Çshenjtërimi i gazetarëve!

A janë, apo nuk janë gazetarët e Kosovës “lopë të shenjta”? Duket se jo? Jo, më! Me Kodin e ri Penal të këtij vendi, si duket, e humbën shenjtërinë. Cilido nga pronarët e gazetave mund të këndojë me zë këngën “O, lopët e mia, ma të mirat në katund”, por koha e tregoi se gazetarët as nuk janë “lopë” e as të shenjta!

Si çdo gjë në këtë shoqëri, ku shenjtëria nuk është për individë që paguhen keq, që mund të hidhen në rrugë kur të dojë pronari apo (krye)redaktori! Që mund të merren në përgjegjësi kurdo që të dojë demokracia jonë popullore!

Ndoshta, esenca e konfliktit as që është në këtë krahasim, gjithsesi fatkeq dhe të keqkuptuar me apo pa dashje. Autori i kësaj shprehjeje, edhe vetë gazetar, vështirë të ketë menduar të ofendojë dikë me këtë shprehje, por gjithsesi pajtohej dhe insistonte për nenet përkatëse, të cilat i kishte votuar herën e parë dhe për mbetjen e të cilave ishte përcaktuar edhe herën e dytë. Por, të shohim si rrodhën gjërat, mbase edhe nxjerrim ndonjë mësim!…

Kryeministri, të cilin zonja Ollbrajt dikur e kishte krahasuar me një student të turpshëm, në mbledhjen e qeverisë që kryeson, të organizuar menjëherë pas seancës së Kuvendit të Kosovës, tha se ndihet i turpëruar. Qytetarët e Kosovës, për një moment, e mbajtën frymën, duke shpresuar për diçka që po e prisnin prej kohësh, që kryeministri të rrëfehet live! Ata po shpresonin se, më në fund, do të kuptojnë çfarë po ndodh me të… edhe me ne! Pritën të kuptojnë kush po na mban peng! Kush po i lëviz penjtë në këtë teatër politik të kukullave, ku publiku po gërhet me të madhe nga monotonia dhe depresioni. Ku edhe Qeveria ndihet e hutuar nga veprimet e veta!

“Ndihem i turpëruar”, deklaroi kryeministri i vendit në një mbledhje krejtësisht të rregullt të kabinetit, në të cilën karrigia e butë në të djathtë të tij ishte bosh. Aty zakonisht ulej njëri nga të pestët, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë. E di se do të mendoni se ai ndihej i turpëruar për shumëçka çfarë (nuk) ka bërë qeveria “Thaçi 1” dhe “Thaçi 2”! Apo, për shkak të…, po e dini më! Ndoshta! Por, nuk e tha këtë!

Ai ka deklaruar se ndihet i turpëruar lidhur me miratimin e “Kodit Penal”, bashkë me tri nenet restriktive që kanë të bëjnë me mediet. Dukej një deklaratë krejtësisht e sinqertë, edhe pse një gjë mbeti e paqartë: kush i kontrabandoi këto nene në këtë “Kod Penal”? Ky kod është aprovuar më herët nga Parlamenti, me procedurë krejt të rregullt dhe… me votat e shumicës parlamentare! Por, prisni! Të përpiqemi të krijojmë një rregull në këtë kaos emocional dhe institucional.

Në fakt, unë i kam disa teori, por ato po i shtroj në formë pyetjesh.

A është e mundur që, pasi të jetë nisur ligji për në Parlament, ndonjë punëtor i sigurimit rrugës të ketë bashkangjitur tinëz këtë shtojcë prej tri nenesh?

Ndoshta ndonjë këshilltar i cili kupton pak nga kjo çështje, ka munguar ato ditë nga puna!

Nejse, t’i shikojmë gjërat me radhë. Ta kthejmë filmin mbrapa dhe të shohim çka ka ndodhur në këtë serial që ndjell lot pas një dorëheqjeje të imponuar. Sepse, deputetët, me votimin e tyre praktikisht e shkarkuan Hajrën. Ata tashmë, bashkë me qytetarët e Kosovës, e dinin se dora e djathtë e kryeministrit kishte lënë peng, ca fjalë, publikisht. E burrat i mbajnë fjalët. Rrjedhimisht, kjo sipas besimit tonë tradicional, i bënë ata “burra të mirë”!

Por, kush janë të këqijtë, në këtë storie, ata që na i lanë në derë tri nenet famoze? Ata që e detyruan Hajrën të japë dorëheqje?

Si u bë puna me atë “Kod”? Prej nga erdhi… për të na e prishur idilen qeverisëse? Ndoshta edhe ai ka dalë prej zarfi? Ndoshta është përkthyer nga ndonjë gjuhë tjetër dhe përkthyesi thjesht ka bërë gabime në përkthim? Ndoshta është kombinuar pasuksesshëm ndonjë ligj i ri me ato të socializmit?

Ndoshta, ato nene kanë mbetur pa ua bërë “delete” krejt rastësisht, sepse zyrtarët kanë qenë të zënë me punë të tjera, apo sepse këshilltarët nuk guxojnë të korrigjojnë punën e profesorëve të tyre ministra? Ndoshta, në vend të “cut”, ndonjë radhitës e kishte shtypë “paste”…!

Krejt këto janë vetëm mundësi! Kësaj radhe s’po e përmendi z. Marfi, edhe pse duket prapë të ketë mjeshtëruar këtu.

Pra, që të dini, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, arriti shëndosh e mirë në Parlament. Me postier zyrtar! Ministri dhe Qeveria dukeshin krenarë për punën e bërë dhe patën dhënë deklaratat e rastit. Ky dukej të ishte ligji më i përparuar në krejt historinë tonë të lavdishme 4-5 vjeçe të këtij vendi!

Dhe, …edhe pse mund të mendoni për të keq, kësaj radhe, nuk reagoi i pari “armiku”, “Vetëvendosja”! Por, reaguan miqtë e Qeverisë. Gazetarët. Dolën në protesta. Gazetarë rebelë dhe proqeveritarë krejt bashkë! Pastaj ligji u aprovua me shumicë votash. Me votat e koalicionit!

Nejse, pas aprovimit, e madje edhe pak përpara, reaguan pak a shumë të gjithë të cilët kujdesen për një informim të lirë. Pastaj ministri i Drejtësisë, në vend se të gëzohej që ligji u aprovua, u pikëllua. Ai vetë kërkoi prej Presidentes së vendit që të rikthejë ligjin në Parlament. Për rivotim. Kjo rrallë ndodh, që ai i cili e ka sponsorizuar ligjin të insistojë që ai të mos nënshkruhet nga Presidentja!

Prapë, ligji arriti shëndosh e mirë në Parlamentin e Kosovës. Sërish, në njëfarë mënyre doli të jetë i aprovuar në mënyrë jo të duhur. Me kthye situatën mbarë i bie që, ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan, e përkrahën këtë ligj, kështu si është. Derisa për 4 deputetë u kuptua tashmë përse votuan, mbeti mister abstenimi i disave, nga pozita dhe opozita. Ndoshta thjesht nuk deshën të bëhen pjesë e kësaj hajgareje me qytetarët, gazetarët, ligjin, parlamentin… vendin!

Në fund të fundit, kryeministri, në vend që të lavdëronte zëvendësin e tij, do të duhej me ndërgjegje të qetë të pranojë atë dorëheqje dhe të kthejë krejt procesin në binarë normalë. Ndoshta, ish-ministri i Drejtësisë, nëse do të japë shembull burrërie, do të ishte më mirë të sqarojë se si u bë që ai të jetë propozues i një dokumenti me të cilin nuk pajtohej? Apo pajtohej, por më vonë ndërroi mendje? Apo, ndoshta, nuk e kishte lexuar fare me vëmendje? Apo?!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button