Dikur i dëgjonim, tani vetëm i lexojmë “bombat” e Zaevit

Derisa në Gjykatën Themelore të Shkupit po dëgjohen “bombat” të cilat në vitin 2015 filloi t’i publikojë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak të zbrazëtirave të Ligjit për Procedurë Penale, qytetarët e Maqedonisë munden vetëm t’i lexojnë, por jo edhe t’i dëgjojnë. Edhe pse çdo seancë incizohet në mënyrë audiovizuale nga Gjykata, incizimet nuk munden të shfrytëzohen jashtë procedurës penale, shkruan Portalb.mk.

Deri më tani, mediat në Maqedoni asnjëherë nuk kanë qenë të lejuara që t’i incizojnë debatet kryesore të seancave gjyqësore në mënyrë audiovizuele. Fotografët dhe kameramanët hyjnë në sallën gjykuese para se të fillojë seanca, të paralajmëruar se nuk mund ta filmojnë trupin gjykues, fotografojnë dhe marrin inserte (kënde të caktuara, pa zë) nga palët e përfshira në rast, ndërkaq më pas gazetarët prej brenda seancës e informojnë opinionin në mënyrë të shkruar.

Risi është që, këtë vit janë lejuar mediat të filmojnë në mënyrë audiovizuale vendimin e Gjykatës, në rastin “Tanku” ku u dënua ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ndimësi i ministrit të MPB-së, Gjoko Popovski, por edhe në rastin ku u dënuan dhunuesit e Ziadin Selës.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

“Në seancë nuk mundet që të kryhen incizime filmike ose televizive. Me përjashtim, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, mund të miratojë incizim të caktuar. Nëse incizimi është i miratuar, Këshilli i debatit kryesor mundet të vendos me arsye të caktuara që disa pjesë të caktuara të debatit kryesor të mos incizohen”, thuhet në nenin 360, paragrafi 4 të Ligjit për Procedurë Penale të Republikës së Maqedonisë.

Në paragrafin 6 të nenit 374 të Ligjit për Procedurë Penale, nënvizohet se audio-video materialet nuk mundet që të përdoren për qëllime tjera, përveç procedurës penale. “Nuk guxohet që të publikohen, transmetohen ose të shfrytëzohen materialet audio-vizuele, për qëllime jashtë procedurës penale”, thuhet nenin 374, transmeton Portalb.mk.

Juristi dhe avokati Mefail Arsllani, vlerëson se Ligji për Procedurë Penale ka zbrazëtira, ndërkaq në pjesët e seancave të cilat janë me interes publik duhet që të lejohen që mediat të incizojnë.

“Në qoftë se duam që gjykimet të jenë transparente dhe publike, atëherë gjithçka që është interes publik duhet të njoftohet opinioni, përveç informatave private dhe të klasifikuara. Ligji për Procedurë Penale ka shumë zbrazëtira. Megjithatë, 80% e “bombave” janë biseda private. Jo qytetarët, por edhe institucionet nuk mund të bëjnë dallimin e interesit publik dhe privat. Në qoftë se unë me x person kontaktoj dhe debatoj për punët e mia  se si unë i udhëheqi, dhe nëse nuk merret një vendim për shkelje të ligjit, atëherë nuk është interes publik. Por, edhe nëse merret një vendim për shkelje të ligjit, ai veprim duhet që të konstatohet jo vetëm të lihet si dëshmi verbale. Megjithatë, vlerësoj se duhet që të lejohet incizimi në Gjykata, në pjesët ku është me interes publik”, vlerëson Arsllani.

Kosova përpara Maqedonisë me Kodin Penal dhe Ligjin për Procedurë Penale

Nëse në Maqedoni, madje nuk ke të drejtë ta fotografosh as gjykatësin, në Kosovë jemi dëshmitarë që mediat janë të lejuara që tërë seancën ta incizojnë në formë audiovizuele, përveç në raste kur në procedurë ka dëshmi të cilat cenojnë privatësinë e palëve të përfshira në proces si dhe kur publikohen dëshmi të klasifikuara.

