Sanksionet amerikane, Moska paralajmëron hakmarrje

Kryeministri rus Dmitri Medvedev paralajmëroi ashpër Shtetet e Bashkuara që të mos i shtojnë sanksionet, duke thënë se Moska do të hakmerret me mjete të tjera ekonomike dhe politike.

Ky mesazh i ashpër shënon atë që Kremlini e sheh si një vijë të kuqe, ndërkohë që sanksionet e reja amerikane kanë bërë që monedha ruse, Rubla, të bjerë në nivelin më të ulët në dy vjet.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se Uashingtoni po i vendoste sanksionet për shkak të përdorimit nga Moska të agjentit nervor Novichok për të helmuar ish spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij në qytetin britanik Sollsbëri. Rusia i ka mohuar fuqimisht akuzat.

Rusia vazhdon të jetë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian që nga aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Humbjet ekonomike kanë qenë të konsiderueshme.

“Një shembull: kapitalizimi në treg i kompanisë më të madhe ruse, Rosneft, është rreth 60-70 miliardë dollarë në varësi të tregut. Ndërkohë, një kompani e krahasueshme amerikane si Exxon-Mobil ka një vlerë prej 350 miliardë dollarësh. Pra, diferenca është gjigante,” thotë Dmitry Zhdannikov, editor burse i kompanisë Reuters.

Zëdhënësi i Kremlinit i siguroi rusët se sistemi financiar i vendit mbetet i qëndrueshëm. Në fakt, rusët e zakonshëm nuk duken shumë të shqetësuar.

“Vendi ynë duhet të injorojë të gjitha këto sanksione, ne jetojmë ashtu si jetojmë dhe ajo që ata imponojnë apo do të imponojnë më tej, mendoj, nuk do të ndikojë as tek ekonomia, as tek jeta jonë në përgjithësi”, thotë Arkadi, banor i Moskës, transmeton VOA.

Humbjet financiare nuk e kanë penguar Presidentin rus Vladimir Putin që të ndërhyjë më tej në Ukrainën lindore dhe në proceset politike të vendeve të tjera. Ministria e jashtme i quajti sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara një “ultimatum” të kotë. Disa analistë thonë se sanksionet nuk kanë sjellë deri tani rezultatet e dëshiruara.

“Perëndimi shpresonte se sa më shumë presion t’i bënte Putinit, aq më shumë do të rëndonin sanksionet, aq më e madhe do të ishte pakënaqësia midis elitës politike dhe biznesit rus dhe kjo do ta detyronte Putinin të ndryshonte. Por kjo nuk ndodhi gjatë katër viteve të fundit, në fakt kemi parë krejt të kundërtën,” thotë Dmitry Zhdannikov.

Por ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara e ka quajtur grupin e ri të sanksioneve “një masë drastike”. Disa rusë shqetësohen se qytetarët e zakonshëm do të paguajnë çmimin.

“Kjo është një lojë e madhe, dhe ne njerëzit jemi një thjesht gurë shahu. Nuk i dimë arsyet e vërteta, kështu që gjithçka që mund të bëjmë është të vëzhgojmë dhe të përpiqemi të mbijetojmë ose të ndryshojmë jetën tonë në një mënyrë që të mos ndikohet nga sanksionet ose nga influenca e huaj,” thotë Aleksander Zimin, banor i Moskës.

Sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë do të hyjnë në fuqi më 22 gusht në përputhje me ligjin amerikan për armët kimike dhe biologjike të ndaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP