SHPIRTRAT E LIRË

I quajmë “zgjatime” ata që janë sajuar vetëm që të marrin urdhra. Urdhra nga autoritetet politike, klanore, sektare. Zgjatimet nuk janë subjekte, por objekte. Janë mediume që përcjellin mesazhet e dërguesve. Reagojnë, sikurse aparaturat, me shtypje suste. Bëjnë atë që u thuhet dhe u urdhërohet. Nuk janë “unë”, por janë “ne”. Nuk ndjejnë nevojë të mendojnë, sepse udhëhiqen nga koka të tjera…

Në këtë botë ka njerëz të cilëve u mjaftojnë gradat dhe ca thërrime që ua japin njerëzit e prapaskenës. Ka të tjerë që s’kanë nevojë për grada, por kanë pushtet. Ata rijnë në hije, në natë, kurse në dritë i ekspozojnë zgjatimet e tyre. Ka të tjerë që nuk u ngjajnë as të parëve, as të dytëve. Këta janë shpirtrat e lirë, që nuk duan të jenë pjesë e korrelacionit të përhershëm ndërmjet robit dhe padronit.

Shpirtrat e lirë ngrihen kundër sistemeve të ndryshme dhe autoriteteve politike. Zakonisht s’mund të organizohen si avangardë apo të funksionojnë në grupe. Udhëhiqen nga zëri i një engjëlli apo djalli që banon në zemrën e tyre. Janë udhëtarë të vetmuar që klithin në shkretëtirë. Janë cinikët e kësaj bote dhe preja e obsesioneve të tyre. Derisa gradat, pushteti, karriera, veshjet e stolitë janë gjithçka për zgjatimet, për shpirtrat e lirë nuk kanë domethënie të veçantë. As veshjet më të bukura, as stolitë më shkëlqimtare, as lukset shikimhumbëse, nuk mund ta fshehin shëmtinë e zemrës dhe shpirtit.

Shpirtrat e lirë janë subjekte. Nuk i japin përgjegjësi as vetvetes dhe jo më të tjerëve. Nuk kanë frikë nga marrëzia derisa shtegtojnë drejt një shkretëtire të pafundme apo drejt një nate të errët. Ata nisen dhe besojnë se ka një ishull që i pret, një ishull që mund të jetë edhe e Ardhmja. Brenda tyre këndon Demiurgu, kurse kënga e Tyre është jehonë e qiellit.

Shpirtrat e lirë nuk vetëkufizohen brenda kuadrateve të programeve apo kornizave që i sajojnë autoritetet, klanet, sektet. Ata nuk janë kundër politikës. Njeriu mendon për lirinë kur bëhet qenie politike. Megjithatë, njeriu nuk do ta gjejë asnjëherë lirinë jashtë tij, nëse nuk i ka çliruar zogjtë nga kafazi i shpirtit të tij.

Dhe Profeti foli: “Po deshe të përmbysësh një dhespot nga froni, pa sigurohu më parë se ke rrënuar fronin e tij brenda teje. Ndaj, si mund të mbretërojë tirani mbi të lirët dhe krenarët, veçse me tiraninë e lirisë dhe turpin e krenarisë së tyre?”.

Shpirtrat e lirë kanë shumë dilema, pluralitete, trazime e kundërthënie përbrenda tyre. Qenia e tyre njeh vetëm lirinë dhe nuk  pranon kufizime. Shpirtrat e lirë e kërkojnë lirinë brenda vetes. Nëse janë të kufizuar së jashtmi, ata janë të pakufizuar së brendshmi. Ndryshe nga guacat e lumtura (zgjatimet), shpirtrat e lirë janë të shqetësuar, sepse mbajnë brenda vetes një perlë, siç na flet Gjibrani. Ata falin shumë, kërkojnë shumë nga vetvetja dhe pak nga të tjerët. Ata e dinë se dashuria dhe liria e “kanë selinë në zemrën e njeriut”. Duke falur i japin kuptim jetës. Duke falur i njohin gjërat që janë të tyre. Ata e falin dashurinë kudo, sepse e dinë që nuk harxhohet. Nositi merr nga vetja dhe u jep të tjerëve. Nëpërmjet dhembjes i krijon kënaqësi vetes dhe ushqen të tjerët…

Ke parë njerëz që klithin nga gëzimi kur u ofrohet një udhë për të dëshmuar pushtetin ndaj të tjerëve. Ata i ushqen hakmarrja. Brenda tyre janë të zgjuar xhelati dhe despoti. Ke parë njerëz indiferentë në vuajtjen e tjetrit. Ke parë njerëz që nuk do të ishin ngopur as me gjithë thesaret e botës. Ke parë njerëz që e përçmojnë çmendinë krijuese. Ka mijëra vjet që shumica e njerëzve nuk mund të bëjnë bilance ndërgjegjeje. Me ta të ndan një mur kohe.

Shikoni sallat apo stadiumet plot me njerëz! Do të koten ngrehinat e betonta edhe pas qindra vjetësh. Do të koten të lodhura nga pesha e rëndë. Pyeteni veten a do të mbetet ndonjëri prej spektatorëve pas njëqind vjetësh?

Shikoni parlamentet, qeveritë, shtëpitë luksoze! Do të mbeten aty e do të koten në indiferencën tyre. A do t’i shpëtojë banorët e këtyre ngrehinave luksi e kamja?

Do ikin dhe ata, ashtu sikurse do ikim të gjithë. As Zeusi fatit s’mundi t’i ikte. Iku dhe Hermesi, ky zgjatim hyjnor, që mbartte me shekuj një kumt të zi si nata. Iku dhe Prometheu që nuk e ndërroi dhimbjen e tij me mjerimin e zgjatimeve. Disa ikin përgjithmonë dhe pa bërë bilance ndërgjegjeje. Disa për t’u rikthyer si formë tjetër ekzistenciale.

Ja kështu mendojnë shpirtrat e lirë, që lënë shumëçka pas vetes…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button