Intervistë me Ben Apollonin: Leshatukët i hodhën themelet e teatrit, kurse unë do ta bëj model rajonal

Banorët e Kaçanikut dhe më gjerë, për herë të parë në gusht patën rastin të përjetojnë krijimtari teatrore në vendin e tyre, dhe kjo falë këmbëngulësisë së regjisorit Ben Apolloni dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shfaqja u quajt “Këngëtarja leshatuke” dhe erdhi si antitezë e artit komercial dhe jo të mirëfilltë – që ka marrë hov të madh në trojet shqiptare, por në skenë ajo erdhi si transformim i veprës “Këngëtarja tullace” e Eugene Ionesco-s, kryevepër e teatrit të absurdit.

Në mungesë të një objekti vetanak, shfaqja u dha në objektin e Pallatit të Kulturës në Kaçanik, objekt ky që deri pas luftës së 1998, ka shërbyer si artësim i popullatës së Kaçanikut dhe Hanit të Elezit . “Artësim” sipas regjisorit Bekim Lumi (17.12.1966 – 30.07.2018), për nder të së cilit u dha premiera “Këngëtarja leshatuke”, ka kuptimin e përmbushjes, e formimit, e lartësimit, e emancipimit, e iluminimit dhe e fisnikërimit përmes artit. Edhe premiera reflektoi simbolin e Shtëpisë së Kulturës, por kësaj radhe nëpërmjet trupës teatrore e cila kishte aktorë sa nga Kaçaniku, aq nga Hani i Elezit.

Dhe në një objekt mbuluar me vargmale të Malit Sharr, që thyen edhe kufinj gjeografik, e tillë erdhi edhe kjo shfaqje në Kaçanik – theu kufinj gjeografik dhe kohor. U vizitua nga artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Megjithëse premierat dinë të mbushin karriget e para të publikut me politikanë, në këtë premierë mungoi edhe i pari i komunës.

Në intervistën e realizuar për Portalb.mk, regjisori Ben Apolloni vlerësoi se meqë “Këngëtarja leshatuke” apo “leshatukët”, siç i quan aktorët e shfaqjes hodhën themelet e Teatrit të Kaçanikut, premtoi se të njëjtin do ta bëj model për tërë rajonin.

Salla plot gjatë premierës “Këngëtarja leshatuke”

A u tentua të artësohet banori kaçanikas me shfaqjen “Këngëtarja leshatuke“?

Po, desha që publikut kaçanikas t’i ofrojmë diçka vërtetë artistike dhe zgjodha këtë dramë, sepse konsideroj se është asi vepre artistike që mund të cilësohet si: art për art. Zgjodha t’i ofrojmë një vepër të njohur e të pranuar botërisht , siç është “Këngëtarja tullace” e Eugene Ionesco-s, kryevepër e teatrit të absurdit sepse edhe pse ne Kaçanik ka munguar jeta teatrore, e di që qytetarët këtu kanë shije të hollë.

“Unë jam rrit në këtë qytet dhe e di që njerëzit kanë shije shumë të hollë për muzikën por edhe për artet tjera, por që periudha e viteve të ’90 i ka bërë që të mos kenë mundësi ta ndjekin as teatrin, as kinemanë… e që , kjo ndërprerje, për fat të keq, ka vazhduar edhe pas çlirimit të Kosovës”, tha Apolloni.

Vazhdon rrëfimin për “Këngëtaren leshatuke”: Shfaqja trajton kotësinë njerëzore, jetën boshe të personazheve, jetë çfarë në shoqërinë tonë bashkëkohore bëjnë shumica.  Ionesco është një mjeshtër i humorit të hollë, shpotitës dhe edhe unë jam munduar që në frymën e tij ta ndërtoj këtë shfaqje të cilës dhe ia kam ndryshu titullin nga “Këngëtarja tullace” në “Këngëtarja leshatuke”, pasi që mendoj se ky titull është më qesharak dhe provokues për audiencën tonë dhe janë disa elemente që unë kam futur në shfaqje ku tallem me vendin tonë, e jo vetëm,  që po shkon për lesh.

E dimë se është herët të flitet për efektin të cilin ju e synuat me këtë shfaqje  – themelimin e teatrit të Kaçanikut. A mendoni se ju i hodhët themelet e tij?

Padyshim që kjo shfaqje është themel i Teatrit të Kaçanikut, për themelimin e të cilit po punojmë. Fundja edhe qëllimi kryesor se pse e bëmë këtë shfaqje, ishte që të bëjmë një lloj fushate apo matje të pulsit të qytetarit të Kaçanikut në raport me teatrin. Publiku e priti shumë mirë shfaqjen. Për tri netë, salla e Shtëpisë së Kulturës ishte e stërmbushur dhe ky fakt na e dëshmoi se Kaçaniku e do teatrin dhe unë ju premtoj se Kaçaniku do ta ketë Teatrin e tij.

