Thellimi i ndarjes urbano-rurale në politikën botërore

E marta e shkuar, ishte një tjetër ditë zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, dhe gara ishte më e veçantë në distriktin e 12-të kongresual të Ohajos. Qarku, që përfaqëson një varg periferish dhe zonash rurale afër kryeqytetit të shtetit, Kolumbus, ka qenë një bastion republikan për më shumë se tre dekada, përcjell Bota.al.

Ai mbështeteti me vendosmëri presidentin Donald Trump në vitin 2016. Por këtë vit, pjesëmarrja u rrit në zonat periferike, dhe sfidanti demokrat Deni O’Konnor ishte shumë pranë kundërshtarit të tij republikan, Troi Balderson. Ky hendek i dukshëm midis pjesëve më urbane të distriktit dhe zonave rurale më pak të populluara, nënvizoi sfidën me të cilën përballet Trump dhe partia e tij.

”Republikanët do të duhet të gjejnë një mënyrë për të fituar sërish mbështetjen e votuesve sub-urbanë, ose të shtojnë votat e votuesve ruralë”- shkroi e përditshmja “The New York Times”. ”Nëse nuk e bëjnë këtë, shumica e tyre në Kongres do të zhduket”.

Siç e thotë edhe shprehja e vjetër “gjeografia është fati”, dhe kjo është akoma më shumë e vërtetë në kohën e thellimit të polarizimit politik. Dhe Amerika e Trump, nuk është e vetmja në këtë dukuri. Kur Trump shkoi në Poloni vitin e kaluar, dhe mbajti një fjalim në Sheshin Krasinski të Varshavës, turma entuziaste që brohoriste retorikën e ‘gjakut dhe tokës’, ishte në përgjithësi jo nga kryeqyteti.

Partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi, kishte sjellë me mijëra mbështetës nga pjesët e largëta të vendit, duke përfshirë qytetet dhe fshatra përgjatë kufirit të Polonisë me Sllovakinë. Banorët e Varshavës, kanë më shumë gjasa të protestojnë ndaj PiS, siç njihet shkurt partia joliberale, ashtu siç bënë muajin e kaluar gjatë demonstratave masive, kundër lëvizjeve të qeverisë në sistemin gjyqësor në vend.

Në Turqi, një dinamikë e ngjashme po funksionon prej kohësh. Presidenti Rexhep Taip Erdogan mbështetet tek votuesit e devotshëm konservatorë në brendësi të Anadollit, për të mposhtur kundërshtarët e tij laikë dhe të majtë, të cilët jetojnë në mënyrë joproporcionale në qytetet bregdetare të vendit.

Kryeministri hungarez i krahut të djathtë, Viktor Orban, në krye të pararojës nacionaliste të Europës, është shumë më pak popullor në Budapest, sesa në zona të tjera të vendit të tij. Fitimi i referendimit Brexit, dhe rezultatet mbresëlënëse zgjedhore të ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, kërkuan mobilizimin e votuesve që jetonin jashtë qendrave të mëdha urbane.

“Qytetarët anti-Trump, anti-Brexit, anti-Erdogan dhe anti-Orban, tentojnë të jenë më të pasur

dhe më të arsimuar sesa kundërshtarët e tyre politikë”- shkruan kolumnisti i “Financial Times”, Gideon Rahman. “Në të kundërt, turmat që bashkojnë fansat e zotit Trump, Brexit, Erdogan

apo Orban, janë një version i një premtimi për t’i bërë vendet e tyre sërish të “të mëdha”.

Qytetarët, kanë gjithashtu më shumë gjasa të kenë udhëtuar ose studiuar jashtë vendit, apo të jenë emigrantë të kohëve të fundit. Për shembull, më shumë se një e treta e popullsisë së Nju Jorkut dhe Londrës, kanë lindur jashtë shtetit. “Nga njëra anë, nuk ka asgjë të re në ndarjen urbano-rurale.

Politika moderne, është formësuar historikisht nga tensionet midis dinamizmit të qyteteve, dhe stanjacionit relativ të provincave, të lëna në hije nga feudalizmi dhe varfëria. Ndarjet fshat-qytet – dhe armiqësitë kulturore që nxisin ato – shtrihen që në antikitet.

