BE dhe Kina rrisin bashkëpunimin për ndryshimet klimatike

BE dhe Kina riafirmuan angazhimin e tyre për avancimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit dhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes tyre rreth ndryshimeve klimatike dhe energjinë e pastër, njoftoi Komisioni Evropian (KE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim BE-Kinë në qasjen tregtare për reduktimin e emetimeve ndotëse (Emission Trading) krijon një dialog politik, parashikon organizimin e përbashkët të seminareve dhe punëtorive, si dhe aktivitete të përbashkëta kërkimore.

Presidenti i KE-së Jean-Claude Juncker, presidenti i Këshillit Donald Tusk dhe kryeministri kinez Li Keqiang miratuan një “Deklaratë liderësh mbi Ndryshimet Klimatike dhe Energjinë e Pastër” gjatë samitit të 16 korrikut të mbajtur në Pekin, thuhet në njoftim.

Nënkryetari i Komisionit Jyrki Katainen dhe ministri kinez i Ekologjisë dhe Mjedisit Li Ganjie nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të rritur bashkëpunimin për qasjen tregtare për reduktimin e emetimeve ndotëse midis Kinës dhe BE-së.

“Ne kemi theksuar vendosmërinë tonë të përbashkët dhe të fortë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të demonstruar lidership global, duke treguar angazhimin tonë ndaj multilateralizmit dhe jemi të vetëdishëm se ndryshimet klimatike janë një sfidë globale që prekin të gjitha vendet në botë. Nuk kemi kohë të rrimë dhe të ndjekim pasivisht. Tani është koha për veprim vendimtar”, citohet të ketë thënë Juncker.

Memorandumi i Mirëkuptimit mes Kinës dhe BE-së njeh këtë qasje tregtare si një mjet politikash me kosto efektive me potencial të rëndësishëm për të kontribuar në një ekonomi me karbon të ulët dhe inovacionin e nevojshëm dhe vendosjen e teknologjive me karbon të ulët, bëhet e ditur nga KE.

“Zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis dy sistemeve më të mëdha të qasjes tregtare të reduktimit të ndotësve në botë nuk është vetëm në interesin tonë të përbashkët, por gjithashtu është i nevojshëm për të trajtuar sfidat e përbashkëta në afat të mesëm dhe të gjatë. Dialogu i sapokrijuar i politikave do të jetë i rëndësishëm në këtë kontekst”, ka thënë komisioneri për Veprim Klimatik dhe Energji, Miguel Arias Canete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button