Një vjet nga shkarkimi i Zvërlevskit, çfarë po bën Joveski?

Mozbulimi i porositësve të dhunës së 27 prillit dhe rikualifikimi i lëndës së Almir Aliut – këto janë dy rastet për të cilat kryeprokurori, Lubomir Joveski ka marrë kritika në opinion në punën e deritanishme, nga i cili pritej që të sjellë frymë të re reformuese dhe de-politizuese në Prokurorinë Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, shkruan Portalb.mk.

Sot mbushen një vjet prej kur u largua kryeprokurori që e quajtën marionetë të mafies, Marko Zvërlevski. Me ardhjen në pushtet të LSDM-së, Qeveria e Maqedonisë propozoi shkarkimin e Zvërlevskit i cili njihej si prokuror i afërt me partinë e VMRO-DPMNE-së dhe njëkohësisht propozoi për prokuror të ri, 63 vjeçarin Lubomir Joveski, nga i cili pritej shumë që të bëjë reforma në Prokurorinë e politizuar që heshte përpara krimeve të pushtetarëve.

LEXO: Shkoi në histori “marioneta e mafies” Marko Zvërlevski (FOTO+VIDEO)
LEXO: Lubomir Joveski zgjedhet prokuror shtetëror i Maqedonisë

Nëse Zvërlevski kritikohej në opinion për refuzimin e hetimit të krimeve që dolën nga “bombat” dhe për mbrojtjen e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, por edhe për ndjekjen pa dëshmi në rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, Joveski në opinion u kritikua për mosgjetjen e porositësve të dhunës së përgjakshme në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017, ku u rrahën deputetë dhe gazetarë, si dhe për rikualifikimin e lëndës për rastin e Almir Aliut.

“Për 27 prillin u është dashur aq kohë që në fund Krimi i Organizuar ta zbatojë hetimin dhe është në pikëpyetje se sa është e konstatuar e vërteta. Ju e keni çështjen e porositësve, cili është ai konfirmim i të vërtetës, nëse nuk gjinden porositësit. Ndërkaq, për Almirin e vogël, u ngrit revoltë e madhe. Prokuroria është dashur që të veprojë në mënyrë tjetër pasi që ka pakënaqësi mes njerëzve. Është dashur që ndryshe të punohet”, thotë për Portalb.mk, avokati Xvonko Davidoviq.

Derisa në opinion vazhdimisht kërkohej që të gjendet se kush u dha dhunuesve urdhër që të futen brenda Kuvendit, në Shkup dhe Kumanovë, u organizuan protesta masive për rikaualifikimin e lëndës për vdekjen e vogëlushit 4 vjeçar nga Kumanova Almir Aliu. Edhe pse u publikua në opinion video ku shihej se si kryerësi i veprës, Boban Iliq, e shkeli me makinë Almirin, Prokuroria e rikualifikoi lëndën në “aksident trafiku me pasoja vdekje” dhe si rezultat i kësaj, Iliq nuk u akuzua për vrasje, por për aksident, me çka dhe mori vetëm 6 vjet burg. Gjatë procesit gjyqësor pati shumë parregullsi, ku mes tjerash ishte dhe skandali ku Prokuroria i pranoi si dëshmi ekspertizat e ekspertëve pa licencë.

LEXO: Fshehja e 90 sekondave: Kur prokurori merr në mbrojtje vrasësin
LEXO: Në kohën kur priten reforma, rasti i Almirit e thellon mosbesueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit

LEXO:Maqedoni, Gjykata e Kumanovës ka bërë shkelje të ligjit gjatë rikualifikimit të rastit të Almiri
LEXO: Sjellja e Boban Iliq vrau edhe njëherë Almirin e vogël: ai nuk mund të gjykohet më “për vrasje”
LEXO: Bojan Iliq përshëndet familjarët e Almir Aliut me gishtin e mesëm (VIDEO)

Ndonëse Joveski, ka rezultuar raste të reja, gjegjësisht ka ngritur akuza, megjithatë në opinion ka pasur reagime për qasjen e Prokurorisë, duke e akuzuar për drejtësi selektive dhe standarde të dyfishta.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në aspektin pozitiv, Prokuroria nuk funksionon më ndryshe se nga e kaluara. Prokuroria për fat të keq as është ekipuar, nuk ka bërë hap përpara as në punën e ligjit për procedurë penale dhe mentalitetin rreth paraburgimit dhe mënyrës së veprimit të Prokurorisë. Prokuroria ka aplikuar standarde të dyfishta, drejtësi selektive, masa e paraburgimit paraqet dënim, pra gjithçka që ka qenë vërejtje përpara një viti, në raportin e fundit, janë të njëjtat vërejtje”, thotë Davidoviq.

Që nga ardhja e kryeprokurorit të ri, Prokuroria ka hapur disa hetime për ish kryetarë të komunave, por edhe funksionarë të tjerë që kanë bërë keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Raste tjera kontestuese në Prokurori

Në shkurt të vitit 2018-të, Komisioni për Antikorrupsion ka hapur dy procedura për konstatim nëse ekziston konflikt interesi gjatë zgjedhjes së prokurorëve për ndjekjen e krimit të organizuar në Këshillin e Prokurorëve.

Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, e ka kritikuar punën e Këshillit të Prokurorëve Publik, pasi që u publikua se kryetari i Këshillit ka marrë pjesë në marrjen e vendimit për zgjedhjen e mbesës së tij, që të zgjedhet për prokuror në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Ashtu siç tha Bejli, në Këshillin për Prokuror Publik ka konflikt të interesave dhe nëse ndonjë medium nuk do të ishte i guximshëm që ta shkruaj këtë, opinioni nuk do ta dinte.

Rast tjetër ishte kur, prokurorja Fidanka Rajevska ka votuar, kur pikë në rend dite ka qenë zgjedhja e koleges së saj, Lidija Raiçeviq, e cila penalisht e ndjek bashkëshortin e saj për larje parash. Ajo edhe pse ka votuar “për”, rizgjedhjen e Raiçeviqit, megjithatë, ajo nuk mori mandat të ri, pasi që Këshilli ka konstatuar se nuk ka pikë të mjaftueshme.

Kush është Lubomir Joveski?

Joveski erdhi në krye të Prokurorisë më 25 dhjetor të vitit 2017-të.

Kryeprokurori aktual, më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës nëpër lëndë penale, megjithatë edhe përskaj krimeve të shumta që znbuluan “bombat” e publikuara në vitin 2015, Joveski nuk ka hapur ndonjë lëndë për korrupsion ose krim të prolifit të lartë..

Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin Republikan për Gjyqësi të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të RM-së.

Emri i Jovevskit mbahet mend nga rasti gjyqësor për “aferën e armëve”, në të cilën ka qenë gjykatës kryesor. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë shumë shqiptarë, përfshirë edhe figura të larta politike të Partisë për Prosperitet Demokratik, të cilët kanë përfunduar në burgje, ndërsa një nga të arrestuarit edhe ka humbur jetën nga maltretimet dhe rrahjet e policisë së asaj kohe. Emri i Joveskit qëndron në dokumentet zyrtare gjyqësore nga ai proces i cili për më shumë se 25 vjet ende ka ngelur pa u zbardhur.

Në atë kohë, ashtu shkruajtën mediat policia arrestoi dhjetëra aktivistë dhe funksionarë të PPD-së, por edhe drejtues qeveritar si zëvendësministri i mbrojtjes Hysen Haskaj i cili kishte 3 muaj që kishte marrë funksionin, Mitat Emini zyrtar i lartë i PPD-së, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Tek shqiptarët ky rast mbeti i njohur si “afera e armëve” ndërsa maqedonasit e quanin “forca paraushtarake”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button