Dasmat në Pollog si front lufte, për 6 muaj – tre të lënduar dhe dëme materiale

Persona të plagosur dhe dëme materiale, ky është rezultati nga të shtënat me armë zjarri në dasmat e Pollogut në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018-të, autoritetet bëjnë apel që të mos përdoren armë zjarri, në ahengje familjare pasi që është në kundërshtim me ligjin.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2018-të, në rajonin e Pollogut tre persona janë lënduar nga të shtënat me armë zjarri në dasma, thonë të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, të cilat i ka siguruar Portalb.mk.

Sipas të njëjtave, dy prej rasteve kanë ndodhur në qytetin e Tetovës, ndërkaq njëri në Gostivar. Sipas të dhënave, vetëm në muajin korrik, në Tetovë janë dëmtuar nëntë automjete me plumba nga të shtënat në dasma.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave që i ka siguruar Portalb.mk, në vitin e kaluar me armë zjarri të gjuajtur në dasma, në rajonin e Pollogut, lëndime trupore kanë marrë katër persona. Prej tyre, tre kanë ndodhur në Gostivar dhe një Tetovë.

25 vjeçari nga Tetova, Valdrin Lazami, është njëri nga të lënduarit nga plumbat që janë gjuajtur në dasma. Ai për Poralb tregon fatkeqësinë e tij e cila i ka ndodhur para tre viteve.

“Isha duke qëndruar në lagje, ishte mbrëmje dhe me disa shokë ishim duke biseduar, dëgjonim të krisma por nuk u frikësuam pasi që të shtënat në dasma te ne janë bërë më zakon, kur për një moment krahu i majtë mu lëndua dhe ndjeja nxehtësi, por nuk kisha dhimbje, pas disa sekondash vërej se filloi të del gjak dhe aty edhe nisëm dhimbjet, është një përvojë e hidhur dhe kisha fat që nuk më qëlloi plumbi në kokë apo në ndonjë vend tjetër ku mund edhe të kisha humbur jetën. Dua të bëj apel që të festohet me armë , gëzimi i ndokujt ishte një fatkeqësi për mua dhe besoj se si unë ka edhe shumë të tjerë“, thotë Lazami.

Rikujtojmë se gjatë vitit 2015-të, në Gostivar ka ndodhur një tragjedi ku një fëmijë 10 vjeçar u godit për vdekje nga një plumb qorr që ishte shkrepur në një dasmë afër shtëpisë së 10 vjeçar-it.

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, i rikujton qytetarëve, krismat janë në kundërshtim me Ligjin për Kundërvajtje ndaj Rendit dhe Qetisë Publike, ndërsa gjobat për këto lloje të kundërvajtjeve, lëvizin prej 200 deri 500 euro në kundërvlerë të denarit. Krahas kësaj, duke marrë parasysh pasojat, krismat mund të llogariten edhe si vepër penale “shkaktim rrezik të përgjithshëm”, për të cilën është i paraparë dënim me burg, me kohëzgjatje prej një deri pesë vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button