Prishtinë, hapet seminari i 37-të i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare

Gjuha shqipe bën pjesë në mësin e gjuhëve më të vjetra dhe si e tillë ajo meriton të jetë e njohur në botë, ishte theksi kryesor në hapjen e seminarit të 37-të të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili po mbahet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapje të seminarit tha se kohërat aktuale nuk janë për lëvdëratë, meqë siç tha, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë shumë vështirësi në zhvillimin e tyre, megjithatë shtoi se, shqipja është ndër gjuhët më të vjetra dhe si e tillë meriton të njihet në botë.

“Në kohëra të errëta të jetës tonë, në kohëra të rënda, një dritë është shkrepur nga këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga vet ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin prej më afër dhe të transmetojnë shqipen e shqiptarët tek popujt tjerë”, tha Haradinaj.

Ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar mbajtjen e seminarit, në mënyrë që sa më shumë shkencëtarë të hulumtojnë mbi gjuhën dhe shqiptarët.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla, nga ana e saj, vuri në dukje se pikërisht albanologjia, ka qenë ajo që ka konsoliduar kombin shqiptar.

Ajo tha se fatmirësisht, gjuha shqipe nuk është një gjuhë e rrezikuar, për të cilat BE-ja ndanë fonde, që është mirë, për të shtuar se u takon qeverive të të dy vendeve Kosovë dhe Shqipëri, t’i mbështesin shkencëtarët duke mundësuar mbajtjen e seminareve me standarde të larta.

Seminari i 37-të i gjuhës, letërsisë dhe kulturës ka bërë bashkë rreth 150 albanologë nga e gjithë bota si dhe rreth 120 studentë të huaj, që do të ndjekin kursin e gjuhës shqipe.

Ndër temat që do të trajtohen në seminar janë “shqipja në diasporë-Diaspora shqiptare”, “tematika në letërsinë shqiptare” dhe “kultura në epokën dixhitale”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button