UDHËTIMI PËR NË KUTADI

Ne udhëtojmë për, udhëtojmë, udhëtojmë më duket nja njëqind vjet, por nuk jemi marrë vesh se ku shkojmë. Jemi nëntë udhëtarë burra e nëntë gra. Burrat janë: Shani, Kola, Samiu, Besimi, unë Mehmeti, Ardi, Arbi, Diku dhe Luka. Gratë nuk kanë emër. Ato i thërrasim: “Ej, a nin bre!… Oj fisnike!…  Arbi pyet:

–   Mirë, po ku po shkojmë ne, vllazën e motra? Ata i kthehen njëzëri:

–   A s’po e sheh ti se jemi nisur në udhë, a s’po e sheh se udhëtojmë?

–   Ku, bre?

–   Ku janë krejt turqit, aty edhe Hasani lakuriq, thonë sllavët. Kurse Arbi, si e do zakoni – hesht. Nuk e zgjat muhabetin. Ashtu e lyp kuvendi. E vendi. Mirëpo Luka insiton ta dijë se ku shkojmë.

–   Në Kutadi, i përgjigjet njëri.

–    Po ku është kjo Kutadia?

–     Fshati fqinj.

–     Uaaa! i shpëtoi pasthirrma një gruaje. – Në fshatin fqinj shkuakemi e udhëtojmë njëqind vjet!

Të gjithë burrat e shikuan vëngër gruan. Pastaj ra një heshtje e rëndë.

Dhe, ne kështu udhëtojmë, ecim tutje.  Jemi të përgatitur si kah ne. Dikush është me opinga, dikush me këpucë të vjetra, po të gjithë kanë nga një parë rruzare në dorë. Shikoj unë disa rruzare janë me kryqa, disa pa to, vetëm me një tufë mëndafshi. Midis këtyre burrave dikush ka mjekër, dikush jo. Po edhe mjekrat janë të ndryshme. Disa mjekroshë i kanë hequr mustaqet, të tjerët më shumë krenohen me mustaqet se me mjekrën. Ka edhe të atillë që kanë vetëm mustaqe, po ka ndonjë edhe me mjekër e mustaqe të rruara. Ka edhe dallime të tjera midis nesh. Dikush mban kësulë të bardhë, dikush terllëk të verdhë Arabistani, dikush terllëk të zi, ndonjëri është me kaçketë, ndonjë  me cilindër mbi kokë. Gjendet ndonjë edhe kryeshtruar, si Arbi, bie fjala. E kështu me radhë. Lara-lara. Gratë, ndërkaq, janë të veshura disa alla turka, me terlika, me shamia e me dimija, të tjerat janë të veshura alla franga – me bluza të mëndafshta krahshkurta dhe me funda të ndryshëm. Kështu udhëtojmë… Ne burrat ecim përpara, gratë dy-tre hapa pas nesh, herë të heshtur, herë duke u hangër mes vetes për ndonjë mizë. A për ndonjë shkëmb: pse është i tillë e pse s’është i atillë. Pse në benë ka myshk e lëmashk e pse në shullë s’ka. Problem më serioz mbetet gjithëherë miza: a është mizë shtëpie, apo mizë fushe. Ka ndonjë prej nesh që thotë se nuk është as mizë shtëpie, as mizë fushe, po thotë:  është mizë kuajsh. Ne këto grindje shpesh përlahemi e dikush besa del edhe i përgjakur nga ato zënka.

Udhës sonë shpeshherë ngrihet mjegulla e dendur ose ndonjë pluhur të cilin e sjell era prej dikah. Atëherë jemi të detyruar të ulemi derisa të pastrohet horizonti para nesh. Kur ulen udhëtarët, çfarë të bëjnë, ia nisin muhabetit. Flasin gjatë derisa të çohet mjegulla ose të qetësohet pluhuri. Gjithmonë tema më e dashur jona është ajo për dallimet midis nesh:

  • Pse janë rruzaret tua me kryq?
  • Po pse tuat janë pa kryq?

Pse, pse?…  Kjo temë zgjatet e stërgjatet, tiret e hollohet dhe deshe s’deshe na qet në ndonjë temë tjetër. Më shpesh dalim te tema e moralit. Ardi vazhdimisht u thotë:

  • Mos hyni bre në labirinthin e moralit!
  • A përsëri morali? pyes unë.
  • Hesht Mehmet para hoxhës! – vazhdimisht ma tërheq vërejtjen Diku.
  • Çfarë është ky morali? – pyet një grua.

–  Morali është tërësia e parimeve, normave, zakoneve që kanë të bëjnë me sjelljen dhe marrëdhëniet midis njerëzve të cilat i imponohen individit ose bashkësisë, në përputhje me kriteret e përgjithshme për të mirat të cilat i ka një shoqëri e caktuar, – thotë me një dozë nervoze Arbi..

  • Asgjë s’morëm vesh! ia kthen Kola. Ndërsa Shani i shpjegon:
  • Kolë, e moralshme është të shkohet me opinga, e pamoralshme – me këpuca.

–     Hiqmu bre me ato opinga!… bërtet Luka dhe shton: – Vëllezër, kësulës së bardhë i ka kaluar koha, ndërsa kaçketa është e pamoralshme. Ne duhet të mbajmë terllëka.

Disa pajtohen, disa jo. Gratë vetëm shikojnë dhe qeshin pa zë.

–     Kësula… S’e përfunduam çështjen e kësulës… thotë Luka. – Çfarë lidhjeje ka kësula? Ta përfundojmë. Askund nuk shkruan a duhet kësula, a s’duhet. Pastaj askush nuk mban sot kësulë. Lereni kësulën! Unë po ju pyes unë juve: a duhet të mbajmë pantallone të shkurtra mbi zog të këmbës, apo të mbajmë pantallone si deri më tash, evropiane. Çfarë është morale këtu?

  • Këto që janë të shkurtra mbi zog të kamës! thotë Samiu. Këto janë morale të mbahen.
  • Jo bre!

Çohet mjegulla. Burrat ngrihen dhe e vazhdojnë udhëtimin, kurse tre a katër hapa pas tyre e marrin udhën edhe gratë. Ecim. Udhëtojmë. Pas nesh lehin qentë. Pas nesh dëgjojmë të shtëna. Ne ecim e heshtim. Kryelëvarur. Pastaj ngrihet një pluhur i dendur. I kuq. Ne ulemi.

  • Ku na mbeti muhabeti? Te morali? pyet Besimi, hoxhë Besimi.
  • Po.

–    Gjithë ato që u thanë s’kanë peshë. S’janë me rëndësi fare. Unë them, – ndërhyn hoxhë Besimi, ështje kruciale është veshja e femrës. Nuk është e moralshme gruaja të dalë në rrugë pa shami, si do-do këtu. Dhe, me fund të shkurtër. Dhe, me frizurë të rregulluar. Dhe, me këpucë me take. Dhe, me makiazh. Kjo, është e pamoralshme! As kësula s’është gjë, as pantallonet e burrave. Po morali lidhet me veshjen e grave. Pikë.

  • Çfarë lidhjeje ka kjo me moralin?
  • Ka, ka, siç ka lidhje me moralin kur femra ka dashnor.
  • Auuu veshja me dashnorin!

–      O zot i madh, unë nuk mendoj ashtu, – thotë Arbi. Mendoj se nuk është e moralshme të gënjesh, e pamoralshme është të thyhen dyqanet e të vidhen shtëpitë e huaja, e pamoralshme është t’i impohet dikujt mendimi, të keqpërdoret pozita zyrtare, e pamoralshme është që nën mbulojën e një ideologjie të shkelen ligjet dhe e pamoralshme është  të pasurohesh përmes tenderëve.

Ndalet e shpërndahet  mbështjellësja e kuqe e pluhurit. Ne vazhdojmë udhën. Ecim me opinga të grisura, me këpucë të hëngërta. Ecim. Ecim. Dhe, kur, para nesh del një plim i pafund, i paparë, korbash. Normalisht ndalemi. Korbat krrakasin… Krrakasin! Ne ulemi, ata sillen rreth nesh. Ne ia nisim muhabetit, të tregojmë se s’ua varim korbave. Nuk dihet sa s’ua kemi frikën.

  • Sa i përket moralit, mendoj se edhe përdorimi i gjuhës… – mundohem ta shtroj unë çështjen e gjuhës shqipe.
  • Po, hajde more! Mos ia fut kot. Nga veshja dole te gjuha!
  • Prit, prit, më ndërpresin njëzëri klerikët. Çfarë deshe të thuash me gjuhën?

–     Çfarë të pres, – u them klerikëve, çështja e gjuhës sonë trajtohet keq nga shteti dhe nga ideologjitë fetare. Qëndrimi i të gjithëve është tendencioz. Unë mendoj se gjuha jonë shqipe është e shenjtë dhe shenjtëria e tij na ka ruajtur neve. Atë duhet ta mbrojmë!

  • Hajde, hajde… Është gjuhë e kësobotshme! – thonë klerikët. Njëri nga ata shtoi:
  • Greqishtja është gjuhë e amshimit.
  • Edhe sllavishtja! thotë tjetri.
  • Nuk është as shqipja, as greqishtja, as sllavishtja!… arabishtja është gjuhë me të cilën do të flasim në botën tjetër… E pamoralshme është të anashkalohet arabishtja.

–    Unë u lodha, – thashë. S’e ndërroj dot mendimin tim për gjuhën shqipe. Ju si të doni. Po tash dua të më tregoni ku po shkojmë ne?

  • Atje ku na shpie fati, në shatin fqinj, u përgjigjën klerikët.

Gratë heshtnin, partizanët partiakë qeshnin me ironi, klerikët mbanin qëndrim hijerëndë.

Dikush e nxori revolen dhe shtiu. Ne i ulëm kokat dhe i mbrojtëm me duar. Kurse ne vazhduam udhën në KUTADI. Të lehurat vazhdimisht na ndjekin. Edhe mjegulla. Edhe pluhuri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button