SHQIPËTARËT E SËRBUET E T’MARRUET

Titullin e kësaj kolumne e huazova nga shkrimi Serbia kundra shqyptarizmit!, të botuar më 1909 në gazetën Shqypëja e Shqypënis të rilindësit Josif Bageri, që shtypej në Sofje të Bullgarisë.

Shkrimi në fjalë trajton problemin shekullor të marrëdhënieve përherë të tensionuara serbo-shqiptare, të ushqyera nga politikat ekspansioniste e gjenocidiste serbomëdha. Për çudi, sado që prej atëherë kanë kaluar 110 vjet, shkrimi i përshtatet knap rastit të rihapjes së temës së “korigjimit të kufijve” shqiptaro-shqiptarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kësaj here nga kryetari i Kosovës – z. Hashim Thaçi, i cili përpiqet t’ua mbushë mendjen shqiptarëve se korigjimi do të përfundojë në favorin e tyre, se ai (korigjimi) nënkupton bashkimin e Luginës me Kosovën…

Shi për këtë, në vend të një shkrimi të ri mbi temën e dhimbshme të kufijve, po sjell për lexuesit e mi një copëz të shkrimit të gazetës së Josif Bagerit, në mos për tjetër, atëherë sa për të kujtuar historitë që po na përsëriten tim-për-tim, për shkak se ne nuk kemi mësuar asgjë prej tragjedive të kushtueshme të së shkuarës…

Ta shijojmë bashkë:

Tani t’mramen here shtypi i Sërbis boton disa artikëlla kundra lëvizëjes shqyptare, se kjo lëvizje kjonka për kundra Sllavizmit. Do me thon, se një Shqypni e ngjallun, asht mordja e shtetevet sllavjane të Ballkanit; për shkakun se shqyptarët nuk kjonkan sllaf, po një rac tjetër. Përande e këshillon shtypi i Sërbis Bulgarin, t’u bjere shqyptarëvet, cilët kurri mos me ngrit krye.

Sërbia në vendt që të fitojne simpatjen e Shqypënis dhe të rrojnë në at’mosferën e miqësis kjo vetë vedit i dërmon vorr, se anmiqësohet me një fqin, cila asht e zojna me i ndihmue të shtjene Bosnën dhe Hercekun në kufiat e saja, e jo t’hyne dhe ajo vet në kufiat e asajë fuqie, cila ka mbrenda shum kombe sllavijani si Sërbin.

Ne e dim fort shum mir, se Sërbia dhe Grekia jon ata ma t’rreptit anmik të Shqypënis; sepse shpresat e këtynej dy shteteve u ishin dhe u jon të gjendojn kufiat e tynej, tyj shtii Shqypënin në kufiat e veta. Sërbia t’marre Shqypënin e Veriut, e Grekia të Jugës; kështu do dhe Mali i Zi një copk prej Shqypënis, që të Rritet pak, se asht fort i vogël  i vorfuni shtet i Malit Zi.

Me kjon pra, se kombi Shqypëtar nuk asht Sllaf, përse athere do Sërbia dhe Mali i Zi me i shtii në kufiat e veta Shqypëtarët? Apo vetëm vendin e këti kombi don? Po vendi pa njerëz asht shkretin dhe këta lakmonjës nuk dot klen as’ një dobi; përveç ksajë njerzia e këti vendi asht një komb ushtar dhe di fort mir si me e përdor pushkën për mos me i dhon kurkuj as’ një pllomb vendt. Prande kot mundohen Sërbia dhe Grekia të shtien në kufiat e veta Shqypënin. Shqypënia ka kjon dhe dot jet, po mjer ata qe e ngatrrojn dhe e pengojn për mos me vrapue në udhët gjand të përparimit e të kjytetnimit. Shqypëtari nuk asht, as që dot jet kundra sllavizmës, po vetëm kundra atynej që don me i skllavue e vetue.

Sërbia në do të shpëtojne vedin dhe Bosnën e Hercekun, lypën ta prese shpresën dhe iden për me shti Kosovën në kufiat e veta. Kosova asht vendt i Shqypënis dhe i ngulum me trima shqypëtar, cilët tani t’mbramen here e rrëfyen trimnin e vet para ton Evropit, se i kuji asht ky vendt dhe me çfar kombi asht ngulum. Kjo u rrëfye dhe s’ka nevoj të bojm fjal për ata amë e atë mohonjës shqypëtar të sërbuet e t’marruet, vetëm për të cilët sapatën Sërbia dhe derdhën lot si korkodili dhe shumë dinar për shpëtimin e “Stara Sërbisë” prej tiranis dhe rrobënis. Përande Sërbia me ndihmat e Turkis dhe Grekis mgjatën dorën gjer në Dibër, (dhe të cilën vendt e quen “Sërbi të vjetër!”) dhe dërgon propagandiorët e vet fetar, për me fitue njerëz nan dullakun e fes dhe shpreson, se dot kiet fatin e mir për me i shkel këmba djeri në Dibër! O, sa shpresa t’lasuriqta e t’vobekta. Shkuen ma ata kohët e marrësis, tani ma bota fort mir di se çdo me thon fe e kombtarni; përande na e këshillojm Sërbin që t’mos harxhojne dinarët kot për me sërbue shqypëtarët me an të fes, po let i ruejnë dinarët dhe let i prishine për një gjakësit e vet bosnakët…      

Kështu e trajtonte copëtimin e tokave shqiptare Shqypëja e Shqypënis, në një kohë kur bërja e një gazete kërkonte mund të jashtëzakonshëm dhe ishte ndërmarrje e rrezikshme për jetën e drejtuesve të saj.

Sigurisht, Josif Bagerit dhe rilindësve të kohës së tij as që u ka vajtur mendja se 110 vjet më pas, do të përsëritet kaq unikatshëm historia dhe Kosova, një dekadë pas pavarësimit të saj, do të katandiset në zëdhënësen e parë të sindromit të tkurrjeve të reja të gjeografisë kombëtare, do të kllumet në zuzarllëqet e trampave të reja të gjymtyrëve të saj në llogari të tjetrit, falë paaftësisë së amë-e-atë mohonjësve shqypëtar të sërbuet e t’marruet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button