Ne maqedonasit (shqiptarët e Maqedonisë)

Rilind Dauti

Rilind Dauti

A ka shqiptar nga Maqedonia që nuk i ka ndodhur në Shqipëri ta quajnë “maqedonc” apo “maqedons”? Vetë kam qenë subjekt i atij emërtimi dhe kam dëgjuar shumë të tjerë që tregojnë se edhe atyre iu ka ndodhur ashtu. Shqiptarët e Maqedonisë i quajnë me një emërtim të tillë edhe mediat e atjeshme. Ja një titull nga uebfaqja e televizionit Top Channel: “Meta pret kryetaren e Preshevës dhe ministrin maqedonas”. Cili na qenka ky ministër maqedonas? Ramiz Merko!

Por jo vetëm qytetarët e thjeshtë dhe mediat, edhe autoritetet shqiptare na quajnë maqedonas. Ja një titull nga uebfaqja e Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë: “Ministri Bushati takon Zëvendëskryeministrin maqedonas për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani”.

Shqiptarët e Shqipërisë e dijnë shumë mirë se në Maqedoni një përqindje mjaftë e lartë e popullatës janë shqiptarë. Pra, edhe nëse na quajnë maqedonas, ata e dijnë shumë mirë se çka në fakt jemi etnikisht. Por në Shqipëri vetëm shqiptarët e Maqedonisë i quajnë në bazë të shtetit ku jetojnë, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk i quajnë serbë, as shqiptarët në Mal të Zi i quajnë malazezë. Pse pra, ky trajtim ndryshe i shqiptarëve të Maqedonisë?

Edhe pse dikujt mund t’i duket banale, mendoj se njëra nga arsyet është prakticiteti – shqiptarët në Maqedoni janë shumë më shumë në numër se ata në Serbi apo Mal të Zi, më shumë janë objekt i lajmeve, më shpesh takohen me ta, kështu që në vend se ta “lodhin” vazhdimisht gojën duke thënë “shqiptar i Maqedonisë”, thonë thjeshtë “maqedonas”.

Dukuria që na quajnë maqedonas në Shqipëri zakonisht krijon frustracion te shqiptarët e Maqedonisë? Por a duhet të jetë kjo medoemos burim revolte?

  1. Praktikat ndërkombëtare

Sot jetojmë në një botë të globalizuar, ku migrimet janë më se normale. Dhe emigrantët nga vende te ndryshme nuk i quajnë ashtu si realisht janë (marokenë, bengali, somalezë, etj.) por francezë, skocezë, suedezë, etj. Edhe për popujt që nuk janë emigrantë por janë autoktonë në një shtet të caktuar vlen e njëjta: nuk guxon të thuash suedez i Finlandës por “finlandez suedishtfolës”; nuk guxon të thuash gjerman i Belgjikës por “belg gjermanishtfolës”.

Injorimi i etnisë për hir të shtetësisë askund nuk vërehet më qartë se te sportistët. Poll Pogba nuk ështe guinean por francez, Mirosllav Klose nuk është polak por gjerman, Zllatan Ibrahimoviqi nuk është boshnjak por suedez.

  1. Miti shqiptar mbi Maqedoninë antike

Që nga koha e rilindasve e këndej shqiptarët te Maqedonia antike i shohin paraardhësit e tyre. Trashëgiminë e Maqedonisë shpesh e llogarisin si të tyren, prandaj historianët tanë shpesh thonë se maqedonasit antikë kanë qenë ilirë. Edhe valuta e Shqipërisë, leku, vjen nga Leka (Aleksandri) i Madh jo rastësisht.

