Gostivar, fillon zbatimi i projektit për eksplorim të Shpellës “Bukuroshja”

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij speleologët italianë dhe anëtarët e Klubit Speleologjik “Korabi” nga Gostivari.

Vizita e speleologëve italianë në Komunën e Gostivarit lidhet me fillimin e zbatimit të projektit “Fuqizimi i aktorëve lokalë për eksplorim, kërkimin dhe konservim të trashëgimisë natyrore të shpellës Bukuroshja”, projekt ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa realizohet nga ana e Klubit Speleologjik “Korabi” në partneritet me Komunën e Gostivarit.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, kryetari Taravari njoftoi se buxheti i projektit është 75.800 dollarë dhe se ky projekt ka për qëllim forcimin e shkathtësive dhe menaxhimin e aktorëve lokalë të cilët në të ardhmen do të kenë përgjegjësinë që të mbrojnë, konservojnë dhe të monitorojnë trashëgiminë natyrore të shpellës Bukuroshja në fshatin Gjonovica.

“Përmes këtij projekti do të bëhet promovimi dhe përmbajtje e pasuruar turistike në Komunën e Gostivarit përmes ofertës që do të mundësojë një destinacion turistik për speleologët, por edhe për të tjerët”, nënvizoi kryetari Taravari.

Për rëndësinë e projektit dhe për bashkëpunimin me Komunën e Gostivarit dhe Shoqatën Korabi, foli speleologu italian Mateo Dardalini, ndërsa kryetari i Shoqatës “Korabi” – Jeton Osmani, falënderoi Zyrën për implementim të projekte pranë Komunës së Gostivarit për përgatitjen e suksesshme të aplikacionit për të fituar këtë grant kaq të rëndësishëm.

Promovimi i projektit, ku do të jepen edhe të gjitha detajet rreth implementimit të tij, do të bëhet nesër në ora 11:00 në restorantin “Igantia” në Gostivar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button