Portret me Shpresa Hashimin: Aktrimi është mjet për të thyer paragjykimet, sidomos ndaj femrave

“Një maturant duhet të regjistrohet në aktrim vetëm për të realizuar ëndrrën e tij, për asgjë tjetër. Nëse e ke ëndërr, patjetër të regjistrohesh duke shkelur mbi paragjykimet e rrethit, sidomos për gjininë femërore, e më vonë atë realitet ta shfaqesh në skenë. Të luftosh për këtë profesion. Ta lëmë anash aspektin e ëndrrës dhe pasionit, dhe ta kthejmë medaljen nga ana e benefiteve të këtij profesioni. Unë do të thoja me gojën plot, që ky profesion të çliron shpirtërisht dhe fizikisht duke krijuar një lidhje harmonie trup-mendje”.

Kështu nis rrëfimin e saj, Shpresa Hashimi, e lindur më 11 shtator të 1995-s, në Tetovë ku edhe mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe diplomoi me “Ëndrrën e shtatë studentëve” në degën e aktrimit të Universitetit Tetovës.

Portalb: Pse vendose të studiosh aktrimin?

Gjërat që të bëjnë të ndihesh mirë, nuk duhet t’i lëmë të na ikin nga vetja. Kështu u përcaktova të studioj për aktrim. Aty unë e gjeja veten, lumturinë dhe ëndrrën fëmijërore. E gjeja veten në skenën para një publiku të madh, para një ekrani… kjo më bënte të plotësohesha shpirtërisht, dhe nuk e kuptoj pse.

Portalb: Pasi që ëndrra fëmijërore veçmë ka nisur të realizohet, çfarë pret nga e ardhmja?

Të kesh ëndrra të mëdha në një vend të vogël, kërkon guxim të papërmbajtur, pasi që duhet të ballafaqohemi me standardin e ulët ekonomik, që nënkupton se ne duhet të ujisim ëndrrat në tokë jopjellore. Kërkon vendosshmëri dhe forcë shpirtërore të pathyeshme.

Megjithëse e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat hasen femrat në fushën e aktrimit, Shpresa Hashimi nuk mjaftohet vetëm me Maqedoninë, ajo ushqehet nga dëshira që ti prek skenat më të mëdha botërore, duke luajtur të gjitha shfaqjet që do t’i ofroheshin, ndërkohë që parapëlqen regjisorët si: Terrence Malick, Pawel Pawlikowski, Roman Polanski dhe Agnieska Holland.

“Dua të kap majat më të larta që mban toka, të hyp në skenat më të mëdha botërore, që ta bëj vendin tim krenar”, shprehet plot këmbëngulësi dha dashuri për aktrimin, Shpresa Hashimi.

Portalb: Dashurinë për aktrimin e ke, për çfarë tjetër duhet të të marrë një regjisor në shfaqje? 

Unë mendoj se kam aftësi të mira profesionale dhe përgatitjen e duhur për të luajtur çdo rol, sepse ndjehem mirë e përgatitur nga profesorët e mi për ta përballuar çdo sfidë në skenë, që shpesh për ne aktorët është më shumë kënaqësi, se sa sfide apo punë.

Portalb: Për çfarë lloji të shfaqjeve do të doje të luaje më shumë?

“Më pëlqen drama, por do të luaja nga të gjitha pak. Padurimi, dashuria dhe etja për këtë profesion më bën që t’i luaj të gjitha veprat në bote, të gjitha, sepse me rëndësi është të luaj në skenë”, tha Shpresa Hashimi duke kujtuar rolin e saj të parë, tek sa është futur në karakterin e Natashës të veprës “Tri motrat” të Anton Çehovit.

“Tri motrat” – më bënë besnike ndaj aktrimit

Shpresa Hashimi deri sa kujton përballjen e parë me skenën: Ai moment më ka bërë të ndjej magjinë e skenës, të dehem me duartrokitjet e publikut. Atëherë jam betuar se do  t’i qëndroj besnike aktrimit – dashurisë sime.

Deri sa ka studiuar për aktrim, Shpresa Hashimi ka qenë pjesë e shfaqjeve: “Tri motrat”, “Ariu, ”Tramvaji me emrin dëshirë”, “Këngëtarja tullace”, “Pronë e lënë pas dore” dhe “Othello”.

Nuk duhet të skuqemi nëse e duam aktrimin

“Qëllimi është të jesh siç je, të mos skuqesh për atë që e do, dhe se e do atë çfarë e dëshiron. Njerëzit janë skllevër të normave. Dikush u ka thënë se duhet të jetë kështu, apo edhe ashtu, dhe ato vazhdojnë të përpiqen për atë, kurrë pa u përpjekur të mësojnë të kundërtën dhe ta zbulojnë vetveten”, me këtë thënie përfundoi portretin e saj, aktorja Shpresa Hashimi.

Shpresa Hashimi, aktore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button