Shqiptarët dhe aktualiteti politik në Maqedoni

Në vitet e para të demokracisë dhe pluralizmit edhe shqiptarët në Maqedoni kanë qenë më unikë. Për çështje të rëndësishme janë ulur bashkë në tavolinë, kanë debatuar, kanë marrë qëndrime dhe me vendosmëri i kanë kundërshtuar disa projekte politike të shtetit që janë vlerësuar si të dëmshme për popullin shqiptar (për aq sa kanë ditur dhe mundur), si referendumin për pavarësinë e Maqedonisë (1991), regjistrimin e popullsisë pa standarde dhe mbikëqyrje ndërkombëtare (1991), hapjen e një fakulteti pedagogjik sa për t’ua zënë sytë shqiptarëve, si dhe projekte të tjera.

Ndërsa sot, shqiptarët nuk janë të bashkuar, nuk janë unikë, por janë të përçarë, si mes partive politike, mes intelektualëve, bashkësisë akademike, sektorit civil, edhe si qytetarë.

Mësimi nga e kaluara: Tufën e shkapërderdhur dhe pa bari mund ta coptojë edhe ujku i dobët para ngordhjes.

Disa çështje duhet t’i kemi të qarta të gjithë:

  1. Rrethanat aktuale nuk lejojnë që secilit që i kujtohet të jep ultimatume, të bëjë thirrje në emër të qytetarëve shqiptarë, as për e as kundër referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni, kinse për mbrojtjen e interesit kombëtar.
  2. Për çështjet me interes të përgjithshëm mund të vendosë vetëm shumica, në pamundësi të tjera dhe mungesë të shtetit, në forume me përfshirje sa më të gjerë, ku mund të debatohet hapur, të merren qëndrime dhe të sillen vendime.
  3. Liria e fjalës dhe e mendimit ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, që nuk duhet t’i mohohet askujt, por kjo nuk nënkupton se çdo individ ka të drejtë ekskluzive, sado i autoritetshëm të jetë ai, apo një grup joformal të vendosë për fatin e shumicës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni. Mbetemi me shpresë se këtë do ta respektojnë disa individë në të ardhmen, përndryshe, qëndrimet e tyre nuk do të vlerësohen si qëllimmira dhe të dobishme për shqiptarët në Maqedoni.
  4. Deklarata e përbashkët e partive politike parlamentare të shqiptarëve përmban edhe një pikë të rëndësishme të cilën duhet ta respektojnë këto subjekte nënshkruase të saj, me organizimin e tryezës së përbashkët, e cila mund të sjellë vendime në interes të përgjithshëm, por jo si të vetme pa mendimin edhe të subjekteve të tjera, sektorit civil dhe bashkësisë akademike. Në mungesë të funksionimit të këtij mekanizmi për unifikimin e qëndrimeve politike të shqiptarëve, çdo apel në emër të subjekteve të veçanta duhet të konsiderohet si qëndrim partiak, i njëanshëm, i pavlerë dhe i dëmshëm për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni.
  5. Mediat në gjuhën shqipe, pavarësisht nga qëndrimet e themeluesve dhe financuesve të tyre, porosive nga organet e pushtetit apo subjektet politike, nëse e mbështesin ndonjërin prej tyre, duhet të jenë tepër të kujdeshme dhe të matura në këto momente vendimtare, të mos jenë të njëanshme, por të informojnë drejtë dhe në mënyrë transparente, siç është më mirë dhe më e dobishme për interesin e përgjithshëm, për shumicën e shqiptarëve.
  6. Përpara ngjarjeve të rëndësishme siç është referendumi i 30 shtatorit të këtij viti, të gjithë duhet të kontribuojnë që të mos përhapet defetizëm, mosbesim, përçarje, pasiguri, paqartësi, konfuzion, plogështi, heshtje, mosorganizim, me këtë t’u lejohet hapësirë e mjaftueshme propagandave të huaja të krijojnë opinione, të vendosin për fatin e shqiptarëve, sikur këta të jenë jetimë e pa të zot.
  7. Heshtja ndër shqiptarët, amullia, defetizmi, besimi i gabuar se ka kush i përfaqëson, se ka kush paguhet për këto çështje, nuk guxon të vazhdojë edhe më tej ndër shqiptarët, as për një ditë të vetme, meqë kësaj radhe bëhet fjalë për interesa strategjike kombëtare afatgjata, për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit, për demokracinë dhe shtetin ligjor që na mungojnë të gjithëve, për progresin shoqëror dhe perspektivën tonë të përbashkët, për të ardhmen tonë dhe të gjeneratave që do të vijnë pas nesh.
  8. Askush, thjeshtë askush, as qeveria, as partitë politike, jo më një individ, një grup joformal, medium, apo çfarëdo autoriteti, nuk guxon të merr qëndrime dhe të vendosë për fatin e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni, pa vullnetin, mendimin, vlerësimin dhe vendimin e shumicës, sipas rregullave demokratike, në frymën pluraliste, si edhe të traditës sonë kombëtare.
  9. Secili mund të jetë zot në familjen dhe shtëpinë e tij, në pronën e tij private, jo edhe mbi fatin e një popullit të tërë, sado që mund të thirret dikush në mandatin e rrejshëm, nga vitimet e falsifikuara, për të cilat nuk kanë vendosur shumica e shqiptarëve, por ka vendosur pushteti, të cilit edhe kësaj radhe disa mundohen t’i shërbejnë me devotshmëri, duke i dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve.
  10. Për, ose kundër referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni, mund të vendosë vetëm shumica, në bazë të parimeve të njohura demokratike, me vullnetin e tyre të lirë dhe përmes debatit konstruktiv, përmes një tryeze të përbashkët ku do të merrnin pjesë shumica e subjekteve dhe faktorëve relevantë të shqiptarëve, e cila kësaj radhe patjetër duhet të organizohet.

Edhe kjo nuk është e mjaftueshme, por është rruga e vetme dhe e domosdoshme që u imponohet shqiptarëve në Maqedoni në këto rrethana, në mungesë të mekanizmave të tjerë demokratikë dhe qytetërues të vendosin lirisht për fatin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button