Partitë politike në Maqedoni urojnë besimtarët mysliman për Kurban Bajram

Partitë politike në Maqedoni, me kumtesa dërguar në media kanë uruar besimtarët mysliman për Bajramin e Kurbanit, transmeton Portalb.mk.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka uruar që mirësia, solidariteti dhe  paqja të jenë motivuese për një jetë më të mirë.

“Të nderuar besimtarë të fesë islame, Kurban Bajrami është festë e sakrificës, solidaritetit dhe respektit, e që janë vlera me të çmuara të shoqërisë sonë, andaj uroj që mirësia, solidariteti dhe paqja të jenë përcjellëse e motivuese për një jetë më të mirë për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal ju uroj të gjithë besimtarëve të fesë islame festën e Kurban Bajramit, duke ju dëshiruar shumë shëndet, lumturi dhe mbarësi”, thuhet në telegram urimin e PDSH-së.

Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami duke uruar Kurban Bajramin, ka shpreh dëshirën që e keqja të largohet nga të gjithë.

“Urime festa e Kurban Bajramit gjithë muslimanëve në mbarë botën. Kjo festë e sakrificës duhet të na shërbejë të gjithëve që të afrohemi me njëri tjetrin si dhe të urojmë që gjithçka e keqe të largohet nga të gjithë, andaj uroj që Kurban Bajrami të jetë arsyeja e pajtimit të njerëzve me njëri tjetrin. Uroj që në familjet tuaja të ketë shëndet, begati, harmoni dhe lumturi. E gëzofshim edhe për shumë vite Kurban Bajramin”, thuhet në telegram urimin e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin

Partia Aleanca për Shqiptarët (ASH) duke uruar Kuban Bajramin, dëshiroi që festa të kalojë në atmosferë dashurie.

“Të nderuar qytetar të Besimit Islam! Ju uroj Festën e Kurban Bajramit,festë kjo që simbolizon sakrificën dhe solidaritetin,paqen dhe mirëqenien mes njerëzve. Me këtë rast, dëshiroj që kjo festë të kalojë në atmosferë festive dhe dashurie në familjet e Juaja”, thuhet në telegram urimin e ASH-së.

Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashi, uroi që këto ditë të jenë ditë të paqes shpirtërore.

“Në ditën kur miliona duar në malin e Arafatit janë ngritur drejt qiellit duke e lutur Perëndinë për paqe, mirëqenie dhe lumturi, si dhe duke qenë në prag të festës së madhe të Bajramit të Kurbanit, uroj nga thellësia e zemrës që të gjithë atyre atje Zoti t’ua pranojë lutjet dhe haxhin, ndërsa për neve, që e presim festën e madhe të Bajramit, uroj që këto ditë të jenë ditë të paqes sonë shpirtërore, të mbrujtjes me dashuri, të jenë ditë të vizitave, të buzëqeshjeve dhe përshëndetjeve. Festa e Kurban Bajramit na e kujton sakrificën më sublime në sipërfaqe të Tokës, që e bëri Babai i Monoteizmit – Ibrahimi, i cili në emër të vetëmohimit dhe paktit hyjnor ishte gati ta flijojë më të dashurin e tij në jetë – Ismailin. Në kohën kur e rikujtojmë këtë dhe na kaplon drithërima e sakrificës ibrahimiane, në vetvete na parashtrohet pyetja retorike e sakrificës sonë për gjëra që as afërsisht nuk janë të këtyre përmasave. Kjo festë është mësimi më i mirë se zjarri shuhet vetëm për ata që janë në gjendje që atë zjarr ta dashurisë ta fikin me ujin e sakrificës vetëmohuese! Qoftë Bajrami i Kurbanit lajtmotivi i jetës sonë dhe njëherazi freski e memories sonë kolektive për të gjithë ata që u bënë kurban, duke sakrifikuar më të shtrenjtën e tyre për të mirën e brezave që erdhën pas”, thuhet në telegram urimin e BESA-s me kryetar Afrim Gashi.

Partia Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK)ka uruar besimtarët myslimanë duke dëshiruar që ta ndihmojnë sa më shumë njëri tjetrin.

“Kurban Bajrami tejkalon çdo kufi dhe shtrihet mbi dimenzionet e jetës humane. Akti i sakrificës që simbolizon këtë festë, është karakteristikë e bukur dhe e madhe njerëzore që në thellësi reflekton bujari dhe mirësi. Në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë besimtarët muslimanë kur shtohet dhe forcohet më shumë ndjenja e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë dhe mëshirës, uroj që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë për një të ardhme sa më të mirë për kombin tonë. Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve të besimit Islam ua uroj festën e madhe të Kurban Bajramit, me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie”, thuhet ndër të tjerash në telegram urimine RDK-së.

Maqedonia dhe bota islame festojnë Kurban Bajramin! Gëzuar!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button