VITI I SKËNDERBEUT DHE HIRA SHQIPFOLËSE

Viti 2018 është shpallur viti i Skënderbeut – kryeheroit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që i ka degdisur fati i jetës. Është ky një rast i mirë për ta kujtuar të shkuarën, për të marë mësimet e duhura prej saj dhe për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e skenave historike përgjatë të cilave kemi ardhur duke u pakësuar në numër dhe duke u tkurrur në territor.

Ja, kaloi gjysma e vitit të Skënderbeut, në të cilin, mjerisht, krahas disa aktiviteteve të denja kulturore kushtuar Heroit, është përdhosur histeria antiskënderbejane, e mbështetur mediet paçavra, të shndërruara në jatakë mercenarësh albanofobë që kanë për mision konvertimin e Skënderbeut nga hero në tradhëtar, nga çlironjës në vrasës të shqiptarëve, nga bir shqiptari në pinjoll shkjau e më the e të thashë.

Shi për këtë, po ndalem shkurt në keqinterpretimet e bëmave të Skënderbeut dhe epopesë së tij të lavdishme nga kabilja e vogël po e zhurmshme e renegatëve shqipfolës, nga ata që jetojnë si të huaj brenda lëkurës së tyre të natyrshme, nga mercenarët të cilëve Heroi u ka mbetur halë në sy.

Këtë e bëj për të përcjellur një informatë ndryshe te lexuesit e keqinformuar, që sigurisht kanë nevojë për më shumë informacion rreth të vërtetave historike, sepse jemi dëshmitarë të tendencave të minimizimit të vuajtjeve shekullore të shqiptarëve dhe larjes së mëkateve të atyre që i shkaktuan këto vuajtje; të atyre që me shekuj nuk lanë të pipëtijë lirshëm asnjë shkronjë e vetme shqipe, ndërkohë që, në mes të tërritoreve shqiptare, hapën qindra shkolla të huaja; të atyre që, bashkë me sllavët, firmosën elaboratet gjenocidiste për deportimin tonë nga vatrat e të parëve…

Këtë e kam bërë që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, kur shkruaja me pseudonimin Jeton Pollogu, sepse pasojat që mund të sjellë fshirja e kujtesës historike nga memorja kolektive  janë të kobshme. Në një situatë të tillë hipotetike, nuk do të fshihej nga kujtesa vetëm Skënderbeu, sepse Ai në fakt është vetëm shkasi i një dënimi apokaliptik që tentohet t’i bëhet racës shqiptare. Heqja dorë prej epopesë së tij do të thotë braktisje e Rilindjes kombetare që ngjalli nga hiri shqiptarin e tjetërsuar shumëdimensionalisht, për ta shndërruar atë në qenie të vetëdijshme për rëndësinë e formimit dhe konsolidimit të njësisë së gjuhës, kombit dhe shtetit shqiptar.
Heqja dorë nga Skënderbeu dhe lënia e tij me zemërgjerësi të pakuptueshme në gjirin e të tjerëve do të thotë zhbërje e historisë 600 vjeçare, përgjatë së cilës është krijuar me aq mund e sakrifica gjithçka e vlefshme nga personalitete që u përkasin shekujve, krahinave, dialekteve, bindjeve dhe besimeve të ndryshme, që, falë Zotit dhe përkundër pikave të ngulura pa dhimtë në të përbashkëtat tona, akoma bashkëjetojnë harmonishëm dhe na bëjnë të respektuar përpara të tjerëve. Një skenar i tillë ogurzi do t’na lakuriqësonte për turp, do t’na shndërronte në qenie pa formë, do t’na bënte ardhacakë në vatrat stërgjyshore, më ardhacakë se ardhacakët që na i kanë futur një dajm të dy këmbët në një çizme të vetme.

Është koha ta kuptojmë se Skënderbeu e ka kryer kahmot misionin e tij fisnik atdhetar dhe ka ikur nga kjo botë më lavdinë që s’ia përdhosin dot zuzarët. Fundja, ne kemi nevojë për kujtimet e së shkuarës që lidhen me epopenë e tij, ne kemi nevojë për një kuotë të tillë prej bjeshke, sepse qytetërimet bashkëkohore maten me emrat e personaliteteve të shquara që ia kanë falur botës – atyre që kanë kapërcyer kufijtë e etnisë dhe u janë imponuar agorave më të mëdha.

Skënderbeu nuk i kanoset me asgjë të tashmes dhe të ardhmes sonë. Ai nuk na bën sot ndryshe prej asaj që jemi dhe duam të jemi.

Skënderbeu nuk është as tradhëtar, siç llomotisin mashat e tjetrit, sepse tradhëti kombëtare kanë bërë dhe bëjnë vetëm ata që luftojnë kundër atdheut të tyre, vetëm ata që mohojnë vijën e gjakut dhe tiparet identitare që Zoti i gjithfuqishëm ua bëri kësmet.

Skënderbeu nuk është as mit, as hero i shpifur nga pseudohistorianët e bolshevizmës së kuqe, siç pretendojnë mohësit e vlerave të kombit.

Të vërtetën e Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij duhet mësuar nga kronikanët e kohës, nga historianët e mirëfilltë evropianë dhe nga korifejtë e Rilindjes, si Naim e Sami Frashëri, të njohur për shkrimet e zjarrta mbi Kryeheroin tonë dhe nevojën e çlirimit të Atdheut nga zgjedha e huaj.

Nëse jo dëshmitë e të tjerëve, shkrimet e Naimit dhe Samiut – personaliteteve që me veprat e tyre e futën në borxh edhe shtetin e dikurshëm osman (veçmas Samiu)…, i bëjnë gjithsesi absurde pohimet e nastradinëve ordinerë që, i shtrembërojnë të vërtetat e mirënjohura historike për honoraret meskine me të cilët jetojnë kokërshpinas.

Së këndejmi, kujdes prej hirës shqipfolëse që përdhos kuotat më të larta të etnisë dhe që minimizon peshën që kanë ata për të tashmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve. Kujdes prej renegatëve që poshtërrojnë ditëpërditshëm personalitetet si Skëndërbeu dhe ngjarjet historike si epopeja e tij çerekshekullore, imazhin e së cilës do ta dëshironin etni shumë më të mëdha e më të qytetëruara se etnia jonë fatkeqe e mbetur në duar pezivengësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button