilësoi si të montuar.

Në fillim të seancës, avokati Asmir Alispahiq, kërkoi nga “E1” që t’i tregojë se çfarë kanë pasur të veshur seancën e kaluar, para dy ditëve, ai dhe të akuzuarit tjerë, ndërkaq “E1” dha përgjigje pjesërisht të saktë.

Megjithatë, dëshmitari i koduar, i cili ka dhënë deklaratë nga një hapësirë tjetër e Gjykatës, ndërkaq të pranishmit në sallën gjyqësore e kanë parë me fytyrë të turbulluar dhe zë të deformuar, në disa raste ishte kontrovers.

Avokati Raufi, u ndal në pjesën e identifikimit të akuzuarve, gjegjësisht në pjesën ku “E1” përpara gjykatësit paraprak të gjykimit të parë kur ia kanë dhënë një album me 50 fotografi ka thënë për një njeri tjetër, i cili nuk është pjesë e gjykimit se e ka parë në Liqenin e Smillkovës, apo në vendin e ngjarjes.

Rasti "Monstra", foto: Suad Bajrami, Portalb.mk
Rasti “Monstra”, foto: Suad Bajrami, Portalb.mk

“Dëshmitari përpara gjykatësit paraprak, kur i është dhënë albumi me fotografi ka thënë se e ka parë në fotografi një person me mjekër të kuqe me formë sikur të cjapit, duke thënë se është personi Almir Drplan, ndërkaq kur e ka parë më pas për herë të parë Agim Ismailoviqin, ai më pas e ka ndryshuar deklaratën dhe ka thënë se ka qenë Agim Ismailoviqi. Kontestuese është se në albumin me fotografi kanë qenë të dy fotografitë, edhe e Drplanit edhe e Ismailoviqit, por ai e ka zgjedhur Drplanin, ndërkaq më pas e ka ndryshuar”, tha Raufi.

Avokati kërkoi nga Ismailoviqi të ngritet në këmbë dhe “E1” t’ia  shohë ngjyrën e mjekrës, duke dëshmuar se ai nuk ka mjekër të kuqe, por të zezë, e cila tani, për shkak moshës i është thinjur.

Avokatët gjithashtu e kontestojnë edhe deklaratën e “E1” i cili ka thënë se ka marrë vesh për ngjarjen një ditë pas ndodhisë, ndërkaq sot për herë të parë ai tha se në natën e ngjarjes i ka parë 4 trupa të shtrirë.

“Dëshmitari paraprakisht ka thënë që për ngjarjen ka kuptuar një ditë pas nëpërmjet internetit, ndërkaq sot tha se në natën e ngjarjes ka qenë aty”, reaguan avokatët.

Ndaj kësaj, “E1” tha se ai i ka parë trupat atë natë, megjithatë të nesërmen nëpërmjet internetit ka kuptuar se çfarë ka ndodhur.

I pyetur se a kanë qenë trupat afër njëri tjetrit apo në largësi, “E1” tha se nuk i kujtohet, transmeton Portalb.mk.

“E1” sot gjithashtu tha se në ditën e ngjarjes, më 12 prill, përveç veturës “Golf 3”, që siç ka deklaruar ai i ka parë të akuzuarit me atë veturë, ka parë edhe dy vetura tjera, njëra ka qenë e kaltër, ndërkaq tjetra bardh dhe ngjyrë hiri. Sipas deklaratës së tij, veturën me të cilën i ka parë të akuzuarit, pra “Golf 3”, e ka parë disa herë nga 9 deri më 12 prill, në lokacione të ndryshme.

I akuzuari, Fejzi Aziri ka hedhur dyshim nëse i dëshmitari “E1” është duke lexuar nga diku, duke pyetur dëshmitarin nëse ka dhe përdor celular. Ndaj kësaj, gjykatësi, Ognen Stavrev ka reaguar duke thënë që ai e ka parë dhe nuk i ka lejuar që të mbajë celular.

Gjykatësi Stavrev e hodhi poshtë edhe pyetjen e të akuzuarit Sami Luta, për të cilin “E1” ka deklaruar se ia ka ndezur cigaren në Smillkovë dhe e ka parë se çfarë cigare pi. Luta e pyetu “E1”, nëse frikësohet se do t’i zbulohet identiteti duke e pasur parasysh se kanë qenë në kontakt aq të afërt.

Prokurorët dhe avokatët u ndeshën për pyetjet ndaj “E1”

Katër prokurorët special vazhdimisht gjatë seancës kanë dërguar ankesa deri te avokatët e të akuzuarve se po parashtrojnë pyetje të palogjikshme dhe pyetje të cilat janë parashtruar më herët nga ata.

Prokurorja Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski ishin më të zëshëm, duke kërkuar nga avokatët që të jenë të saktë dhe preciz në atë çfarë pyesin dhe të mos i përsërisin gjërat. Ata gjithashtu kanë paralajmëruar gjithashtu se me disa pyetje, mund të rrezikohet edhe zbulimi i identitetit të dëshmitarit.

Prokurorët në disa momente kanë pasur dhe përleshje verbale me avokatët, derisa këta të fundit i parashtronin pyetje dëshmitarit “E1”.

Avokatët nga ana tjetër janë ankuar të gjykatësi që t’i paralajmërojë prokurorët që të mos u ndërpritet fjala derisa ata janë duke parashtruar pyetje, përcjellë Portalb.mk.

Derisa përgjigjej “E1” në pyetjet e avokatëve të të akuzuarve, familjarët e të vrarëve, hidhnin nga një fjalë. Në rastet kur “E1” jepte përgjigje të saktë ato shpreheshin “ashtu është, mirë i the, saktë”, ndërkaq në rastet kur avokatët parashtronin ndonjë pyetje të detajuar dhe delikate, ata gjuanin fjalë negative.

Pasi mbaroi seanca, avokatja e familjarëve të të vrarëve, deklaroi se dëshmia e dëshmitarit të koduar “E1” është e saktë dhe e logjikshme.

Në fund të seancës, gjykatësi Ognen Stav, tha se në seancën e radhës ai do ta pyet dëshmitarin e mbrojtur, ndërkaq më pas do të caktohet termin për ta parë veturën kontestuese “Opel Omega”, e cila në gjykimin paraprak nuk iu lejua palës mbrojtëse që ta shohë.

“Monstra”, dëshmitari koduar “E1” i ka dhënë shkrepës për cigare Sami Lutës

Ndryshe, në seancën e 22 gushtit, prokurorja Fatime Fetai kërkoi detaje nga gjykatësi Ognen Stavrev për ekstradimin e Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri. Stavrev tha se procedura ka filluar dhe presin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë.

Seanca e radhës vazhdon të premten më 24 gusht, ku pala mbrojtëse, të akuzuarit dhe familjarët e të vrarëve në Liqenin e Smillkovës t’i parashtrojnë pyetje “E1”, ndërkaq në seancën pas saj, gjegjësisht më 31 shtator, do ta marrë në pyetje dëshmitarin gjykatësi Ognen Stavrev dhe kolegu i tij, Osman Shabani.

Dëshmitari i mbrojtur “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012. Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili, pas heqjes dorë nga ky status, Prokuroria Themelore Publike asokohe e ka akuzuar edhe atë për pjesëmarrje në vrasje, gjegjësisht për logjistikë.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button