Portret me Faton Ibrahimin: Aktori duhet të sakrifikojë çdo gjë

“Ballafaqimi i parë me audiencën ishte në vitin e parë, ku kishim përgatitur një provim semestral “Tri Motrat” e Anton Çehovit, me profesor Refet Abazin”.

Kështu nis rrëfimin Faton Ibrahimi, që me shfaqjen diplomë “Ëndrra e shtatë studentëve” nisi rrugëtimin e tij profesional në fushën e aktrimit. Ai në portretin e realizuar nga Portalb.mk ka treguar se aktrimi është dashuria e parë e tij, dhe se duhet të jetë në skenë, ngaqë është aktor i ri. E aktorët e rinj i nuhasin shumë mirë kërkesat e publikut artdashës.

“Duartrokitjet e publikut pas një punë të gjatë dhe të suksesshme vlejnë me shumë se gjithçka”, rrëfen Faton Ibrahimi për magjinë që publiku ua jep aktorëve.

Portalb: Pse zgjodhe te bëhesh aktor?

Zgjedhja nuk ishte e lehtë, për arsye se në vendin tonë nuk çmohet edhe aq ky profesion. “Dashuria e parë” ishte aktrimi, dhe kjo ishte arsyeja e zgjedhjes së këtij profesioni, të ndjek ëndrrën time që ka filluar që nga fëmijëria dhe ta arrij qëllimin – majat e suksesit që t’ia falë vendit dhe popullit tim.

Portalb: Pse duhet një regjisor të të marrë ty në shfaqje?

Aktrimi si profesion evoluon çdo ditë, njëjtë si teknologjia. Mendimi im se pse duhet të jem pjesë e një shfaqje, është se ne si aktor të sapo diplomuar, mund t’them se jemi shkollë e re, e nuhasim kërkesën e publikut dhe kemi shije të ngjashme me regjisorët e rinj – që një shfaqje e moderne e ditëve të sotme duhet të përmbajë këndim, vallëzim, koreografi dhe interpretim me ndonjë instrument.

“Nuk kam ndonjë zhanër për të dalluar, të gjitha më pëlqejnë. Mjafton që jetë një tekst i mirë dhe mund të jemi falënderues, sepse të jep hapësirë për lojë”, tha Faton Ibrahimi.

Portalb: Kush është Faton Ibrahimi në pak fjalë?

Jam i lindur më 9 tetor të 1995-s në Kumanovë. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kam mbaruar në Kumanovë, në shkollën fillore “Bajram Shabani” dhe në shkollën e mesme “Sami Frashëri”. Studimet i kam mbaruar në Universitetin Shtetërorë të Tetovës – dega aktrim.

“Ëndrra ime është që të luaj në Film dhe në Shfaqje me aktorë të mëdhenj të skenës dhe ekranit, dhe të kurorëzohem me çmimin Oscar”, rrëfehet për ëndrrën e tij, aktori Faton Ibrahimi.

Portalb: Në cilat shfaqje ke marrë pjesë deri më sot?

Shfaqjet e fundit profesionale që kam marrë pjesë kanë qenë: “Në det” e Slavomir Mrozek në regji të Qëndrim Rijanit në Teatrin Shqiptar të Kumanovës, “Vdekja e Dantonit” e George Buchner në regji të Dino Mustafiç në Teatrin Shqiptar të Shkupit, “Ballyturk” e Enda Walsh në regji të Qazmedin Nuredinit në Teatrin Ultra dhe “Ëndrra e shtatë studentëve” bazuar në “Ëndrra e një nate vere” nga William Shakespeare në regji të Qëndrim Rijanit – shfaqje diplome.

Aktori i ardhshëm duhet të sakrifikojë çdo gjë

Vazhdon rrëfimin Faton Ibrahimi: Nëse një maturant është drejtuar për në aktrim, do të sakrifikojnë çdo gjë vetëm e vetëm për të vazhduar aktrimin. Dobia e këtij “zanati” është që të jesh vetvetja dhe se të jep mundësi të shprehësh atë çfarë ke brenda vetes. Gjithashtu është edhe pasqyrë e problemeve sociale, ekonomike dhe politike. Veç kësaj, përmes filmit dhe shfaqjeve ne përcjellim edhe mesazh ose pasqyrojmë nivelin, gjendjen e një  populli dhe  vendi.

“Tani pasi mbarova studimet, mendoj të vazhdojë për master jashtë vendit dhe të kthehem prapë këtu”, premtoi Faton Ibrahimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button