Partitë me akuza për luftën kundër keqpërdorimeve të zyrtarëve në Maqedoni

Me urdhër të policisë financiare të martën rreth mesnate është ndaluar, Stevçe Jakimovski ish zyrtar i qeverisë së kaluar, i cili për tre mandate ka udhëhequr Karposhin, një nga komunat më të zhvilluara të Shkupit. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës në ndarjen e tenderëve për disa projektet në vitin 2012, kur drejtonte pushtetin lokal.

Nga policia financiare nuk ka dhënë detaje tjera duka ia kaluar lëndën Prokurorisë publike, e cila edhe ka njoftuar nisjen e hetimeve për këtë rast.

Por, pala mbrojtëse vlerëson se ndalimi i Jkimovskit nuk ka bazë dhe se rasti sipas avokatit, Viktor Cvetkovski është politikisht i motivuar për shkak të kritikave të vazhdueshme që ka drejtuar ai ndaj punës së qeverisë, por edhe qëndrimit të tij kundër referendumit, apo marrëveshjes për emrin me Greqinë.

“Vlerësoj se bëhet fjalë për sulm ndaj aktiviteteve politike të Jakimovskit. Edhe ai vetë këtë e ka thënë ndërsa ne do ta dëshmojnë si palë mbrojtëse gjatë procedurës së mëtejmë gjyqësore. Dëshmi për këtë është edhe koha kur është zgjedhur për të bërë ndalimin e tij. Jemi në periudhë të pushimeve dhe kur gjyqësori vepron në bazë të kujdestarive. Të zgjedhësh një periudhë të killë për një vepër të vitit 2012, nuk është gjë tjetër pos atak ndaj veprimtarisë së tij politike dhe për të tërhequr vëmendjen nga skandalet tjera në shtet”, thotë Cvetkovski.

Edhe VMRO DPMNE-ja e opozitës vlerëson se arrestimi i ish prefektit Stevçe Jakimovski nuk është asgjë tjetër pos ndjekje politike dhe se në këtë mënyrë LSDM-ja po i keqpërdor institucione për përballje me të gjithë ata që nuk mendojnë njëjtë, në përpjekje për të frikësuar opinionin që të mos kërkoj përgjegjësi për skandalet e përditshme.

“Shteti po rrënohet si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Jemi dëshmitar të plaçkitjes së paparë dhe të keqpërdorimit të resurseve shtetërore, të cilat mbulohen po fshihen me raste të sajuar, si kjo me Jakimovskin”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-së.

Por, nga LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla duke theksuar se lufta kundër keqpërdorimeve të ish zyrtarëve apo zyrtarëve aktual nuk ka të bëjë bindjet e tyre politike, por me vetëm se për punën që kanë bërë.

“Dëshmi për këtë është edhe rasti me makinën e MPB-së e cila është konstatuar se ka qëndruar në Greqi në mënyrë të jashtëligjshme”, thonë nga LSDM-ja lidhur me një rast tjetër të drejtorit të policisë Llazo Velkovski, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, për shkak se vajza e Velkovskit është kapur duke shëtitur në Greqi me makinë zyrtarë dhe truproje të angazhuar nga babai i saj.

Duke komentuar rastet dhe akuzat e ndërsjella, Arif Musa, ish anëtar i komisionit antikorrupsion, thotë se pushteti duhet të luftojë të gjitha dukuritë negative, apo keqpërdorimet që janë bërë dhe në këtë rast të mos lej asnjë dyshim se ndonjë nga këto raste mund të ketë edhe prapavijë politike.

“Brengosëse është qasja selektive e pushtetit ndaj zyrtarëve të tjerë të cilët tani janë pjesë e pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së. Pra, ka keqpërdorime edhe në radhë e strukturave të tyre, tek të cilët qartë duket se ka korrupsion, ka keqpërdorime dhe nuk ndërmerren masa. Kjo u jep arsyeje, argumente keqpërdoruesve të mëparshëm të cilët thonë se është hakmarrje politike. Zbatimi i ligjit duhet të jetë i njetë për të gjithë qytetarët dhe subjektet politike pavarësisht nëse janë në pushtet apo në opozitë”, thotë Musa.

Organet e drejtësisë aktualisht janë duke zhvilluar disa procese gjyqësore kundër ish zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës dhe në mesin e tyre është edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski dhe disa ish anëtarë të qeverisë që ai e ka drejtuar deri në vitin 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP