KOLONIZIM E PASTRIM

Serbët që të fitonin “legjitimitet territorial” për tokat e pushtuara filluan që t’i sakralizonin, pra t’i shpallnin si “të shenjta”, kurse banorët vendës i shpallën si “uzurpues”. Një vend e ndjen si tëndin, thotë Mirçea Eliade, pasi ta kesh sakralizuar.

Projekti nacionalist serb nisi të formësohej me Vuk Karaxhiqin, sipas të cilit “aty ku ka një serb është Serbi” dhe vazhdoi me projekte ideologësh të tjerë serbë. Elitat serbe e krijuan mitin për Betejën e Kosovës. Ato nuk mund dhe nuk duan të çlirohen nga ky mit, ashtu sikurse nga miti për vazhdimësinë e shtetit mesjetar serb, edhe pse ky shtet u shtri në jug, drejt Kosovës dhe Maqedonisë së sotme, nëpërmjet pushtimeve. Në këtë shtet mesjetar elementi shqiptar u reduktua dukshëm. Një pjesë e madhe e shqiptarëve u asimiluan përgjithmonë. Historia e instrumentalizuar serbe përherë e ka shumëfishuar mashtrimin kinse ka ndodhur e kundërta, kinse shqiptarët i kishin shkombëtarizuar dhe dhunuar serbët. Elitat serbe, veçanërisht nga shekulli XIX, shqiptarët i kanë quajtur “ardhacakë” dhe “fise barbare”, që nuk ishin të aftë të organizonin shtetin e tyre. E njëjta propagandë vazhdon edhe sot…

Qeveria e Beogradit më 1920 solli vendim për kolonizimin e Maqedonisë së Vardarit dhe të Kosovës. Së bashku me këtë proces u bë edhe reforma agrare. Sipas këtij vendimi vetëm 35 përqind e tokës pjellore duhej t’u takonte banorëve vendës, kurse pjesa tjetër duhej t’u jepej kolonëve serbë: xhandarëve, oficerëve, veteranëve të Selanikut, çetnikëve, që kishin uzurpuar prona të mëdha në Maqedoni dhe Kosovë. Kolonizimi ishte shoqëruar me terror sistematik ndaj popullatës vendëse. Në periudhën ndërmjet viteve 1920 dhe 1926 në Maqedoni dhe në Kosovë ishin vrarë pa gjyq mbi 1700 njerëz, kurse mijëra të tjerë ishin burgosur. Kjo politikë e egër vazhdoi edhe më vonë…

Në gazetën “Vreme” të Beogradit, në vitin 1927, u botua artikulli: “Shumë shpejt do të fillojnë punët e mëdha për kolonizimin e vendeve të pabanuara të Serbisë Jugore”. Aty flitet për planin e kolonizimit të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, siç thuhet, të përgatitur nga ministri i Reformës Agrare, dr. Andriq, një shkrimtar, dramaturg dhe regjisor serb. Plani parashihte vazhdimin e kolonizimit të shpejtë të rajonit të Tetovës, gjegjësisht Haneve të Mavrovës, përgjatë rrugës Dibër – Gostivar ku, siç thuhet, kishte tokë të përshtatshme për kolonizim dhe shumë dyqane që do t’i plotësonin nevojat e ardhacakëve, të cilëve do t’u faleshin nga disa hektarë tokë pjellore, kafshë shtëpiake dhe do t’u ndërtoheshin shtëpi. Kolonizimi do të vazhdonte pastaj në Shkup, Kumanovë e në mbarë Kosovën. Qeveria serbe u kishte ndarë 145 mijë dinarë ardhacakëve që kishin pësuar dëme prej fatkeqësive elementare, kurse fermerëve të suksesshëm do t’u ndaheshin gjithsej 350 mijë dinarë si shpërblim. Shuma prej 12 milionë dinarësh, tepër e madhe për kohën, e cila do të shfrytëzohej për kolonizimin e viseve të Kosovës dhe Maqedonisë, ishte ndarë nga ministria e Reformës Agrare. Procesit të kolonizimit i ishte bashkëngjitur edhe ministria e Arsimit. Ajo kishte ndarë mjete për ndërtimin e shkollave serbe. Serbia synonte  jo vetëm kolonizimin territorial, por edhe kulturor të viseve që banoheshin me shqiptarë. Flitet, gjithashtu, edhe për kolonizimin e rajonit të Ferizajit, konkretisht Shtimjes. Rrugët Ferizaj – Suharekë dhe Prizren – Gjakovë, siç thuhet, pasi nuk kishin “element nacional” serb dhe ishin “pothuajse të shkreta”, duhej të kolonizoheshin sa më parë, kurse ky proces do të ndihmohej nga xhandarmeria. Kolonizimi me serbë ishte planifikuar për gjithë Kosovën, kurse në katundet Laushë dhe Kobiliq të Drenicës ishte paraparë të vendoseshin refugjatë grekë.

