Shkup, u organizua programi tradicional i synetit

Në Kalanë e Shkupit të shtunën u organizua programi tradicional i synetit të 300 fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e fëmijëve ka edhe fëmijë jetimë ndërsa programi u organizua në bashkëpunim të Komunës së Bursës, Komunës së Çairit dhe Shoqatës Humanitare El-Hilal.

Ceremonia filloi me leximin e Kur’anit dhe vazhdoi me shfaqjet e grupeve të ndryshme folklorike.

Kryetari i Komunës së Bursës, Alinur Aktaş në fjalimin e tij tha se nuk është e mundur që Ballkani dhe Turqia, e sidomos Bursa të mendohen të ndara nga njëra tjetra. Sipas tij, organizimet dhe investimet e bëra në këtë vend do të vazhdojnë duke u rritur.

“Unë dëshiroj të falënderoj nga zemra sidomos Shoqatën El-Hilal, kryetarin e shoqatës zotëri Behixhudin dhe miqtë e tij për përpjekjet dhe punën e madhe në realizimin e organizimeve të tilla, si të iftareve, ceremonisë së synetit, ashureve, si dhe për të gjitha ceremonitë e tjera”, tha Aktaş.

Ai tha se ashtu si gjithmonë, Komuna e Bursës do të vazhdojnë që ta mbështesë Ballkanin. Aktaş po ashtu falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar, si MÜSİAD-i dhe Komuna e Çairit.

Kryetari i Shoqatës El-Hilal, Behixhudin Shehabi tha se këtë vit po e organizojnë për herë të 13-të një ceremoni të tillë të synetit të fëmijëve.

“Komuna e Bursës dhe Shoqata Humanitare El Hilal ofrojnë aktivitete arsimore për fëmijët. Fëmijët jetimë po qëndrojnë 2 javë në Bursa, më pas organizojmë ditën e Ashures, gjatë muajit të Ramazanit shtrojmë iftare për rreth 1 mijë persona. Kështu që edhe ceremonia e synetit është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të këtyre aktiviteteve. Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me punë të tilla”, tha Shehabi.

Ndërsa këshilltari i Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan theksoi rëndësinë fetare të synetit. “Ashtu sikurse ezani që tregon se një vend është vend musliman, edhe syneti është një prej shenjave të rëndësishme që tregon se një mashkull është musliman”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button