Roman mbi tragjizmin dinjitoz të së shkuarës

Faik Konica, ndoshta krijuesi më erudit që ka pasur ndonjëherë kultura jonë, i porosit shkrimtarët që t’i nisin veprat me fjali të bukura, të qarta dhe koncize, sepse, po nuk ia dolën ta përvetësojnë lexuesin që me rreshtat e parë, mund t’u shkojë huq i tërë shkrimi, e tërë vepra.

Fatmirësisht, romani Rrugëtimi i një Vigani i shkrimtarit Agim Sylejmani nuk vuan nga cenet për të cilat shkruan Konica. Shi për këtë e lexova me një frymë dhe mund të them se është fjala për një vepër interesante narrative të shkruar nga një dorë e sigurt, me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, me përshkrime mbresëlënëse që e bëjnë lexuesin për vete.

Vepra është në fakt jetëshkrimi i letrarizuar i një heroi real, portreti i martirit liberator, rrëfimi tronditës i jetës, bëmave dhe vdekjes së njërit prej militantëve më të paepur të çështjes kombëtare – Rexhep Malës, heroit me të cilin autori ka ndarë bukën e hidhur të holokaustit serb, ka bërë shkollat e celulave të para të luftës çlirimtare të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu i etnisë.

Në këtë vepër letrare monografike, autori fokusohet jo vetëm në anët e jashtme të një periudhe delikate historike, por edhe në botën e brendshme të personazhit të martirizuar për idenë e lirisë. Përmes mekanizmash estetikë ai rindërton tragjizmin dinjitoz të së shkuarës, mbështetet në planin historik, prej nga huazon fragmentet më domethënëse me synimin e reliefimit të realitetit të përfytyruar artistik.

Romani shpërfaq transformimin e personazhit në ideolog kombëtar, që i vë në veprim idetë e tij, i ndërgjegjshëm se pas aktesh të këtilla do të pasojnë ndëshkimet më shtazarake që ka pjellur pjesa e errët e mendjes njerëzore.

Agim Sylejmani ka rrokur në total jetën dhe bëmat e një heroi përmasash epike, që nga lindja e gjer në ditën e rrënies së Tij heroike. Ndërmjet këtyre dy kohëve (lindjes dhe vdekjes vertikale të Rexhepit, bashkë me vëllain e idealeve Nuhi Berishën), autori hedh dritë mbi epopenë që rezultoi me pavarësinë e Kosovës; mbi sakrificat e kreshnikëve të një kohë-hapësire të ngarkuar me ngjarje të mëdha – ndoshta të kohës më heroike në historinë prej golgote të Kosovës; sjell pasazhe mbi stinët e burrnimit të kryepersonazhit nëpër katrahurat e aksioneve për mbledhjen e armëve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit; momentet e inkuadrimit të tij në lëvizjen kombëtare; kalimet e rrezikshme të kufijve të dhunshëm shqiptaro-shqiptarë për nevojat e organizimit të luftës së armatosur; aktivitetet në ekzil, akcionet e para serioze antisllave, nga koha e mbetjes së Kosovës nën kthetrat serbe  etj.

Krejt spontanisht dhe me sensin e një krijuesi të mirëfilltë, Agim Sylejmani ka inkuadruar brenda temës bosht të romanit të tij të parë edhe linjën e dashurisë së sinqertë ndërmjet Rexhepit dhe Hanifes – bashkëshortes dhe bashkëluftëtares besnike, e cila për asnjë moment nuk u tund dhe nuk kërkoi nga i shoqi të braktisë udhën e aktiviteteve atdhetare, ta zëvendësojë atë udhë idealesh liridashëse me jetën e patrazuar familjare, duke mbyllur sytë e duke u pajtuar me jetën qençe të robit.

Ajo, njësoj si Rexhepi, e dinte se nuk ka mirëqenie dhe rehati personale në stinët kur rrënohen mizorisht ëndrrat për një atdhe të lirë, kur të merret e drejta për të qenë zot në vatrën e të parëve tu, kur grimcohet gjithanshëm substanca etnike, kur dhunohet shtazërisht fati i njerëzve të farës, të gjakut dhe të gjuhës tënde…, shkaqe këto që e nxitën Heroin të  përcaktohet herët për udhët violente të fitimit të lirisë, në një kohë kur shumëkush nunurisej përjermshëm me floskulat e bashkim-vëllazërimit realisht të pamundur ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve, ndërmjet pushtuesve dhe të pushtuarve, ndërmjet xhelatit dhe viktimës. Ai e kuptoi që në rini të hershme se liria nuk falet, sepse atë ta uzurpon pushtuesi, armiku – ai që do tapinë e shtëpisë tënde. Si mund ta shihte ndryshe realitetin e hidhur ky djalë inteligjent, i rritur në gjirin e një familjeje dhe një etnie të zhuritur me shekuj për dritën e Diellit, kur para vetes kishte një histori të tërë përplot tragjedi apokaliptike, kishte vullnetet e tradhëtuara dhe të shtypura dhunshëm me fuqinë e hekurit dhe barotit të çetave të Shaban Polluzhës, tragjeditë e Tivareve dhe Sremeve, ku shqiptarët qenë shndërruar në mish për artilerinë e çakenjve shkije, golgotat e shpërnguljeve masive, të dhunshme e tinëzare, të përgatitura prej armiqsh të përbetuar, tmerret e goli-otokëve dhe kazamateve sllave ku hynin për t’mos e parë kurrë më dritën e diellit bijtë më të zgjedhur të kombit e kështu me radhë dhe pafundësisht kështu.

Parë nga aspekti i llojit, Rrugëtimi i një Vigani është roman realist, me epërsi të dukshme të dokumentares ndaj fikcionit, të cilit nuk mund t’i shmanget plotësisht asnjë krijues letrar. Ai është në vazhdën e romanit shqiptar të traditës, me heronj të jetës reale, me fabul të rregullt, me kronologji të përpiktë ngjarjesh të rëndësishme, me diskurs të përshtatur me natyrën e lëndës romaneske historike.

Nëse do të përpiqeshim ta kategorizojmë mirëfilli aty ku e ka vendin, gjithnjë duke u mbështetur në teoritë e Hegelit dhe të Llukaçit, vepra në fjalë mund të inkuadrohet natyrshëm në tipin e romanit ep të kohëve moderne, duke qenë se autori gërsheton me sukses elementet tipike për epin me ato të romanit: shpërfaq të kaluarën historike nga distanca kohore dhe njëkohësisht vë në qendër individin, të cilin lexuesi e ndjenë si bashkëkohës.

Shprehur me termet e Gëtes romani i Agimit rezulton të jetë ep subjektiv, biografi e letrarizuar, fillet e së cilës i gjejmë që në romanet mesjetare mbi Lekën e madh, që në prozat narrative të Rilindjes së madhe evropiane…

Pra: tipologjikisht Rrugëtimi i një Vigani, që si shprehje i takon traditës poetike shqiptare, është i rradhitshëm ndër romanet biografikë, kurse tematikisht ndër romanet historikë, me një narrator që zhbiron me sukses edhe botën intime të personazhëve.

Autori me ndërgjegje të plotë nuk u shmanget tipareve të romanit tradicional dhe nuk përfill eksperimentet moderniste: akademizmin, artizmin artificial, simulimin, montazhin e pjesëve me stile të ndryshme, me tipa të ndryshëm narratorësh, me gërshetime stilesh, llojesh, zhanresh letrare, me rrëfim vetjesh të ndryshme, me botë reale e fantastike njëherësh…

Fare në fund, dua të them se akti i botimit të këtij romani kushtuar Prometeut me zjarin në shpirt – simbolit të sakrificës dhe krenarisë kombëtare, zgjatimit të forcës së brendshme të etnisë dhe të vrulleve liridashëse…,  flet për pjekurinë e etnisë sonë, sepse, më në fund kemi nisur të dokumentojmë të kaluarën, të skalitim e të pavdekësojmë personalitetet më emblematike të asaj të kaluare, jo vetëm nëpërmjet veprave historike e kronikave të kohës, por edhe me vepra letrare, si kjo e Agim Sylejmanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button