Veprimet policore që s’parandaluan vrasjen e gruas dhe vajzës në Gjakovë

Dje në Gjakovë, gjegjësisht në fshatin Brekoc, ka ndodhur një vrasje e dyfishtë, ku ish-bashkëshorti ka vrarë me kallashnikov gruan dhe vajzën e tij nëntë vjeçare.

Ndërkaq, Policia ka bërë të ditur se para vrasjes së rëndë, viktima kishte raportuar në polici për kërcënimin që i kishte bërë i dyshuari, ish-bashkëshorti, por që policia nuk ka arritur të lokalizojë të dyshuarin në asnjë formë, madje as përmes telefonit.

“Dje në ora 16:00, viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, ka thënë Lirije Podrimaj, zëdhënëse e Policisë së Gjakovës, për KTV-në.

Sipas Policisë, në atë kohë ishte iniciuar rasti penal i klasifikuar si “kanosje” në konsultim me prokurorin e shtetit.

Ndërkaq, në raportin 24 orësh të PK-së, thuhet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Luigj Palaj” në Gjakovë në orën 21:22.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri dy viktima femra K/Shqiptare (bashkëshorten dhe vajzën e tij) duke u shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thotë PK.

Ndërkaq, nga i dyshuari, Policia thotë të jetë konfiskuar një AK-47.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button