BOTË E MAHNITSHME

Ka shumë arsye që ta duam këtë botë, sepse aty kanë ndodhur gjëra të mahnitshme. Aty ka ndodhur shpikja më e madhe: alfabeti, që mundëson mbartjen e dijes dhe përvojës nga njëri brez te tjetri.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë, thjesht për shkak të shumë veprave monumentale, krijuar që në moshën fëmijërore të njerëzimit, kur njeriu filloi të besonte se mund ta mposhtte vdekjen. U zhgënjye kur e kuptoi se nuk mund të ishte i pavdekshëm, e më pas e gjeti qetësinë kur u bind se pavdekësia sigurohet duke bërë vepra të mira.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë për shkak të kryeveprave të Homerit, që së bashku me Hesiodin ia dhanë qytetërimit tonë perënditë dhe thërrmijat që ushqyen krijuesit gjenialë të antikitetit, sikurse janë: Eskili, Euripidi, Sofokliu e të tjerë. Eskili i dha përmasë të re mitit të Prometheut – iluministit të parë të njerëzimit – që e ndihmoi njeriun të bëhej subjekt i kësaj bote dhe jo të ishte vetëm objekt në duart e të gjithë pushtetshmëve.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë edhe për shkak të Aristotelit dhe Platonit, veprat e të cilëve ndikuan në formësimin e Europës, por edhe për shkak të Virgjilit, që shkoi përtej Homerit, por mbeti “kryevepra e tij”.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë edhe për shkak të librave të shenjtë, që na bëjnë më njerëzor, më të fisëm, përkundër atyre që vrasin duke i keqpërdorur mësimet e shenjta.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë për shkak të Dantes, gjeniut të dy epokave, që na mundësoi ta kuptonim se drejt parajsës ecet nëpërmjet dashurisë dhe se shpirti i rënduar me mëkate nuk mund të ngjitet në qiell.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë për shkak të dy gjenive: Servantesit dhe Shekspirit, që u shuan në të njëjtën ditë, por lanë pas veprat e përgjithmonshme.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë për shkak të Volterit e Monteskjesë, që zgjeruan kuptimin mbi lirinë njerëzore; për shkak të Gëtes, Balzakut, Stendalit, Tolstoit, Çehovit, por edhe për shkak të Dostojevskit që besoi se kjo botë mund të bëhej më e bukur nëpërmjet artit. Ishte ai që e zgjeroi botëshikimin tonë mbi të mirën dhe të keqen njerëzore.

Në këtë botë krijoi edhe “princi i qelbësirave” me emrin Sharl Bodler, një emër që i vjen njerëzimit njëherë në një mijë vjet. Ia dha ai botës të bukurën e shëmtisë: “Lulet e së keqes”, ku kishte derdhur gjithë pasionet dhe forcat e tij demoniake.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë për shkak të Kafkës e Kamysë, Cvajgut e Markesit, e qindra shkrimtarëve e mendimtarëve të tjerë. Ose: për shkak të Beketit e Buxatit, që na mundësuan të krijonim një botëshikim të ri mbi pritjen ekzistenciale.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë edhe për shkak të Borhesit dhe Ekos, që na bindën se te çdo tekst janë zërat e teksteve të tjerë dhe se mendimi njerëzor u filigranua me punën e mijëra maestrove të njohur e të panjohur. Këta na mësuan edhe si të lexojmë ndryshe. Ata që i kanë lexuar Borhesin dhe Ekon e dinë se sa të paditur janë ata që kanë neveri për citimet dhe referencat.

Ka shumë arsye ta duam këtë botë edhe për shkak të Emil Sjoranit, vepra e të cilit, ashtu sikurse e vepra e Shekspirit, është pasqyrë ku shohim të zitë e zemrës sonë.

Duhet dashur kjo botë për shkakun e më të dashurve tanë, që na duan pa kërkuar asgjë në kundërvlerë.

Kemi arsye ta duam këtë botë, sepse Zoti e krijoi si perlë në gjirin e Gjithësisë.

Kam mijëra arsye që emrat e lartpërmendur t’i admiroj deri në përkulje. Për shkakun e tyre, për nderin e tyre, për dashurinë ndaj tyre, nuk mund të urrej dhe nuk besoj në parulla. Ata janë pikat orientuese në jetën time dhe jo disa lider(th)ë, që janë vetëm shfaqje e përkohshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button