Kaltrina Tefiku ndër regjisoret e para femra: Në të ardhmen, regjia duhet të bëhet ndryshe nga sot

“Zgjedhja e regjisë nuk ishte e lehtë. Ne, si femra në drejtimet e artit, na duhet të përpijmë paragjykime nga më të ndryshmet, idiotësira të tepruara nga një rreth, që qartë ka nevojë për shtytje të intelektit dhe ndryshim të regjimit të jetës së tyre. Regjia është sakrificë për të mirën e shoqërisë, që duhet ndërtuar ndryshe nga që është duke shkuar”, me këto fjalë Kaltrina Tefiku iu drejtua publikut në Maqedoni.

E lindur më 19 tetor të 1995-s në Tetovë, ku edhe ka mbaruar arsimin fillor, të mesëm dhe vazhdon studimet në Universitetin e Tetovës – regji teatri, Kaltrina Tefiku do të jetë njëra nga dy regjisoret e para shqiptare në Maqedoni. Fillet në kulturë i ka që në arsimin fillor, e kurse është marrë edhe me poezi, me çka është shpërblyer me çmimin e tretë në “Poetry Slam”.

Por, të qenit ndër femrat e para regjisore shqiptare, sjell përgjegjësi dhe të jep rolin e modelit për gjeneratat e ardhshme. Kaltrina Tefiku megjithëse e re në moshë, është e vetëdijshme për këtë.

“Ajo kërkon punë, përkushtim dhe kohë. Është gjë e shenjtë, sepse përmes saj arrin që haptasi t’i shfaqësh problemet e një shoqërie, pa ofenduar kë. Të jepet mundësia të nxjerrësh në pah të metat dhe brengat e tua personale dhe sociale. Të studiosh artet në rrethin tonë, është një hap tejet i frikshëm, në të njëjtën kohë i guximshëm. Fakti që do të më jepet mundësia për ta kositur barin e kësaj shoqërie, më jep vullnet që të vazhdoj më tutje me qëllimin që edhe i hyra këtij profesioni”, rrëfehet Kaltrina Tefiku plot këmbëngulësi dhe aspak hamendje që do të jetë pjesë e një arti që nuk është karakteristike për gjininë femërore.

Portalb: Meqë jeni ndër femrat e para në regji, pse duhet një teatër ta pranojë shfaqjen tënde?

Qëllimi im në këtë profesion nuk ka qenë që të krijoj atë që kërkon publiku, por të krijoj atë që publiku ka nevojë, e ajo është të shikoj veten brenda asaj shfaqje, karaktereve që luhen në skenë, tekstit dhe çdo detaji, që nëpërmjet shfaqjes hedhen në skenë. Publiku ka nevojë të fiksohet në shfaqje, ngaqë aty shfaqet e vërteta e secilit prej nesh, të ndjej neveri ndaj vetes pasi që të kryhet ajo, sepse ka arritur që ta gjejë veten aty. Si regjisore, kam nevojë të ngre pikëpyetje në kokat e ndritura të atyre që vijnë në teatër. Nëse një teatër do ketë nevojën që të shkëput nga realiteti një popullatë, t’i lejë jashtë dyerve, qoftë i pranuar ai projekt.

Qëllimi i shfaqjes – arritja e katarzës: Do të koncentrohem në shfaqje për fëmijë

Kaltrina Tefiku vazhdon të flasë për risinë që ajo do ta sjell në teatër: Do të punojë me të gjitha llojet e shfaqjeve. E kam fjalën për një tekst eksperimental që përmban brenda tragjedi, komedi, surrealizëm, nëpërmjet së cilës do të arrihet katarza (çlirimi i energjisë) i dilemës kryesore që do të hedhet në skenë. Më shumë do të isha koncentruar tek shfaqjet për fëmijë. Duhet krijuar audience të mirëfilltë, me dashuri ndaj teatrit dhe punës në skenë. Mënyra më e mirë për të arritur në ndryshimet që i duam si artistë të ardhshëm, është që të nisim me edukatën teatrale të fëmijëve.

