Shpallen përmbledhjet me poezi në garë për çmimin “Vëllezërit Miladinovci”

Edicioni i 57-të i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë (MSP) që do të mbahet nga data 22 deri më 27 gusht në Strugë, do të mbajë konceptin e vjetër programor i cili ka pësuar ndryshime përmbajtësore në të kaluarën, me qëllim që të ftojë poetë të njohur botërisht të cilët do t’i prezantohen publikut gjatë netëve të festivalit. Këtë e deklaroi të mërkurën drejtori i MSP-së, Mite Stefoski, i cili bashkë me kryetaren e Këshillit drejtues të festivalit, Elizabeta Shelleva, shpalosi detajet rreth edicionit të sivjetshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i festivalit të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, Mite Stefoski tha se për dallim nga viti i kaluar, ku kishin synuar të prezantojnë emra të shquar të poezisë, edicioni i sivjetshëm do të karakterizohet nga larmia e poezive, një fokus nordik i cili përputhet edhe me fituesin e çmimit Urat e Strugës, por edhe poetë nga të gjitha kontinentet, që mbetet një parim gjatë dërgimit të ftesave për pjesëmarrje.

Ai tha së pesë përmbledhje me poezi janë përzgjedhur në rrethin më të ngushtë për çmimin “Vëllezërit Miladinovci” për vitin 2018, nga të cilat do të shpallet poezia fituese.

Çmimi ndahet nga MSP për librin më të mirë poetik në gjuhën maqedonase në mes dy festivaleve.

“Këtë vit në garën për çmimin janë librat: “Pantomima Qiellore” nga Zoran Ançevski, “Nën siken e Dervishit” nga Andrew Al Asadi, “Zërat” nga Jordan Danilovski, “Lermë të përfundoj lojën” nga Jovica Ivanovski dhe “Flutura prej hiri”, nga Suzana V. Spasovska”,tha Stefoski, sipas të cilit juria ka përzgjedhur këta pesë libra nga gjithsej 41 sa ishin në konkurrencë.

Ai njoftoi se vendimi i jurisë për çmimin do të shpallet në një konferencë për mediat gjatë mbajtjes së festivalit.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të festivalit, Elizabeta Shelleva, tha se fitues i sivjetshëm i çmimit Kurora e Artë e Poezisë është poeti polak Adam Sagajevski, për të cilin tha se krijon poezi e cila merret me gjërat më dramatike që lidhen me çështjet ekzistenciale të njeriut, siç janë shpërngulja, palëkundshmëria, dhe çështja e kuptimit të ekzistimit.

Mbrëmjet Strugane të Poezisë fillojnë të mërkurën e ardhshme me mbjellje të një peme në Parkun e Poezisë në nder të fituesit të mirënjohjes më të lartë “Kurora e artë” për vitin 2018, Adam Zagajevski, ndërsa pjesë e festivalit janë edhe leximet poetike, poezia në rrugë, simpoziume, homazhe, mbrëmje pa shenja pikësimi…

Çmimi prestigjioz “Kurora e artë” Zagajevskit do t’i dorëzohet në mbyllje të festivalit, në lexim tradicional poetik “Ura” kur do të ndahen edhe çmimet “Urat e Strugës”, që e ndajnë Mbrëmjet strugane të poezisë dhe UNESCO për librin më të mirë debutues, ndërsa fituesi i sivjetshëm është Pauli Tapio nga Finlanda.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button