“Gjyqtari i procedurës paraprake mund t’u lejojë personave të tjerë që kanë interes legjitim të regjistrojnë në mënyrë audio ose video veprime të veçanta hetimore, nëse një gjë e tillë do të kishte ndikim të parëndësishëm mbi të drejtat, veçanërisht të jetës private të të pandehurit, të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë. Të dhënat personale për të pandehurin, të dëmtuarin ose dëshmitarin janë fshehtësi dhe mund të përdoren vetëm gjatë procedurës penale”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 211 të Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ndërkaq në paragrafin katër thuhet se “Kur lejohet incizimi i shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues, për arsye të justifikueshme, mund të ndalojë incizimin e pjesëve të posaçme të seancës”.

Mefail Arsllani, avokat
Mefail Arsllani

Sipas avokatit dhe juristit Arsllani, Ligji për Procedurë Penale i Kosovës, nëse krahasohet me të Maqedonisë, është shumë më i avancuar.

“Krahasuar me Maqedoninë, Kosova momentalisht është shumë më përpara me Kodin Penal dhe me Ligjin për Procedurë Penale, pasi që ata e kanë marrë “copy-paste” prej Amerikës, ndërkaq te ne është bërë përzierje e Bosnjes, Kroacisë, Amerikës, andaj ka edhe shumë zbrazëtira. Për shembull, në Kosovë janë dy seanca për kundërshtim të aktakuzës, pra në dy nivele vendoset – te ne vendoset vetëm në një nivel. Veç asaj, te kjo seancë është “pro – forma”, deri tani në Maqedoni, asnjë aktakuzë nuk është hedhur poshtë, edhe pse nuk ka dëshmi”, vlerëson Asllani, përcjellë Portalb.mk.

Raste kontroverse për incizimet në seanca gjyqësore

Këtë vit, kryeministri, Zoran Zaev, kërkoi nga Gjykata që ta publikojë tërë video-dëshminë kundër tij në rastin “Puç“, megjithatë Gjykata nuk e pranoi të njëjtën.

“Do ta shqyrtoj çdo mënyrë që ato pjesën e prera t’i lëshoj në opinion. Bëhet fjalë për fytyrën time, nderin dhe reputacionin. Vetëm gjykata i posedon, por në çfarëdo lloj mënyre nëse kam të drejtë sipas ligjit disi t’i marrim ato incizime, premtoj se publikisht do t’i nxjerrë. Është e rëndësishme para se gjithash për mua”, shtoi Zaev. Megjithatë, Gjykata nuk ia ka dhënë Zaevit videon e plotë.

Zoran Zaev ryshfeti
Print screen nga video

Vitin e kaluar, fotoraportuesi nga Kosova, Blerim Uka dhe një kameraman i TV21, janë arrestuar nga Policia pasi që kanë filmuar trupin gjykues në lëndën “Kumanova”. Ndaj këtij rasti pati reagime të ashpra nga shoqatat gazetare në Maqedoni dhe Kosovë, ndërkaq Avokati i Popullit, hapi dhe hetim për të njëjtin.

Në dhjetor të vitit 2016, u publikua në opinion një fotografi nga seanca gjyqësore e rastit “Fortesa”, edhe pse një gjë e tillë nuk ishte e lejuar. Nga Gjykata thanë se nuk e dinë se kush ka fotografuar.

“Edhe më parë në media janë publikuar dokumente gjyqësore, por edhe interne, orare vjetore dhe letra me nënshkrime të shkurtra. Kështu që edhe tani nga burime të panjohura në rrjetet sociale dhe disa media të caktuara është publikuar fotografi nga gjykimi, ku ashtu edhe siç mund të shihet kanë qenë pjesë edhe mediat”, thanë nga Gjykata. Ashtu siç mund të shihet, fotografia është e bërë nga kamera zyrtare e Gjykatës.

"Fortesa2"
“Fortesa 2”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button