Portret me Gent Mehmetin: U regjistrova në regji, që t’i mësojë fëmijët se ç‘është teatri

Gent Mehmeti ka lindur më 25 maj të 1995-s, në Tetovë ku edhe mbaroi arsimin fillor, të mesëm dhe është duke vijuar studimet, si pjesë e gjeneratës së parë të regjisë së teatrit në Universitetin e Tetovës. Pjesë e botës artistike, aktivisht është bërë në moshën 13-vjeçare, me poezi, prozë dhe tregime, andaj edhe në vitin 2016 u kurorëzuan me çmimin e tretë për prozë nga Komuna e Tetovës. Ka qenë organizator edhe i manifestimit “Poetry Slam”. Ai është marrë edhe me fotografi dhe për të tashmë është certifikuar.

Në artin teatror hapat i parë i ka si aktor, deri sa ka marr pjesë në shfaqje gjatë arsimit të mesëm, por është sfiduar edhe në regji të filmit, duke krijuar edhe dy filmat “Tinder date gone wrong” dhe “The third Wheel”. Gent Mehmeti si student ka inskenuar shfaqjen “Këngëtarja Tullace” nga Eugene Ionesco – shfaqje që për tematikë ka distancimin e shoqërisë nga realiteti.

Portalb: Pse zgjodhe të studiosh pikërisht regjinë e teatrit?

Gent Mehmeti: Të regjistrosh një profesion që ka të bëjë me të gjitha fushat e artit, nuk është aspak e lehtë, veçanërisht kur jemi të rrethuar nga një botë idiote që nuk din të dallojë të bardhën nga e zeza, më saktë të dijë të shoh dhe të dallojë të bukurën. Ka shumë arsye dhe faktorë që më shtynë drejt këtij profesioni të shenjtë siç është regjia. Qëllimi im ka qenë dhe gjithmonë do të jetë, një hap drejt të ardhmes dhe ndryshimit të mentalitetit në vendin ku ne jetojmë. Sepse është më se e dhimbshme kur shoh që fëmijët që nuk e dinë se ç’është teatri.

Regjia – urë lidhëse mes gjithçkaje që ka të bëj me art

“Unë do të kisha lidhur gjithçka me regjinë dhe teatrin sepse vërtet regjia është një urë lidhëse mes gjithçkaje që ka të bëj me art. Dhe kjo me të vërtet që të jep mundësinë  të shfaqësh ngacmimet tua”, tha Gent Mehmeti.

Portalb: Cilat janë vështirësitë që ju si gjeneratë e parë e regjisë i keni pasur gjatë studimeve?

Gent Mehmeti: Grupi ynë si gjeneratë e pare në Maqedoni ka pasur gjithmonë probleme me kushtet për të punuar. Nga fillimi i studimeve në UT ne hasëm me mbyllje portash dhe mbyllje të hapësirave për punë. Kishte momente kur gjatë pushimeve ne kishim nevojë për të punuar me aktorët, dyert mbylleshin dhe nuk na lejohej të punojmë vetëm se dikujt nuk i kishte ënda të hapë dyert dhe të shikojë dikë që punon. Kemi pasur problem gjithmonë në këtë drejtim për sa i përket kushteve për punë, por ne gjithmonë ia dolëm mbanë me njëri – tjetrin, sepse jemi familje. Jemi munduar të gjejmë hapësira për të punuar, kemi punuar edhe në vende publike.

Gjeneratat e para – eksperimente shoqërore

Gent Mehmeti deri sa flet për grupin e regjisë: Unë nuk e shoh si mangësi këtë gjeneratë, sepse gjithmonë gjeneratat e para dalin më shumë si eksperimente, sepse shoqëria ende nuk është gati të pranojë diçka të re në rrethin ku jetojmë. Por besoj që me kalimin e kohës çdokush do të dijë se çfarë është teatri.

Leximi të shtyn drejt imagjinatës dhe të nxjerr nga mikrouniversi

Gent Mehmeti duke folur për rëndësinë dhe efektin e të lexuarit: Leximi është pika kyçe e njeriut në rrugë për t’u bërë njeri. Të shtynë drejt imagjinatës dhe portës për të dalë nga mikrouniversi, e për të hyrë në një makrounivers ndryshe nga ky u yni. E imagjinata është më e rëndësishme se dija.

Me vullnetin që pas fakultetit të punojë shumë rreth regjisë, shfaqjeve teatrale dhe të prek çdo fushë të artit, Gent Mehmeti shprehu dëshirën e madhe që në të ardhmen ta inskenojë veprën “Lisistrata e Aristofanit”, me përmbajtje të politikës aktuale, të drejtave të njerëzve dhe shtypjes së zërit të gruas, Gent Mehmeti tregon ëndrrën e tij prej regjisori

“Kjo temë më ngacmon më shumë se çdo gjë tjetër në këtë kohë”, përfundoi portretin e tij Gent Mehmeti.

Gent Mehmeti, student i gjeneratës së parë të regjisë në UT

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button