Çështja çame kërkon zgjidhje

Java e kulturës dhe Historisë së Çamërisë që po zhvillohet këtyre ditëve në Tiranë, risolli në vëmendjen e opinionit publik shqiptar, tragjedinë asnjëherë të përfunduar të shqiptarëve çamë. Një dramë kombëtare e cila bren ndërgjegjen e gjithë atyre shqiptarëve të vetëdijshëm kombëtarisht dhe me shpirt europian, të cilëve u ngjallin emocione të dhimbshme padrejtësitë kolektive dhe individuale që janë kryer ndaj kombit në të kaluarën. 

Tragjedia e kësaj pjese martire të popullit shqiptar e ka gjenezën në vitin 1912, kur areale të gjera të territoreve etnike shqiptare në jug u okupuan nga ushtritë greke. Gjendja faktike e kontrollit ushtarak grek të këtyre trevave u legalizua në konferencën e Londrës, 1912-1913. Me këtë u krijua çështja e pakicës kombëtare shqiptare në shtetin grek. Qeveritë e ndryshme greke kanë bërë në vazhdimësi përpjekje të ethshme për ndryshimin e strukturës së popullsisë në atë vend multietnik. Njihen marrëveshjet e Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë për shkëmbimin e popullsisë, (“Konventa për shkëmbimin e popullsive turke dhe greke”, nga janari 1923), me të cilën u transferuan popullsitë respektive përveç zonave të Stambollit dhe Trakës perëndimore. Greqia dhe Turqia shfrytëzuan rastin që të pastrojnë etnikisht shtetet-komb të tyre. 

Kështu, Greqia tentoi që të shpërngulë shqiptarët e Çamërisë me pretekstin se i takojnë “kulturës turke”, aksion i cili përkrahej fuqishëm edhe nga agjenturat turke që u shpërndanë asokohe nëpër Çamëri, duke propaganduar tek masa iliterate çame jetën si në parajsë në Anadoll. Qeveria shqiptare e kohës e Ahmet Zogut reagoi ashpër duke e çuar çështjen deri në Lidhjen e Kombeve. Mithat Frashëri, pasardhësi i familjes së njohur Frashëri, bëri çishte e mundur në kapacitetin e tij si diplomat në Athinë dhe Gjenevë, që të ndalë këtë pastrim të heshtur dhe djallëzor etnik të viseve jugore shqiptare.

Zonat e Konicës, Florinës u pastruan nga shqiptarët muslimanë. Por pjesa bregdetare shpëtoi nga pastrimi etnik. Në Filat, Paramithi, Pargë, Igumenicë, Margëlliç, Prevezë mbijetuan një numër i madh i çamëve muslimanë të cilët së bashku me çamët ortodoksë, formonin në vitin 1925 një grup etnik prej mëse 50, 000 mijë banorëve me shqipen si gjuhë amtare. Duhet potencuar fakti se qeveritë greke (përveç një interludi të shkurtër kohor më 1926 nën gjeneralin arvanit Teodoros Pangallos) asnjëherë nuk kanë njohur ligjërisht ekzistencën e pakicës kombëtare shqiptare atje. Qëndrimi zyrtar grek ka qëndruar gjithmonë në linjën shoviniste të mohimit të shqiptarësisë të çamëve ortodoksë që regjistroheshin me dhunë si grekë dhe mohimin e shqiptarësisë së çamëve muslimanë, të cilët regjistroheshin si “muslimanë” dhe etiketoheshin në mënyrë pezhorative “tourkos” nga kolonët grekë të ardhur në Çamëri nga Azia e vogël. Qeveria greke duke mos pranuar kategorinë etnike shqiptar, shpresonte qe në momentin e duhur historik të largojë përfundimisht këta “muslimanë pa identitet nacional” jashtë Greqisë. Gjithashtu, qeveria greke nën maskën e reformave agrare ka shtetëzuar në fakt  përvetësuar një numër të madh pronash private të shqiptarëve etnikë, duke rezikuar mbijetesën ekonomike të tyre. Presioni ekonomik dhe adminisitrativ ka qenë faktor i fuqishëm në pastrimin e heshtur etnik, i cili me ulje-ngritjet e tij, asnjëherë nuk ndaloi gjatë periudhës, 1912-1941.

Qeveritë shqiptare të periudhës së mesluftave botërore kanë bërë përpjekje dinjitoze që të ngrisin statusin juridik për shqiptarë nën sundimin grek. Çështja është ngritur disa herë në Lidhjen e Kombeve, por Greqia gjithmonë ka refuzuar një zgjidhje të drejtë në pajtim me parimin e fqinjësisë së mirë dhe normave ndërkombëtare të këtij kontesti etnik.

Dështimi italian në nënshtrimin e Greqisë, çoi në ndërhyrjen e Vermahtit në vitin 1941. Shqiptarët çamë, 80% e popullsisë së gjithmbarshme të krahinës sipas regjistrimit italian të vitit 1941, qëndruan përgjithësisht indiferentë në përplasjen e madhe civile mes grekëve të djathtë dhe komunistë. Për më tepër, një pjesë e rinisë çame dha kontribut në forcat majtiste greke të cilat ishin të vetmet që realisht luftonin sadokudo kundër italianëve, bullgarëve dhe Vermahtit. Një pjesë  e politikanëve shqiptarë morën pjesë në formimin e qeverive lokale ngjashëm si në çdo qytet dhe fshat tjetër të Greqisë, ku u formuan pushtete lokale në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësi në ushtrimin e aktiviteteve të përditshme shoqërore, si arsimi, shëndetësia, furnizimi me ushqim, sigurimi i rendit dhe qetësisë publike etj.

Gjatë periudhës pranverë/verë 1944, forca të mëdha ushtarake dhe paramilitare greke nën udhëheqjen e komandantit të EDES Napoleones Zervas, kryen pastrim etnik të territorit shqiptar të Çamërisë duke masakruar mbi 3000 qytetarë të pafajshëm shqiptarëë si dhe duke deportuar për në shtetin amë mbi 25, 000 mijë të tjerë.(Shifrat e dhëna variojnë në burime të ndrysme me ato maksimale që arijnë në: të masakruar 10, 000 mijë, të deportuar mbi 50, 000 mijë). Me këtë, kjo pjesë e tokave etnike shqiptare shqiptare mbeti vetëm me shqiptarët ortodoksë të cilëve akoma sot nuk u lejohet shprehja publike e identitetit nacional. Shteti grek nuk njeh kategori etnike në regjistrimet e popullsisë duke u mohuar shqiptarëve ortodoksë të drejtën bazike të shprehjes së lirë të identitetit të tyre kombëtar.

Regjimi komunist i zënë me konsolidimin e pushtetit të vet diktatorial dhe me luftën civile brenda vendit, nuk reagoi ndaj kësaj masakre çnjerëzore ndaj një pjesë të popullsisë shqiptare. Gjatë viteve 50, regjimi komunist i detyroi shqiptarët e Çamërisë të marin kolektivisht shtetësi shqiptare, duke kryer edhe një akt tjetër antikombëtar të përmasave të frikshme.

Ndryshimi i sistemit rezultoi me rihapjen e çështjes shqiptare në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Me këtë, edhe çështja çame si komponentë e rëndësishme dhe e pandashme e kauzës kombëtare u bë prezente në opinion. 27 qershori u shpall me vendim të Kuvendit si, “Dita e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë”. Kohëve të fundit çështja çame përfaqësohet edhe në Kuvendin popullor nga parti që i takojnë eksluzivisht këtij komuniteti (Partia për drejtësi, integrim dhe unitet). Ekziston Instituti për studime çame, një numër i shoqatave që kanë si pikë programore çështjen në fjalë. Çdo vit në Tiranë mbahet Java e kulturës dhe historisë çame, si dhe organizohet marshimi në Qafë – Botë, në kufi me Greqinë ku sivjet planifikohet të ndërtohet memoriali kushtuar viktimave shqiptare të gjenocidit grek. Janë organizuar konferenca shkencore, janë botuar libra të shumtë me këtë tematikë, është pretenduar ngritja e çështjes në Gjykatat ndërkombëtare nga një studio ligjore britanike.

Qeveritë shqiptare janë treguar historikisht të paafta ose të pavullnetshme për të ngritur këtë problem kombëtar si në takimet bilaterale me kolegët e tyre grekë ashtu edhe në forumet ndërkombëtare. Kërkohet dhe shpresohet që në vazhdim, qeveria shqiptare të ndërtojë një strategji serioze për të zgjidhur përfundimisht, seriozisht dhe në mënyrë paqësore me fqinjët grekë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të Çamërisë. Zgjidhja minimale që do të ishte e pranueshme për interesat shqiptare sot, është riatdhesimi i shqiptarëve çamë në qytetet dhe fshatrat e tyre në Çamëri, kthimi i pronave të zëna nga kolonët grekë të Azisë së vogël si dhe vllehët e romët lokalë, dëmshpërblimi për gjenocidin e kryer nga forca qeveritare dhe paramilitare greke, garantimin e të drejtave minoritare të njohura dhe garantuara nga Konventat e ndryshme ndërkombëtare si për çamët e martirizuar myslimanë ashtu edhe për çamët e terrorizuar ortodoksë. Çdo mundësi tjetër e cila nuk ka për bazë kthimin e popullsisë shqiptare në trojet e veta historike, nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje e drejtë dhe korigjim i padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve çamë në veçanti dhe  kombit shqiptar në përgjithësi. 

Valon Kurtishi, kryetar i lëvizjes Illyricum Libertas

Lajme të ngjashme

Back to top button