Historiani serb, Dr. Jovan Haxhivasileviq, në librin “Haxhi Trajkoja nga Shkupi” (Shkup, 1933), jep të dhëna për vendosjen e popullatës sllave në Shkup. Ai shkruan: “Shkupi, një qytet i vogël turko – shqiptar, nisi të zgjerohej në fillim të shekullit XIX. Nga fillimi i shekullit XIX, si gjithkund në Turqinë Europiane, të krishterët filluan të vendoseshin gjithnjë e më shumë në Shkup, i cili nisi të merrte karakterin e një qyteti të krishterë. Për forcimin e Shkupit, nga ky aspekt, ndikuan kryengritja në Serbi, ndryshimet tregtare në Bosnjë (sërish për shkak të kryengritjes në Serbi), zhvendosja përherë e më e madhe e shqiptarëve nga rrethina e Shkupit dhe kushtet gjithnjë më të mira për popullatën e krishterë. Megjithatë, ky ndryshim raportesh, për sa i përket numrit të banorëve, nuk kaloi lehtë dhe pa tronditje. Rrethanat e bujshme në Perandorinë Osmane, veçanërisht në rajonin e Shkupit, ndikuan edhe te banorët myslimanë të Shkupit, që u bënë më rezistues dhe më ngulmues kundrejt të krishterëve, veçmas ndaj të ardhurve të rinj. Nëse myslimanët do ta parashikonin se me ardhjen e të krishterëve në qytet do të ndryshonin rrethanat ekonomike dhe sociale, duke u bërë vendimtare më dëm të vetë popullatës myslimane, ata do të rebeloheshin më shumë kundër vendosjes së të krishterëve në qytet dhe kushedi se çfarë do të kishte ndodhur”.

Elitat politike dhe intelektuale serbe kanë hartuar projekte edhe për zhdukjen fizike dhe shpirtërore të shqiptarëve. Akademiku serb Vasa Çubrilloviqi hartoi më 1937 projektin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e sotme. Sipas tij, për pastrimin e territoreve shqiptare, nuk mjaftonte vetëm kolonizimi. Projekti i tij, i ruajtur deri vonë si sekret shtetëror, flet për pastrimin e territoreve shqiptare nëpërmjet presionit dhe dhunës shtetërore.

“Midis këtyre rajoneve, që së bashku përbëjnë pykën shqiptare, më të rëndësishëm për ne janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgori, Sharri, Istogu dhe Drenica në veri të Maleve të Sharrit, sikundër dhe Dibra e Epërme dhe dy Pollogët në jug dhe Malet e Sharrit. Këto janë zona kufitare që me çdo çmim duhet të pastrohen nga shqiptarët”, thuhet në këtë projekt, ku shtohet se kolonizimi në jug të Maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit duhej të bëhej me serbë nga Vranja, Leskovci, Piroti dhe Blasenica, sidomos nga fshatrat malore pasive, por assesi nga dinarikët.

Fatkeqësisht projekti u realizua në shkallë të madhe. Shumë shqiptarë u shpërngulën në Turqi dhe kjo ndikoi në ndryshimin e hartës etnike në këto vise. Kolonizimin dhe serbizimin e Kosovës nëpërmjet dhunës e dëshmon edhe Kosta Novakoviqi, politikan, publicist dhe epror serb në Luftën e Parë Ballkanike. Por serbët, që ta përligjnin krimin, filluan të propagandonin për kinse shpërnguljen e serbëve nga Kosova, ashtu sikurse kishte vepruar edhe më parë Jovan Cvijiqi, i cili kishte shumëfishuar gënjeshtrën se prej vitit 1876 deri “në çlirimin e Serbisë së vjetër ishin shpërngulur nga Kosova 150 mijë serbë”. Kjo propagandë vazhdon edhe sot.

Serbia njëkohësisht e kishte filluar edhe procesin e serbizimit, duke ua ndërruar emrat vendbanimeve shqiptare. Pjesë e kësaj politike shoviniste ishte edhe shkrimtari Ivo Andriq. Elitat e tanishme politike dhe intelektuale serbe kanë të njëjtën mendësi, pavarësisht se sa tentojnë të paraqiten ndryshe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button