Gjyqësia në Maqedoni me shkop drejt shqiptarëve

Rasti i dënimit të Mynir Ismailit nga Struga për djegien e flamurit të Maqedonisë, të tifozëve shqiptar dhe një sërë ndodhish të tjera  nxjerrin në pah paradoksin e sistemit të gjyqësisë në Maqedoni, gjegjësisht zbatimit të drejtësisë së “padrejtë”. Për më shumë, këtë e vërejnë dhe ndërkombëtarët sepse gjyqësia në Maqedoni është një prej pikave më të kritikuara në raportet ndërkombëtare.

Praktika e dëshmon se presioni dhe anshmëria e gjyqësorit sidomos vjen në shprehje kur para gjykatësve ulen shqiptarët. Nëse shikojmë prapa, shohim se incidentet ndëretnike, të cilat ishin në numër të madh vitet e fundit, janë dënuar me një subjektivitet të skajshëm, gjegjësisht në shumicën e rasteve vetëm shqiptarët.

Vendimi është i padrejtë dhe tërësisht politikë sepse gjatë kësaj kohe janë bërë një sërë veprimesh kundër shqiptarëve dhe janë djegur edhe simbolet e tyre kombëtare por askush nuk ka marr dënim për këto veprime. Kështu thotë Ismaili pas dëgjimit të vendimit për dënimin me pesë muaj burgim. Ai thotë se është në pritje të vendimit zyrtar në mënyrë që ta apelojë atë edhe në instancat e tjera të drejtësisë.

”Maqedonia respekton ligjin vetëm kur janë në pyetje shqiptarët dhe për to ka gjithmonë hapur dyert e burgut. Unë këtë vendim normalisht do ta apeloj sepse është kryekëput politik dhe i njëanshëm” – u shpreh Mynir Ismaili, djaloshi i cili u dënua për djegien e flamurit maqedonas me 5 muaj burg.

“Shqiptarët standard dënohen edhe për incidentet më të vogla, siç ishte rasti me Mynir Ismailin, rrahjet në qendër e raste tjera, ndërsa maqedonasit tolerohen për incidente më të rënda si rrahja e grave në Nerez, djegiet e flamujve shqiptar” –deklaroi Omer Bunjaku, anëtar i kryesisë të tifo grupit shqiptar nga Shkupi, “Shvercerat Shkup”.

Ai përmend raste konkrete kur tifozët shqiptar kanë qenë të dënuar, ndërsa nga ana tjetër shohim se si maqedonasit nuk shqetësohen nga gjykata për shkaktimin e incidenteve ndëretnike.

“Ne si tifozë pas çdo loje kemi qenë të dënuar, edhe kur nuk ka pas sharje nacionale ato kanë gjet diçka pa fakte dhe pa argumente, në disa raste si sharje nacionale është kualifikuar edhe këndimi kundër Toshes, dhe për këtë shkak kemi qenë të dënuar”- thotë Bunjaku.

Ai gjithashtu njofton edhe për raste banale, ku gjykata sikur e ka patë patjetër të dënojë shqiptarë, pa dallim nëse të njëjtit kanë qenë prezent në ngjarjen për të cilën dënohen, apo jo.

“Në shumë raste tjera ka pas disa anëtar të grupit që kanë qenë të dënuar për ndonjë ndeshje ku nuk kanë marrë pjesë, ose si në rastin e Kalasë ku janë të dënuar shumë persona që nuk kanë qenë fare në Kala të Shkupit atë ditë”- shpjegon Omer Bunjaku.

Për gjyqësi selektive akuzojnë edhe ekspertët. Profesori universitar në lëminë e së drejtës kushtetuese, prof. dr. Jeton Shasivari konstaton se gjyqësia selektive tashmë është një realitet të cilin më së shumti e ndiejnë shqiptarët.

“Gjyqësia selektive në vendin tonë, si dhe presionet politike ndaj gjyqësisë, tashmë përbëjnë një realitet të hidhur, sepse jo vetëm që këtë fakt mbi supet e veta e ndiejnë qytetarët shqiptarë, por edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare si problem kryesor e trajtojnë parimin e sundimit të së drejtës, i cili assesi të frymojë lirshëm sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane” – thotë Shasivari.

 “Siç thuhet edhe në Raportin zyrtar të Departamentit të shtetit të SHBA-ve për vitin 2011, Qeveria e vendit nuk respekton parimin e sundimit të së drejtës, me ç’ rast duhet të potencoj se, një konstatim i tillë vjen për herë të parë që nga pavarësimi i vendit”-nënvizon ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button