Portret me Sabina Memishin: Në aktrim nuk është e rëndësishme fama, por t’i durosh vuajtjet

“Në një dramë të Çehovit drama “Pulëbardha” është personazhi i Ninës. Një vajzë që dëshiron të bëhet aktore dhe arrin të jetë aktore. Ajo thotë: ‘Nuk është me rëndësi shkëlqimi, fama e gjithë ajo që kam ëndërruar, me rëndësi është të durosh vuajtjen'”.

Megjithëse një vepër e shkruar në shekullin e kaluar, Sabina Memishi si aktore e sapo diplomuar me shfaqjen “Ëndrra e shtatë studentëve” e Universitetit Shtetëror të Tetovës, me këto fjali zgjodhi t’i drejtohet publikut, duke treguar vështirësitë e të bërit punën e aktorit. Ajo shprehu edhe këmbëngulësinë dhe dha premtimin se: aktorët e rinj do të bëjnë revolucion, do të kthejnë në binare aktrimin, për të triumfuar vlera, ndërkohë që antivlera do të hudhet tutje.

Sabina Memishi ka lindur më 19 shtator të vitit 1993, megjithëse e lindur në Shkup jeton në rrethinën e Tetovës, ku edhe ka mbaruar shkollimin fillor. Përveç aktrimit, ajo ka studiuar edhe gjuhën gjermane.

“Në rreshtat e ‘Pulëbardhës’ shihet realiteti jonë, që nuk ka shumë projekte, s’ka punësime për aktorët, nuk ka më vlera, por vetëm antivlera, nuk vizitohen teatrot sa duhen. Artistët që e duan këtë profesion, dhe besoj që gjeneratat e reja, do të bëjmë revolucion për të mirën e këtij profesioni të shenjtë, do e durojmë vuajtjen edhe do të punojmë”, vazhdon më tutje rrëfimin aktorja, Sabina Memishi.

Aktrimi – vendim i fëmijërisë

Sabina Memishi: Të them tash se që nga fëmijëria kam vendos për aktrim, do të ishte pak e mërzitshme. Edhe pse prej e vogël kam marrë pjesë në shumë evenimente artistike, nuk e kam ditur se do e zgjedh aktrimin. U mësova me skenën, aty unë ndjehesha vetvetja edhe ishte profesioni që e doja.

Portalb: Pse duhet një regjisor të të marrë ty në shfaqje?

Është pak e vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetje, pasi secili regjisor është ndryshe dhe varet se çfarë cilësi sheh tek një aktor. Mendoj që një aktor i mirëfilltë, që të mund të punohet me të, duhet të ketë më shumë se vetëm talent – punë, përkushtim, këndim dhe vallëzim, d.m.th të jetë më i përdorshëm në skenë apo film. Këto cilësi besoj se i kam, dhe me kalimin e kohës, me fitimin e përvojës dhe me punë, besoj se do t’i përforcoj. Ajo që e di, është se kam veti strikte – përkushtimi dhe përgjegjësia për këtë profesion.

Komedi dhe tragjedi teatrore është vetë jeta

Sabina Memishi vazhdon rrëfimin për aktrimin: Mendoj që është mëkat për një aktor të ndajë vetveten të luajë komedi ose vetëm tragjedi. Aktori para se gjithash është njeri dhe jeton. Edhe në skenë apo film jetohet sikur në jetën reale, d.m.th ke faza kur je keq apo mirë. Prandaj asnjëherë nuk preferoj ta identifikoj veten për komedi apo tragjedi, se në jetë i ke të dyja dhe fundja njeri jam.

“Me aktrim kam filluar prej në shkollë fillore. Pastaj kam vazhduar në të mesmen me shfaqje amatore, këndim dhe vallëzim. Shfaqja e parë ka qenë në gjuhën angleze në shkollë fillore, pastaj të mesmen kemi luajtur në disa drama shqipe”, flet Sabina Memishi deri sa kujton nismat e saja në aktrim.

Portalb: Cila është ëndrra jote si aktore? 

Ka shumë vepra të mira që sa herë që i lexoj apo i shoh të vëna në skenë, dua t’i luaj. Veprat e shkrimtarit rus Anton Çehov i dua shumë, gjithashtu disa vepra postmoderne më pëlqejnë, si “Closer” nga Patrik Marber. Për film do të kisha dashur shumë të punoj me regjisor Roman Polanski. Prej aktorëve femra në film, i pëlqej Juliette Binoche dhe Daniel Day Lewis.

Portalb: Pse duhet një maturant të regjistrohet në aktrim? 

Mendoj që ato që janë të parazgjedhur për aktrim ua jep Zoti atë që e themi ne talentin, por është shumë i vështirë si profesion se nuk kërkon shtirje, nuk e duron të pavërtetën, don shumë punë sinqeritet dhe në mos nisen pë aktrim në qoftë se nuk kanë qëllim të pastërt dhe dashuri të sinqertë për këtë profesion.

Me “pak pushim, dhe shpresoj studimet master jashtë vendit”, përfundoi portretin e saj aktorja Sabina Memishi.

Megjithëse e sapo diplomuar, Sabina Memishi ka qenë pjesë e dy shfaqjeve profesionale në Teatrin e Tetovës: “Kuzhinat” shkruar nga Alan Ayckbourn në regjinë e Ilir Bokshit dhe “Ushtria e Ui Thomas” shkruar nga Martin Mc Donagh në regjin të Qëndrim Rijanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button