Vidhet në shkolla, por përgjegjësi nuk merr askush

Vjedhjeve dhe demolimeve të ndryshme që kryen në rajonin e Tetovës nuk u kanë shpëtuar as institucionet arsimore. Në shumë raste hajnat nuk kursejnë shkollat fillore dhe të mesme duke shkaktuar dëme materiale, por në këto raste pengojnë edhe zhvillimin e mbarëvajtjes së procesit edukativo arsimor.

Kabinetet e informatikës janë cak i hajnave, ndërsa shkollat më pas nuk kanë mundësi që të kompensojnë këtë dëm, kurse Ministria kompetencat për mirëmbajtje dhe siguri i ka transferuar tek pushtetet lokale. Por, problemi merr dimension tjetër pasi që komuna e Tetovës ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me ministrinë përkatëse se do të merr përsipër sigurinë në shkolla, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e mjeteve të lëvizshme për shkak se paraprakisht nuk është konsultuar fare për realizimin e këtij projekti. Në Ministrinë e arsimit dhe shkencës, thonë se me vendim të Qeverisë, siguria, mirëmbajtja e pajisjeve është kompetencë e vetëqeverisjes lokale. 

“Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë pas furnizimit të shkollave me kompjuterë dhe pajisje tjera mirëmbajtja kalon në kompetencë të komunave. Ata janë përgjegjëse për sigurinë e objekteve dhe sendeve brenda në shkollë”, tha Goran Galev, zëdhënës i Ministrisë së arsimit. 

Ndërkaq, nga sektori për veprimtari publike në komunën e Tetovës, nën ingerencë të së cilës është edhe sfera e arsimit thonë se komuna nuk ka përgjegjësi sepse nuk e ka nënshkruar kontratën e ofruar nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë.

“Qeveria kur i ka shpërndarë kompjuterët ka bërë marrëveshje direkte me drejtorët e shkollave dhe më vonë është kërkuar që ne si komunë të kujdesemi për ata. Ne si komunë nuk e kemi nënshkruar këtë kontratë pasi që nuk jemi konsultuar paraprakisht për projektin “Një kompjuter për çdo nxënës”. Post – festum është kërkuar që ne të marrim përgjegjësinë. Në këtë rast ne nuk mbajmë përgjegjësi sepse Qeveria apo MASH, vet i ka shpërndarë kompjuterët pa na konsultuar se a kemi kushte dhe mundësi që të marrim përsipër përgjegjësi”, thotë Iljaz Halimi, udhëheqës i sektorit për veprimtari publike në Tetovës.

Halimi tregon edhe përgjigjen që i ka kthyer ministrisë së shoqërisë informative ku shpjegohen arsyet e mos nënshkrimit të kontratës. 

“Komuna e Tetovës nuk është në gjendje të lidh kontratë me ministrinë tuaj për arsye se mjetet e lëvizshme veç janë dhënë në shfrytëzim dhe është bërë pranim–dorëzim pa prezencën përfaqësuesve të komunës dhe nuk ka nevojë për përsëritje të procedurës. Komuna e Tetovës nuk mund të obligohet në bazë të nenit 6 të kësaj kontrate për arsye se nuk disponon me mjete të mjaftueshme për sigurim, mbrojtje dhe mirëmbajtje të mjeteve të lëvizshme. Disa herë kemi kërkuar nga MASH pëlqime për punësime të reja, si roje nate, mirëmbajtjes së kompjuterëve, por gjithmonë përgjigjja ka qenë negative. Shkollat nuk kanë mundësi t`i shfrytëzojnë mjetet e lëvizshme për shkak të mungesës së kushteve infrastrukturore si dhe të instalacionit përkatës elektrik”, qëndron në përgjigjen e komunës së Tetovës ku arsyetohet se kjo komunë nuk merr përsipër që të përkujdeset për sigurinë e kompjuterëve.

Por situata në teren është ndryshe, ku hajnat shpesh herë shkollat i gjejnë pa roje dhe vjedhin. Nëse gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 12 vjedhje në objektet shkollore, këtë vit vetëm për 5 muaj janë kryer nëntë vjedhje në shkollat e rajonit të Tetovës. Kështu hajnat nuk kanë kursyer as institucionet arsimore duke shkaktuar dëme në inventar dhe duke marrë me vete kompjuterë të cilët përdoren për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Krahas kompjuterëve, në objektet arsimore vidhen edhe pjesë tjera kompjuterike, llap-top, apo sende të tjera me vlerë.

Nga policia e Tetovës njoftojnë se në shumë raste janë kapur kryerësit e këtyre veprave, por dukuria e vjedhjes së kompjuterëve të shkollave fillore dhe të mesme vazhdon të jetë prezente në këtë rajon. Kështu që vjedhja e fundit është regjistruar në shkollën fillore “Liria” në fshatin Zherovjan të komunës së Bogovinës. Në këtë shkollë janë vjedhur 35 llap top që janë përdorur nga ana e nxënësve dhe arsimtarëve gjatë procesit edukativo-arsimorë.

“Ngjarja si edhe në shkollat tjera ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes kur vjedhësit kanë hyrë në objektin e shkollës duke e demoluar derën e hyrjes dhe më pas kanë thyer emblemën e shkollës dhe raftet ku janë gjendur kompjuterët. I kanë marrë kompjuterët dhe kanë ikur nga dritaret. Kompjuterët e vjedhur shkollës fillore “Liria” i janë dhuruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në projektin “Një kompjuter për nxënës”, njoftojnë nga policia e Tetovës.

Megjithatë, edhe për këtë vjedhje ende nuk ka të dyshuar por nga SPB-ja theksojnë se janë duke u bërë hetime për rastin në fjalë.

“Vjedhjet në shkolla në shumë raste kanë ndodhur, kur hajnat kanë shfrytëzuar dritaret e pambyllura në katin e parë apo me forcë i kanë hapur dyert apo dritaret gjatë orëve të vona. Numri më i madh i vjedhjeve, është karakteristikë se kanë ndodhur gjatë ditëve të fundjavës, kur në objekte nuk ka pasur prezent njerëz apo gjatë kohës së pushimeve”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB-së në Tetovë. 

Krahas vjedhjes në shkollën e Zherovjanit, që ishte cak i hajnave, këtë vit vjedhje kanë ndodhur edhe në fshatra të tjerë si në Bërvenicë, Sllatinë, Sedllarcë e Epërme, Pallçishtë, Tetovë etj. Krahas vjedhjeve poashtu janë evidentuar edhe dëmtime në objekte shkollore por pa vjedhur diçka./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button