Në “kiametin” e Lindjes së Mesme: Pse shkojnë? (2)

  1. Elementi socio-ekonomik: Gjendja e rëndë financiare dhe problemet sociale shumë familje i ka tjetërsuar nga fëmijët e tyre, dita ditës po ua merr pasardhësit, ose i shpie në ujërat e ndotura të kundërkulturës, të «shkarjeve sociale» si narkomania, alkoolizmi etj., ose në botëkuptime e ideologji nga më të ndryshmet ku ata mendojnë se do ta gjejnë paqen apo prehjen e tyre, në këtë rast në një formë të ideologjizuar të islamit me ngjyrime kryesisht arabo-saudito-vehabite. Papunësia: një i ri në kulmin e forcës dhe vitalitetit që s’mund të gjejë punë për disa vjet, natyrisht se do kërkojë preokupime që do ta ngushëllojnë, e spiritualiteti është një favor i madh për të (dhe për shumë njerëz). Varfëria njeriun e shtyn të kërkojë «anijen e shpëtimit», që në raste të caktuara është feja e interpretuar literalisht apo fjalë për fjalë.
  2. Kriza morale. Tatëpjeta etike dita ditës po rrokullis shoqëritë drejt një humnere të vlerave. Rinia e sodit vërtet është përballë sfidave të mëdha: Mediatizohet-afirmohet fuqishëm imazhi i raperit Action Bronson, i cili në “Sunny Hill” (2018) të Prishtinës dhezi një “joint” (marihuanë)! “Shqiptari vret veten pas humbjes së Belgjikës, vuri bast rrogën”, “Pjeshka seksi, pije pa fund dhe vallëzime të çmendura”, “Pedofili kapet në veturë me vajzën dhjetëvjeçare”, “Tetë të ekzekutuar në Vlorë” janë disa nga titujt e që flasin për vete. Për t’iu shmangur këtyre dukurive një pjesë e të rinjve varkën e shpëtimit e gjejnë te feja, nganjëherë edhe tek ajo e “radikalizuar”.
  3. Islamofobia lokale dhe globale, në veçanti trajtimi i islamit ndër shqiptarë në media dhe nga një elitë e painformuar, e pavetëdijshme, si «tjetri», si fe e huaj, si fe e dhunës, e terrorizmit e të ngjashme, ngjall tek popullata islamike reagime nga ato të maturat, deri te ato të përnjëhershme, radikalet, në kuadër të të cilave janë edhe vendimet për të shkuar në xhihad. Kategoria e «islamofobëve budallaqë» dhe «ultra-radikalë», madje do ta kishim quajtur «terrorizmi islamofobik» dita ditës po krijon një hendek mes besimtarëve praktikantë dhe mosbesimtarëve, ateistëve, laikëve nga mesi jonë, bashkëjetesa e të cilëve është një gjë e natyrshme («Kush të dojë le të besojë, e kush të mos dojë, le të mos besojë» – Kur’ani)
  4. Elementi gjuhësor: Fjala e madhe «Shteti islamik », përdorur nga ISIS manipulon kokat e shumë besimtarëve, sepse duke i pasur parasysh regjimet kalbura të botës arabo-islame, asocon në diçka ideale, ‘të shumëpritur’, shenjon zbatimin e ligjit hyjnor, rikthimin e krenarisë, periudhën siprofetike, kalifatin etj., gjëra këto që kanë shërbyer si instrumentarium indoktrimi apo të shpëlarjes së trurit nga ana e «YouTube imamëve» (Kursani).

Një faktor tjetër mund të jetë edhe gjendja e ngathtësisë së botës islame, në veçanti asaj arabo-islame ku mbizotërojnë despotizmat dhe diktaturat e pamëshirshme që i trajtojnë besimtarët përmes terrorit shtetëror. Gjendja e përgjithshme e botës islame prej statisti, si nus produkt ka ndjenjën «kështu nuk shkon, duhet të zgjohemi, të ngrihemi në këmbë, pra edhe unë duhet të jap kontributin tim si musliman».

Si përfundim, mund të thuhet se shumë të rinj pa sherr, gjegjësisht të dëlirë apo naivë, janë bërë pjesë e rrjeteve të ndryshme, prijësit e të cilave as vetë s’janë të vetëdijshëm për pasojat. Të njëjtët kur vjen lajmi për vrasjen e një të riu, tërhiqen sikur s’kanë bërë gjë, mjaftohen me ngushëllime. Habit fakti se, me sa kemi njohuri, asnjë nga ata që “ligjërojnë xhihadin” as kanë vajtur në Lindjen e Mesme e  as e kanë shijuar sherbetin e dëshmorisë (shehidllëkut). “Burrat vdesin ne mejdanin e luftës, jo në shtrat”. Po cilët burra? Të rinjtë  jeshilë, të papjekur? Logjikisht, në shprehje vjen verseti kur’anor “Pse e thoni atë që nuk e bëni…”.

Pjesën e parë të kolumnës mund ta lexoni: KËTU

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button