  1. “Maqedonas” si emërtim rajonal dhe multietnik

Para vitit 1944, e në veçanti para Rezolutës së Kominternës së vitit 1934 ku pranohet populli maqedonas si i veçantë prej bullgarëve, emërtimi “maqedonas” ka patur karakter gjithpërfshirës për popujt e ndryshëm të Maqedonisë (“bullgarët”, grekët, turqit, shqiptarët, vllehët). Gjithsesi që edhe para këtyre viteve ka patur disa intelektualë sllavë të Maqedonisë që kanë besuar në popull maqedonas ndryshe nga bullgarët, më i famshmi prej tyre Kërste Petkov Misirkov, por shumica e aktivistëve për pavarësi të Maqedonisë nuk kanë besuar në gjë të tillë. Në një dokumentar të Radio Televizionit të Maqedonisë, historianët në dokumentarin në fjalë e pranonin se lideri legjendar i VMRO-së Todor Aleksandrov (1881-1924) ka patur vetëdije bullgare. Edhe lideri tjetër i VMRO-së (që e ka vrarë këtë të parin), Vanço Mihajllov (1896-1990), duke e kundërshtuar idenë e një populli maqedonas të veçantë prej bullgarëve, thotë se përveç bullgarëve, maqedonas janë edhe grekët, turqit, shqiptarët dhe vllehët që jetojnë në Maqedoni, dhe në një intervistë kah fundi i jetës, tregon se kur ka ikur në Turqi, atje ka takuar shumë turqë me prejardhje nga Maqedonia që me krenari i kanë thënë “Edhe unë jam maqedonas!”.

  1. I njëjti emërtim mund të ketë më shumë se një kuptim

Është një dukuri interesante se si emri i një populli, fillon të përdoret në më shumë kuptime. Në Kamboxha, për shembull, të gjithë të huajtë i quajnë “francezë”; amishët në Amerikë, të gjithë të huajtë i quajnë anglezë. Çka është interesante, edhe ekzonimi për shqiptarët “Albanian”, përdoret për më shumë qëllime:

  1. Për shqiptarët si popull kudo që jetojnë,
  2. Për qytetarët e Shqipërisë pa dallim etnie,
  3. Për banorët e qytetit amerikan Albany, Nju Jork,
  4. Si endonim i popullit skocez (“Albanian” për skocezët sot ka dalë nga përdorimi, por ka mbetur fjala e ngjashme “Albannaich”).

Edhe emërtimi “maqedonas” mund të përdoret në disa kuptime të ndryshme:

  1. Për maqedonasit antikë,
  2. Maqedonasit (sllavë) të Republikës së Maqedonisë,
  3. Grekët e rajonit Maqedoni që gjendet në Greqi, dhe diaspora greke prej këtij rajoni,
  4. Maqedonas si emërtim për të gjithë popujt e rajonit historik të Maqedonisë,
  5. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim etnie.

Te numri 4 apo 5 mund ta fusim edhe dukurinë që në Shqipëri sot e kësaj dite shqiptarët e Maqedonisë i quajnë “maqedonas” (apo e njëjta fjalë me mbaresë dialektore –c, -s: “maqedonc”, “maqedons”).

Përfundim

Është e kuptueshme nervoza e shqiptarëve të Maqedonisë kur në Shqipëri i quajnë maqedonas, për shkak të gjitha problemeve dhe mosmarrëveshjeve që shqiptarët e Maqedonisë i kanë me maqedonasit (sllavë); por ata duhet ta kujtojnë se trashëgiminë e Maqedonisë Antike, shqiptarët e kanë festuar shumë kohë para “antikuizimit” qesharak të kohës së Gruevskit. Dhe duhet ta kenë parasysh që emërtimi maqedonas që moti ka patur më shumë se një kuptim, dhe njëri prej tyre është edhe: maqedonas – SHQIPTAR i Republikës së Maqedonisë.

Megjithatë, në aspekt afatgjatë, Maqedonia si shtet ku grupi etnik shumicë mezi mbërrin 64%, ajo medoemos do të duhet ta pranojë ndonjë emër etnikisht neutral (si psh. Republika e Pajonisë), me të cilin pastaj edhe më komod do të mund të identifikoheshin të gjithë popujt që e përbëjnë këtë shtet, dhe për më tepër, do të shërbente si faktor përbashkues i këtyre popujve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP