Prizren, fillon edicioni i 17-të i “DokuFest”-it

Në qytetin e Prizrenit sot filloi edicioni i 17-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, ku pritet të shfaqen mbi 260 filma, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren sot u bë hapja ceremoniale e festivalit DokuFest, në kuadër të të cilit më shumë se 260 filma të përzgjedhur do të shfaqen në kinema të ndryshme, të mbyllura apo të improvizuara në qiell të hapur në qendrën e qytetit historik të Prizrenit.

Ky festival nëntë ditorë është i njohur për atmosferën e cila gjallëron Prizrenin, qytet i cili tanimë si tradicionalisht është mbushur me vizitorë të shumtë si nga qytetet tjera të Kosovës, po ashtu edhe nga turistë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

DokuFest i cili konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë në Kosovë e më gjerë, për edicionin e sivjemë do të shfaq filma dhe aktivitete të ndryshme me temën “Reflektimi”.

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari në një deklaratë për AA-tha se DokuFest është një prej ngjarjeve kryesore kulturore jo vetëm në Prizren e Kosovë por edhe më gjerë, e cila sipas tij, kontribuon mjaft në avancimin e kulturës, sidomos të filmit në këtë vend. Ai bëri të ditur se këtë vit presin një numër rekord të mysafirëve dhe të pjesëmarrësve në DokuFest.

“Janë rreth 500 mysafirë që vijnë e që janë direkt të lidhur me festivalin, por mendojmë që gajtë 9 ditëve të festivalit Prizrenin do të vizitojnë së paku rreth 50 mijë vizitorë”, tha ai.

Duke bërë të ditur se në edicionin e sivjemë të festivalit do të shfaqen rreth 260 filma nga rreth 40 shtete nga mbarë bota, Nurkollari tha se “Kemi mbi 260 filma, 102 filma janë në 6 kategori garuese, pjesa tjetër e rreth 160 filmave janë të shpërndarë në 50 kategori tjetra të programeve speciale që nuk janë garuese”.

Ai po ashtu bëri të ditur se në festival do të shfaqen të paktën 5 filma të cilat janë xhiruar në Turqi.

Nurkollari njoftoi se filmat do të shfaqen në 9 kinema, 5 prej tyre në kinema në qiell të hapur, kurse 4 të tjerë janë kinematë e mbyllura.

Në kuadër të festivalit përveç shfaqjes së filmave e dokumentarëve organizohen edhe aktivitete të ndryshme si punëtori, debate, panele, ekspozita të fotografive, programe e shfaqje, ligjërata si dhe koncerte të njohura si “DokuNights”.

DokuFest do të zgjasë deri më 11 gusht dhe do të mbyllet me programin ku do të shpallen fituesit e filmave garuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button