Portret me Ajshe Useinin: Gjenerata jonë do të sjellë frymë të re në aktrim

Ajshe Useini është njëra nga shtatë studentët e diplomuar në aktrim në Universitetin e Tetovës. Megjithëse e sapo diplomuar, ka marrë pjesë në shfaqje profesionale, të cilat nismat i kanë me  “Tri motrat” e Anton Çehovit dhe “Ëndrra e shtatë studentëve” – shfaqje diplomë.

Ka lindur më 21 prill të 1996-s në Shkup, ndërkaq shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Gostivar ku edhe vazhdon të jetojë. Megjithëse banon në një qytet që nuk ka as teatër, Ajshe Useini dashurinë për aktrimin e ka nga filmat e fëmijërisë. Ka qenë dashuria dhe ëndrra fëmijërore, që aktrimi sot i është bërë profesion jetësor.

Ajshe Useini kujton momentin kur vendosi që aktrimi t’i bëhet profesion: Nuk mund të them se vendosa të bëhem aktore në moshën e hershme, por e di që kur shikoja ndonjë film, më ngjallej një ndjenjë e veçantë dhe gjithmonë ëndërroja të jem në vendin e atyre aktorëve që i shikoja. Në atë moshë më dukej absurde dhe e pamundur për t’u realizuar, por në vitin e dytë të shkollës së mesme unë mora vendimin që të vazhdoj me aktrimin, nuk kisha ndonjë arsye të fortë, thjeshtë e ndjenja që e dua shumë. Krijova një siguri në vete se mund ta bëj, të cilën siguri nuk e kisha kur isha fëmijë. Falë Zotit, ky është vendimi më i mirë që kam marrë në jetë.

“Ëndrra e shtatë studentëve” – hap drejt profesionalizimit si aktore

Përveç shfaqjeve – provimeve të fakultetit, kam marrë pjesë edhe në shfaqje profesionale si “Vdekja e Dantonit”, vepër e George Buchner në regji të Dino Mustafiç e Teatrit Shqiptar të Shkupit. Pjesëmarrja në këtë shfaqje për mua ishte nder, pasi që mësova shumë për profesionin tim dhe u kënaqa jashtëzakonisht. Si shfaqje profesionale mund ta konsideroj edhe “Ëndrrën e shtatë studentëve”, ku konsulent artistik ishte Qëndrim Rijani, ngaqë me të ne nisëm hapat drejt profesionalizimit dhe na u dha mundësia që të tregojmë se kush jemi dhe çfarë kemi mësuar gjatë këtyre katër vitesh studime, duke nxjerrë në pah edhe atë se çfarë ne mund t’i japim skenës në të ardhmen.

Ëndrra e Ajshe Useinit – të sjellë frymë të re në aktrim

Kam ëndërr dhe shpresë që një ditë do të luaj vepra të mëdha me aktorë të mëdhenj botëror, por ëndrra që e kam për momentin, është që ne – rinia t’i sjellim një frymë të re profesionale vendit tonë, sepse ka shumë nevojë, e kurse gjenerata jonë ka potencial për ndryshime të mëdha, si në vend, dhe në rajon.

“Punë, punë dhe vetëm punë. Nuk ka rëndësi ku, si dhe çfarë, mjafton të jem e angazhuar me aktivitete që i përkasin profesionit tim”, rrëfehet plot energji për të ardhmen e saj aktorja, Ajshe Useini.

Portalb: Pse duhet një regjisor të të marrë në shfaqje?

Çdo njeri është unik, por për fat të keq, në këtë kohë është vështirë të ruhet ajo, për shkak se dinamika e jetës i bën njerëzit të ngjashëm me njëri – tjetrin. Unë gjatë jetës sime jam përpjekur që ta ruaj atë brenda vetes, dhe mendoj se kjo është njëra ndër arsyet se pse një regjisor duhet të më angazhojë në projekte. Pastaj, unë jam shumë e re në këtë profesion, dhe mendoj se kam edhe shumë për të mësuar dhe për të dhënë në skenë.

“Nuk mund të përcaktohem për asnjë zhanër, për shkak se më pëlqejnë shumë të gjitha. Për mua më me rëndësi do të ishte teksti dhe ekipi me të cilin punoj”, shprehet Ajshe Useini derisa flet për llojin e shfaqjeve që do t’i luante në skenë.

Formimi i klasës së regjisë – përfitim për studentët e aktrimit

Ajshe Useini deri sa flet për përvojën e marrë si studente: Jam shumë e lumtur që pjesë e fakultetit u bë edhe klasa e regjisë, dhe do të doja të shpreh mirënjohjen ndaj tyre, sepse falë bashkëpunimit me ata, dhe aktiviteteve të përbashkëta në provime, ne si aktorë u çliruam maksimalisht dhe u bëm të sigurt gjatë punës në skenë, pa pasur nevojën e ndihmës së profesorëve. Kjo ka bërë që ne të fitojmë përvojë, dhe të krijojmë familje të madhe prej atistësh, gjë që ju ka munguar gjeneratave para nesh.

Portalb: Diçka për lexuesit?

Ajshe Useini: Gjatë studimeve kam pasur fatin të mësoj shumë, qoftë mbi profesioni, por edhe për jetën në përgjithësi. Ajo çfarë kam arritur të kuptoj, dhe që më ka ndihmuar të eci përpara, është se: “Dashuria ndaj diçkaje, vullneti dhe puna nuk të lënë kurrë në baltë, pa marrë parasysh vështirësive që mund t’i hasim rrugës”.

“Nëse e ndjen se mundesh dhe e do këtë profesion me shpirt, atëherë duhet patjetër të vazhdon, përndryshe do të ngelet peng gjatë gjithë jetës. Çdo arsye tjetër jashtë dashurisë dhe pasionit ndaj këtij profesioni, do të dëmtonte rrugëtimin e gjetjes së vetes”, kjo ishte këshilla që aktorja Ajshe Useini ia dha çdo maturanti dhe me të cilën përfundoi portretin e saj.

Ajshe Useini, aktore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button