Vepra “Shërbëtorët” e Jean Genet është shfaqja e parë që është hedh në skenë nga Kaltrina Tefiku, në semestrin e parë të vitit të dytë të studimeve. Megjithatë, ëndërr e saja mbetet që të inskenoj veprën “Duke pritur Godon” të Samuel Becket-it. Mesazhet e veprës ajo dëshiron t’i përcjell me aktorin Refet Abazi.

Portalb: Ku pas mbarimit të studimeve?

“Mos kosit barin e komshiut, nëse bari në oborrin tënd ka mbuluar shtëpinë”. Është e lehtë të pranohesh, të vlerësohesh dhe të bindësh ata që vetëm më janë të bindur dhe syçelë ndaj të metave të shoqërisë së tyre. Është e lehtë të shtysh veten atje ku vlerësohet arti në përgjithësi. Kam ambicie që magjistraturën ta mbaroj jashtë Ballkanit, por pas asaj do të isha kthyer, që në vendin tim të japë kontributin dhe ndihmën, për të cilën kanë nevojë të rinjtë.

Regjia – mënyrë për të nxjerrë artin njerëzor

“E mira e regjisë, por edhe drejtimeve tjera të artit, është që secili gjen një mënyrë që ta nxjerr në pah shenjtërinë dhe rëndësinë e artit, dhe asnjëra nga mënyrat nuk është e njëjtë. Secili prej nesh ndërton një mënyrë të sajën/tijën, një krijim autentik duke nxjerrë më të mirën nga vetja. Dhe këtë ta mundëson arti. Përmes artit ti nxjerr lot, nxjerr piskama, nxjerr të qeshura dhe të gjitha në mënyrën tënde autentike”, rrëfen Kaltrina Tefiku për rëndësinë e regjisë si lloj i artit dhe efektin që ka në shoqëri.

Portalb: Çfarë do t’i këshilloje lexuesit e këtij portreti?

Jo vetëm në arte, por edhe në çfarëdo lloj profesioni tjetër, në momentin kur regjistroheni në fakultet, talenti juaj ngelet tek dera. Hapi i parë në drejtimin që keni zgjedhur me plot dashuri, është talenti, por për hapin e dytë – arritjen e qëllimit, ju duhet shumë punë.

“Talenti nuk vlen gjë, nëse nuk kultivohet gjatë rrugës. Vështirësitë hasen në çdo drejtim, por tejkalohen me punë. Është gabim jetësor të mbështetesh vetëm tek talenti”, tha studentja Kaltrina Tefiku.

Megjithëse një vajzë ambicioze dhe me dashuri të madhe ndaj profesionit të saj, studentja Kaltrina Tefiku shprehet e pakënaqur për kushtet që gjenerata e parë e studentëve të regjisë përballen në vazhdimësi.
Sipas saj, kushtet mund të përmirësohen, me dashurinë dhe punën që gjenerata e parë e regjisë do ta bëjë pas studimeve.

Drejtimi i regjisë përballet me kushte kafshërore

Kaltrina Tefiku: Ne si gjeneratë e parë e regjisë në Maqedoni jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi me kushte kafshërore, që edhe pse kërkohen, përsëri ngelen tonat për t’i realizuar, e kjo ka qenë vullnet për ne, që gjeneratat që vijnë pas, të mos duhet të përballen me të njëjtat probleme. Ne nuk e kemi të shtruar rrugën me trëndafila dhe blloqe, të gatshme për të ecur. Ne i rendisim blloqet, që pasuesit tanë të mos vriten dhe të mos kthehen prapa. Kemi edhe përparësi, ngaqë njihemi si gjenerata e parë në Maqedoni, gjë e cila do të mundësojë që të hapen rrugë jo të lehta për t’u kaluar. Do të njihemi edhe si gjeneratë që punoi për ndryshime, dhe që la mund e dashuri brenda studimeve. Nuk do ta kemi të lehtë pas mbarimit, ngaqë pas diplomimit na mbetet vetëm puna.

“Është dashuria ndaj këtij profesioni që të ndërton për të ardhmen”, kështu përfundoi portretin e saj, ndër regjisoret e para të ardhshme shqiptare në Maqedoni, Kaltrina Tefiku.

Kaltrina Tefiku, studente e gjeneratës së parë të regjisë në UT

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP