Pas 22 muajsh, QKUK do të bëhet me Spital Pediatrik Kirurgjik

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, kanë vizituar sot vendin ku po bëhen përgatitjet për ndërtimin e Spitalit Pediatrik Kirurgjik.

Ministri tha se kanë arritur ta zhbllokojnë procesin e ndërtimit të këtij Spitali, i cili, sipas tij, do të ketë rreth 100 shtretër, transmeton Kallxo.

Përfundimi i këtij Spitali është planifikuar të ndodhë pas 22 muaj pune, tha ministri.

“Një Spital Pediatrik i cili do të jetë modern dhe do të ketë pajisje moderne, do të ketë diku 100 shtretër në 10 mijë metra katrorë. Është ky donacion prej 20 milionë eurove. Është më se i nevojshëm dhe më herët kemi mbetur peng dhe nuk kemi mundur të zhvillojmë plane të tjera dhe në anën tjetër nuk ka filluar realizimi i projektit. Projekti ka 22 muaj punë, prandaj edhe sot folëm me punëkryesin se a do të qëndrojë brenda 22 muajve apo është mirë që të planifikojmë nëse do të ketë më shumë. Jemi brenda zotimit se ky projekt do të përfundojë”, ka thënë Ismaili.

Ndërkaq, Basri Sejdiu, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, tha se përmes këtij Spitali fëmijët do të kenë një trajtim më të lehtë dhe funksional.

Ai theksoi se nuk do të ndalen vetëm në realizimin e planeve nga donatorët por do të implementohen edhe investimet nga ana e Qeverisë.

“Ka nevojë mjaft të madhe sa i përket trajtimit të kirurgjisë së fëmijëve dhe përfundimi i punëve pas 22 muajve, duke llogaritur edhe infrastrukturën përcjellëse në të gjitha hapësirat e QKUK-së. Mendojmë se do të jetë një kompletim i infrastrukturës por edhe pajisjeve. Do të gjejnë një trajtim shumë më të lehtë dhe funksional. Qëllimi është se përveç donacioneve të ndjekim edhe investimet që janë edhe nga Qeveria që i kanë disa projekte të tjera”, tha Sejdiu.

Valon Lluka, drejtor i projektit të këtij Spitali nga kompania Mabetex tha se spitali do të përfundohet brenda afatit të paraparë dhe se nuk do të ketë vonesa.

“E sigurova ministrin që brenda afatit të caktuar me kontratë prej 22 muajsh ne do t’i përfundojmë të gjitha punët në mënyrë që Spitali të fillojë punën siç duhet”, shtoi Lluka.

Spitali Pediatrik Kirurgjik është donacion në vlerë prej 22 milionë eurove dhe është dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button