Kosovë, tre raste me virusin e Nilit dhe një viktimë

Në Kosovë janë regjistruar tri raste të prekura nga virusi i Nilit, ndërsa pak ditë më parë një person ka ndërruar jetë si pasojë e tij.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se, një tjetër person është trajtuar në klinikën infektive me virusin e Nilit, por pas trajtimit është kthyer në shtëpi. Lajmin për praninë e këtij virusi e ka konfirmuar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Sidoqoftë, ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë në Kosovë, që nga fillimi i korrikut, në nivel qendror dhe periferik, janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes, transmeton Top Channel.

“Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes”, kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Virusi i Nilit Perëndimor është një infeksion viral i përhapur në mënyrë tipike nga mushkonjat. Në rreth 75 për qind të infeksioneve, njerëzit kanë pak ose aspak simptoma.
Plot 17 të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Europës. Kështu bën të ditur Qendra Europiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, në Serbi janë shënuar 9 të vdekur, 3 në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë. Në vitin 2010, në Greqinë fqinje, virusi i Nilit u shfaq në formë epidemie, duke prekur me qindra persona e duke u marrë jetën 35 vetëve, kryesisht mbi moshën 60 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button