Ekonomitë e Ballkanit, qetësi para stuhie

Shkruan: Tim Judah për The Economist

Dekadën e shkuar anketuesit në Ballkan i kanë pyetur njerëzit në rajon për çdo pyetje të imagjinueshme. Kur përgatisin konkluzionet e sondazheve, ata duken thuajse të befasuar nga ajo që kanë gjetur, përkundër fakti se njerëzit vazhdimisht u thonë të njëjtat gjëra. Kjo ndodh për shkak se në përgjithësi, me përjashtim të kosovarëve dhe shqiptarëve, të cilët janë përgjithësisht më të rinj dhe kështu edhe më optimistë, shumica e njerëzve në Ballkan e ndjejnë veten mjaft të mjeruar.

Ata janë të shqetësuar në lidhje me vendet e punës, kujdesin shëndetësor, edukimin e fëmijëve të tyre dhe pensionet. Këto shqetësime materiale i preokupojnë ata më shumë se grindjet etnike apo dëshira për të ripushtuar territore që ata besojnë se kombi i tyre i ka humbur tek një fqinj.

Shumë njerëz kanë arsye të forta për tu ndjerë të depresionuar në lidhje me ekonominë. Siç deklaroi edhe Laza Kekiç, nga Economist Intelligence Unit, një organizatë simotër e The Economist, duke folur në një konferencë në Sofje, ekonomitë e Ballkanit gjithmonë kanë qenë më të varfra se ato në perëndim dhe në veri. Ato janë zhvilluar vetëm kur këto ekonomi kanë ecur mirë dhe kanë vuajtur kur ato kanë vuajtur. Kriza aktuale nuk është përjashtim.

Këtë javë një analizë nga EIU thekson se ekonomitë në tranzicion në Ballkan, që do të thotë ajo e Shqipërisë, Bosnjes, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë “kanë vuajtur më së shumti nga recesioni global i vitit 2008-2009. GDP reale në Ballkan është kontraktuar me 5.2 përqind në vitin 2009 dhe recesioni zgjati në vitin 2010 me rënien e GDP-së mesatare në 0.4 përqind”. Kjo ndodhi edhe për shkak se Rumania, më e madhja e ekonomive në Ballkan, i uli ndjeshëm shifrat.

Vitin e shkuar shumica e ekonomive në ish- Jugosllavi dhe Shqipëri u rrit në mënyrë modeste. Ekonomia serbe u rrit me 1.6 përqind, Maqedonia me 3 përqind, Bosnja me 1.2 përqind dhe Mali i Zi me 2.2 përqind. Këtë vit megjithatë parashikohet rënie tjetër. Ekonomia e Kroacisë nuk u rrit fare në vitin 2011 dhe pritet të kontraktohet me 0.6 përqind në vitin 2012.

Ndërkohë që disa vende në Ballkan mund të gëzohen madje edhe me një rritje modeste, problemi kryesor në Ballkan mbetet papunësia. Në Serbi, vendi më i madh në Ballkanin perëndimor, papunësia në nëntor të vitit të shkuar ishte 24 përqind, një rritje prej 10 përqind krahasuar me katër vite më parë. Në Bullgari papunësia mbetet në nivele modeste prej 11 përqind, por kjo vetëm për shkak se bullgarët, ndryshe nga fqinjët, kanë mundësinë për të lëvizur në vendet e BE për të punuar. Rreth një milion bullgarë mendohet se punojnë jashtë vendit, përfshi 600 mijë në Spanjë.

Të gjitha ekonomitë e Ballkanit janë të lidhura ngushtë me eurozonën, kështu që rënia në kërkesat e eurozonës ka goditur rëndë ekonomitë e tyre. Për shembull, në janar US Steel e riktheu fabrikën e çelikut të privatizuar Smederevo tek qeveria serbe për 1 dollarë për shkak të rënies së kërkesës për produktet e saj. Fabrika Smederovo punësonte 5.400 njerëz.

Megjithatë jo gjithçka është e zymtë. Serbia ka parë një rritje të investimeve të huaja direkte dhe shenjat e para janë se do ketë një bum turistik në Kroaci. Megjithatë, zilet e alarmit po bien, veçanërisht tek vendet e ndërthurura me ekonominë e sëmurë greke dhe me atë anemike italiane. EIU thekson se Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria eksportojnë 10-12 përqind të mallrave të tyre në Greqi.

“Për remitancat, Shqipëria është më e ekspozuara. Rreth dy të tretat e emigrantëve në Greqi janë nga Shqipëria. Maqedonia, Serbia dhe Bullgaria janë më vulnerabil në reduktimin e fluksit të investimeve të huaja direkte. Filialet e bankave greke në rajon janë një kanal i rëndësishëm për tu prekur nga kriza. Pjesa e bankave greke në Europën juglindore është rreth 20 përqind”.

Kudo që të shkosh në rajon njerëzit të thonë se jeta është e vështirë. Rrogat mesatare janë 491 euro në Mal të Zi, 360 në Serbi dhe në thuajse këto nivele kudo. Në kontrast çmimet janë të larta dhe po rriten akoma, veçanërisht për gjërat më të nevojshme. Me të ardhura në rënie, varfëri në rritje dhe papunësi, pasojat politike dhe mundësitë për trazira sociale kanë qenë deri më tani të kufizuara, vëren EIU. Si mund të shpjegohet kjo? EIU sheh tre faktorë.

“Së pari, rajoni ka avantazhet e prapambetjes, që shërbejnë në fakt si amortizues të ndikimit të rënies ekonomike. Kjo përfshin edhe sektorë relativisht të mëdhenj agro-bujqësorë dhe një rol të rëndësishëm të familjeve të zgjeruara. Së dyti, zhdukja e të majtës tradicionale dhe sindikatave në shumë vende nënkupton se nuk ka mundësi organizimi në demonstrata. Në fund, anketat e opinionit publik theksojnë se në rajon është dominuese apatia, mungesa e aktivizimit social”.

Pyetja e madhe që lind është nëse kjo do jetë e qëndrueshme. “A jemi dëshmitarë të një qetësie përpara furtunës, që do të nisë kur të intensifikohet kriza europiane, në një kohë që një faktor që duhej të shërbente si stabilizator i Ballkanit, është në mes të krizës së vet”, pyet EIU. E ardhmja e Ballkanit varet gjerësisht nga fati i eurozonës./TheEconomist/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button