“Madje ju premtoj se do të jetë një teatër qyteti model edhe për teatrot tjerë në Kosovë e rajon”, tha Apolloni.

Nga tërë procesi i realizimit të një shfaqje, pjesa më e vështirë është hedhja në skenë – premiera. Si e përjetuat këtë moment?

Po, prezantimi para publikut ka qenë një moment shumë emocionues, më emocionuesi në karrierën time si regjisor. Premiera kishte zgjuar interesim shumë të madh dhe salla ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit. Është dashur që t’i lusim njerëzit që të kthehen dhe të vijnë në repriza.

“Kam pasur shumë emocione, njëjtë edhe aktorët. Shfaqja shkoi shumë mirë. Publiku e duartrokiti gjatë, shumë gjatë. Kjo na bëri me lot. Por edhe spektatorët qanin nga gëzimi. Premiera ishte një natë gëzimi, por që kishte edhe shumë lot”, flet Ben Apolloni duke kujtuar natën e parë të premierës dhe sallën plotë me artdashës.

Duket një punë jo e lehtë. Çfarë ndodh deri te hedhja në skenë e një shfaqjeje?

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë pjesë e grupit iniciator për themelimin e Teatrit të Kaçanikut, përveç  Arjola Demirit e cila ishte mysafire në këtë projekt. Pra, unë shfaqjen e kam realizuar me aktorët që do të jenë rezidentë të Teatrit të Kaçanikut dhe mund të them me shumë kënaqësi se ekipi ka funksionuar në mënyrë perfekte dhe se për një kohë rekorde, më pak se një muaj, kemi arrit ta realizojmë një shfaqje aspak të lehtë. Kjo shfaqje, përveç tjerash, më ka gëzuar se unë kam zbuluar se në Kaçanik dhe Han të Elezit  ka aktorë të shkëlqyer dhe me padurim pres të punoj projekte tjera me ta.

Pse pikërisht këtë vepër? 

E kam zgjedhur këtë vepër sepse mendoja se me përshtatej me ekipin e aktorëve që kisha në dispozicion dhe më duket se mirë kam bërë që e kam përzgjedhë sepse rezultoi një realizim i suksesshëm teatror. Shfaqja nuk ka tendenca që të identifikohet me një qytet, më një lokalitet, por trajton probleme universale e në këtë universalitet, sigurisht që gjendet edhe Kaçaniku si qytet. Kam bërë modifikime, kam futë ide të të mijat në vepër, por kjo është puna e regjisorit që nga një vepër dramatike të inskenuar në qindra ose mijëra teatro, të krijoje një shfaqje të re, të pa parë më parë.

Karaktereve u dhanë jetë aktorët: Arjola Demiri, Lulzim Rexha, Qëndresa Loki, Armend Ballazhi, Osman Isa dhe Lind Berisha.

Me shpresën se “Këngëtarja leshatuke” do të përshkojë festivale si brenda dhe jashtë Kosovës, dhe të afrohet të çdo artdashës shqiptar, të flasim pak për atë: Çfarë pas kësaj shfaqje?

Po, shfaqja pritet të udhëtoje edhe nëpër qytete e shtete tjera. Nëpër festivale. Tashmë ka edhe ftesa për festivale. Unë si autor i shfaqjes shpresoj që rruga e “Këngëtares…” të jetë e gjatë! Të shohim se deri ku e kur do t’i dëgjohet zëri.

Pas kësaj shfaqjeje, po bëhem gati që në mes të gushtit të filloj provat për një shfaqje të re, një tragjikomedi të shkruar nga vëllai im, Ag Apolloni, që do ta vë në skenën e Teatrit “Adriana” në Ferizaj. Pra, do të vazhdoj me prova, do të vazhdoj me teatër.

Por arti teatror nuk është e vetmja fushë ku jeni aktiv. Jeni pjesë e projekteve të financuara nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë në fushën e filmit. Për çfarë projekti bëhet fjalë?

Unë kam studiuar për teatër dhe film dhe mundohem që paralelisht të punoj në dy këto fusha që aq sa kanë të përbashkëta kanë edhe dallime. Për mua teatri dhe filmi janë dy dashuri që nuk mund t’i ndaj se cilën e kamë më për zemër.

Një nga projektet që do ta realizoj këtë vit është edhe filmi i shkurtër “Bebja” i financuar nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë, dhe jam shumë i gëzuar që ky projekt i imi ka marr përkrahje dhe do të jetësohet. Për këtë e falënderoj Agjencinë e Filmit e sidomos producentin Halim Luta që ka qenë edhe insistuar që të aplikojmë dhe ta bëjmë këtë skenar timin film.

Aktorët, vendxhirimet dhe ekipi teknik janë përzgjedhur. Aktorët kryesor janë: Ismail Kosumi dhe Fatlume Bunjaku kurse filmi do të xhirohet në Shkup. Kemi ende punë për tu bërë gati për xhirime por besoj që brenda këtij viti filmi do të realizohet.

Ben Apolloni gjatë provave të shfaqjes "Plaçkitësit"

Ben Apolloni gjatë provave të shfaqjes “Plaçkitësit”

“Bebja” – reflektim i karakterit prindëror

“Bebja” është një tregim për një çift të ri bashkëshortor, që gjenden në një situatë të jashtëzakonshme  dhe përmes raportit që kanë me situatën dhe bebën e tyre, shpërfaqin karakteret e tyre. “Bebja” është një tregim që ua bënë një rëntgen personazheve të nënës e babait.

Por “Bebja” nuk është vepra e parë kulturore që ju e sillni në Maqedoni. Para një kohë ishit në Kumanovë. Çfarë ndodhi atje? 

Po, unë edhe më parë kam bashkëpunuar me artistët nga Maqedonia dhe mund të them lirisht se kam shumë miq atje dhe me kënaqësi do të bashkëpunoj edhe në të ardhmen, qoftë në film apo teatër. Në fillim të këtij viti kisha premierën e shfaqjes “Plaçkitësit” në Teatrin e Kumanovës. Në përgjithësi kam kaluar mirë, por mendoj që atij teatri, apo më mirë me thënë Dramës Shqipe i duhet një objekt më vete dhe një drejtues, një menaxher. Trupa e aktorëve është mjaft e mirë, madje ka potencial që të punoje vepra konkurruese me të gjithë teatrot në rajon, por vuan nga mungesa e hapësirës së punës. Uroj që kjo të bëhet sa më parë!

Meqë jeni aktiv në tre shtete: Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Në aspekt të teatrit çfarë i dallon dhe i bashkon këto shtete?

Artistët në të tri këto shtete vuajnë nga probleme të ngjashme: nuk vlerësohet puna e tyre sa duhet dhe nga politizimi i institucioneve kulturore. Kam takuar e bashkëpunuar me aktorë që janë të nivelit të lartë, evropian e  botëror, por që u mungon motivi për të dhënë më të mirën në skenë ose në sheshxhirim. Mendoj se këto tri shtete duhet të kujdesen më shumë për artin, kulturën sepse ka artistë shumë të mirë dhe ne si rajon mund të konkurrojmë në botë vetëm me kulturë e me sport. Fundja ne jemi nga Ballkani i cili nga evropianët e mençur konsiderohet si burimi i kulturës evropiane.

Deri tash folëm për Benin profesional. Si është Ben Apolloni jashtë artbërjes?

Kjo është pyetja më e vështirë sepse më duket që më së paku e njoh Benin jashtë teatrit e filmit, jashtë artit.

Jam shkolluar në Prishtinë për regjisor teatri e filmi. Mbaj titullin Master i Regjisë së filmit, por që ky titull asnjëherë nuk më ndihmon kur ulem me shkru ose më kriju një shfaqje. Mundohem të lexoj sa më shumë, të shikoj filma shumë, dëgjoj muzikë, vizitoj ekspozitat e lexoj për piktorët e ndryshëm. Jetoj me nënën Zebushe dhe vëllain e vogël, Alfredin, por kam edhe vëllain tjetër, Agun, që është shkrimtar e që jeton kryesisht në Prishtinë.

“E di që kam lindur në Stagovë të Kaçanikut (kështu më shkruan në certifikatë), në vitin kur Alfred Hitchcock ka ikur nga kjo botë, pra, më 1980 dhe ky fakt nganjëherë më bën të mendoj se unë mund të jem riinkarnim i shpirtit të mjeshtrit të madh. Sigurisht që këtë e mendoj kur dua t’ia bëj qejfin vetës”, tha Ben Apolloni.

Çfarë do t’i këshilloje lexuesit e kësaj interviste?

Lexuesit i këshilloj të lexojnë.  Një nga cilësitë më të mira që mund të ketë një njeri është shprehia për të lexuar.

“Leximi na bënë që të jetojmë jetën më të plotë, leximi na bënë njerëz më të mirë”, tha Apolloni duke përfunduar me:Faleminderit shumë për këtë intervistë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP