Vera mashtruese

If you must do something bad, at least do it right. 

Joseph J. Tribianni

Si që afrohet fundi i pjesës së parë të vitit politik, ekipet e rraskapitura kundërshtare në skenë i bëjnë përpjekjet e fundit që të lënë rezultat sa më të favorshëm me të cilin do të siguronin pozita më të mira fillestare në fillim të fushatës vjeshtore. Të parët i bien kryq e tërthor botës, të dytët shtetit, të tretët janë ndryshkur në një botë virtuale të vetëkënaqësisë, kurse të katërtit janë në pritje që votuesit t’u shkojnë në shtëpi. Në ndërkohë, në tribuna, në vend të dallgëve të tifozëve gjithnjë më shumë dëgjohen tinguj të kotjes dhe shfletimit të katalogjeve me oferta verore për pushime të lira. Edhe pse edhe cilësimi i të lirës në gjendjen tonë ekonomike është një nocion gjithnjë më elastik dhe relativ, që shtrihet mes legenit dhe Dojranit. 

Vështruar prej anash dhe në bazë të ofertës, ajo që megjithatë mund të jepet si një përfundim i kujdesshëm është që ngadalë, por sigurt, po bëhet një nivelizim i pozitave fillestare parazgjedhore. Derisa pushteti gjithnjë më fuqishëm po i mban në duar megafonat, opozita gjithnjë më qartas po e artikulon zërin e pakënaqësisë. 

Por, artikulimi i pakënaqësisë në një mjerim të këtillë të zhveshur ekonomik dhe në mungesë të këtillë të perspektivës edhe nuk është ndonjë e arritur e madhe, dhe mund të japë indikacione joshëse, por megjithatë të rrejshme të popullaritetit. Aq më tepër që luajtja e tepërt në letrën “shikoni sa keq është” mund të ketë edhe kundër-efekt të deprimimit të mëtutjeshëm të votuesit, të shtypur nga (o)pozita dhe deri në palcë të bindur që nuk ka zgjidhje, nuk ka dalje e madje as dobi prej votimit. Prandaj, derisa politika e megafonave është e orientuar drejt fitimit të besimit të toptan votuesve nëpërmjet projekteve megalomane, porosia e opozitës duhet patjetër t’i ketë në shënjestër nevojat personale dhe familjare dhe dëshirat njerëzore të qytetarit, dhe në këtë mënyrë ta largojë atë prej tingujve hipnotizues të burive qeveritare. Thënë figurativisht, derisa pushteti synon drejt veshëve të popullit, rruga opozitare për t’u kthyer në pushtet kalon nëpërmjet barkut të njeriut të zakonshëm. 

Politika e ofrimit të emrave të zëshëm si model për tërheqje të votuesve ka përparësi të padyshimta, por gjithsesi nuk është faktor vendimtar për fitore. Në fakt, shembulli më i mirë për këtë është pikërisht politika e partisë qeveritare, për të cilën duhet patjetër të pranohet që ka zhvilluar një mekanizëm thuajse të përsosur për rekrutim të personave relativisht të panjohur dhe promovim të tyre mjaft të suksesshëm politik. 

Nga ana tjetër, si shembull negativ për raportin e tillë është premtimi i z. Menduh Thaçit që nëse fiton do të vetë-emërohet për nënkryetar të qeverisë së re. Edhe pse ai e dha këtë deklaratë për ta theksuar gatishmërinë e tij për të marrë përgjegjësi personale, z. Thaçi harron që në veshët e shqiptarëve ajo megjithatë më shumë është interpretuar si vazhdim i politikës së harmonizuar lokaliste BDI-PDSH sipas së cilës pozitat e nënkryetarit janë privilegj ekskluziv vetëm i shqiptarëve nga Tetova ose Zajazi. Padyshim, me një qasje të tillë PDSH-ja prej startit nuk do të mund të presë çfarëdo qoftë përkrahjeje të konsiderueshme në Shkup, Kumanovë, Strugë, etj. 

Komponenti i dytë i rëndësishëm që mungon ose është i pavënë re ose pamjaftueshëm i artikuluar nga ana e opozitës ka të bëjë me raportin e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Anash refreneve të pranuara përgjithësisht të përcaktimeve për integrime euro-atlantike dhe bashkëpunim rajonal, parashtrohet pyetja se sa seriozisht i ka marrë parasysh opozita (madje edhe sa i ka përfshirë në strategjinë e vet) qëndrimet jo gjithmonë transparente të faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë.  

Që nga fundi i dekadës së kaluar, përcaktimi dominues politik i një pjese të mirë të këtyre faktorëve është që duhet të bashkëpunohet me fuqitë vendase të cilat ofrojnë stabilitet dhe i kontrollojnë rrymat më radikale në shoqëri. Një vështrim krejt sipërfaqësor i gjendjes politike në rajon, duke e përfshirë edhe atë te ne, jep një shembull të përshtatshëm për raportin e tillë, në të cilin nuk ka tepër – ose nuk ka aspak – hapësirë për sentimente ndaj atyre që janë të moderuar dhe progresivë. Politika e tillë shkatërruese e këtyre faktorëve shkurt-pamës, të ngopur me paletën e pafund të problemeve nga Ballkani, e ushqen dhe e nxit populizmin dhe nacionalizmin në rajon, dhe njëkohësisht ua mundëson atyre t’i fitojnë zgjedhjet në llogari të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë dhe bashkëpunimit rajonal.  

Filozofia e tillë e imponuar që “djathtistët i zgjidhin konfliktet më lehtë” është në esencë e rrejshme dhe një arsyetim qenësisht demagogjik për mungesë së dëshirës dhe idesë si t’i ndihmohet rajonit. Sa do që tingëllojë paradoksale, opozita nuk guxon t’ia lejojë vetes luksin e të harrojë që, nëse ballafaqohet me zgjedhje mes autokracisë stabile dhe demokracisë së brishtë, një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare deklarativisht do ta përkrahë të dytën, por në mënyrë reale dhe efektive do të përcaktohet për opsionin e parë. Në fakt, mos ta gënjejmë veten, mjafton të lexohen deklaratat e fundit të ambasadorit Orav për ta kuptuar drejtimin në të cilin fryjnë erërat evropiane dhe çmimin e tregut të demokracisë në Evropën e sotme. 
Prandaj, opozita duhet patjetër të përpiqet të gjejë fjalor të përshtatshëm dhe porosi precize të adresuar kah jashtë. Një porosi e cila do ta reflektonte vendosmërinë e opozitës për të luftuar për procese vërtet demokratike, por edhe për ta emëruar fajin me emrin e vet të plotë vendas dhe mbiemrin e plotë të jashtëm për trendet e mundshme negative që do të paraqiteshin në të ardhmen. 
Në të kundërtën, politika e aktrimit të djelmoshave të butë, bashkëpunues, të parashikueshëm, gjithsesi do t’i sjellë opozitës të rrahura të panumërta të krahëve dhe vërshime të entuziazmit verbal në stilin “të lumtë, gjeneral”, por ekziston një dyshim i thellë që kjo mund të rezultojë me përkrahje serioze prej jashtë. Megjithatë, si edhe në dashuri, ashtu edhe në politikë, djelmoshat e mirë gjithnjë mbarojnë të fundit. 

P.S. Në ndërkohë, kombi jeton në pasigurinë e pritjes dhe mosbesimit. Kaluan më shumë se dy javë pa një takim të Uollersit me Ahmetin! C’ka s’bane vaki.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button