Por urbanizimi i pakthyeshëm i botës, do të thotë se qytetet janë më shumë se kurrë më parë, qendra të gravitetit në politikën, kulturën dhe ekonominë globale. Në shumë shoqëri demokratike evropiane, kjo zhvendosje ka nxitur margjinalizim dhe pakënaqësi. “Për ata që kanë mbetur në zonat rurale, një ndjenjë e të lënit pas dore, ka zëvendësuar krenarinë e të rriturit jashtë qyteteve të mëdha, dhe larg nga të gjitha problemet që lidhen me to”- shkroi kolegu im Rik Noak pas fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Trump.

Në SHBA, një sondazh i madh i kryer nga Qendra Kërkimore Peë, zbuloi se vendi ku jetojnë njerëzit, formon mënyrën se si ata e shohin botën. Banorët e qyteteve të ndryshme, përqafojnë pozicione natyrisht të ndryshme, nga ato në pjesët më homogjene të vendit.

“Për shembull, kur u pyetën nëse emigrantët kishin një ndikim pozitiv në komunitetin e tyre”- shkroi Ronald Braunshtein i CNN në një analizë të gjetjeve të Peë “në zonat urbane 62 për qind e të bardhëve të arsimuar në universitet, dhe 51 për qind e jo të bardhëve thanë “po”, krahasuar me vetëm 36 për qind të të bardhëve me jakë blu (punëtorët e krahut).

Në zonat periferike, 56 për qind e të bardhëve të arsimuar në universitet, dhe 50 për qind e jo të bardhëve, krahasuar me vetëm 32 për qind të të bardhëve pa arsim të lartë, panë një ndikim pozitiv. Në zonat rurale, rreth 40 për qind si e të bardhëve dhe jo të bardhëve të arsimuar në universitete, panë një ndikim pozitiv, krahasuar me vetëm një të katërtën e të bardhëve pa arsimin e lartë.

Në demokracitë parlamentare europiane, segmenti i popullsisë i nxitur kryesisht nga frika anti-emigrante, zë zakonisht një vend të vogël në tryezën e diskutimeve. Por në sistemin e vjetruar zgjedhor amerikan, pjesët më pak të populluara të vendit janë të favorizuara ndaj zonave me popullsi më të dendur – një realitet politik i rëndësishëm për fitoren e Trump.

“Logjika e institucioneve tona zgjedhore, e ka klasifikuar gjithnjë shumicën e votuesve amerikanë në një nga dy partitë kryesore. Ajo që është e re, është se dinamika e klasifikimit të urbanizimit, ka aktualisht një renditje partizane”- shkruan Uilliam Uillkinson, zëvendëspresident për kërkime në Qendrën Niskanen, një think-tank me seli në Uashington.

“Demokratët janë bërë partia e qytetit multikulturor, republikanët partia e fshatit monokulturor – partia e njerëzve të bardhë rezistentë ndaj urbanizimit”. Është një dinamikë, argumenton Uillkinson, që në një plan afatgjatë do të jetë toksike për demokracinë amerikane.

Harta politike e shtrembëruar, shpjegon se si Trump mund të fitonte mbështetje, duke stimuluar sulmet e neo-nazistëve nëpër qytete të ndryshme ndaj emigrantëve. Dhe ajo fsheh shkallën në të cilën historia kolektive e Amerikës – nga lavditë tek pabarazitë e saj – është gjithnjë e më urbane. Sigurisht, historia gjithashtu mund të jetë dukshëm e ndryshme.

Mbështetja e madhe urbane e shtresës së mesme për kryeministrin nacionalist indian të krahut të djathtë, Narendra Modi, tregon se qytetet nuk janë gjithmonë fanarë të liberalizmit. Rahman gjithashtu tregon momentet kur klasat e mesme urbane në vende si Egjipti, Brazili dhe Tailanda kanë mbështetur grushte ushtarake, mbi politikën populiste demokratike.

“Është joshëse të përshkruhen qytetet si bastione të liberalizmit, dhe zonat e thella rurale si reaksionare”- shkruan ai. “Ndërsa kjo mund të jetë e vërtetë për vlerat shoqërore, ka gjithashtu një tendencë fillestare për banorët e qyteteve për të sabotuar demokracinë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button