Referendumi i Maqedonisë, shqiptarët mbajnë rol thelbësor, nuk guxojmë të kemi mesazhe hutie

Shqiptarët duhet të dalin dhe të votojnë PO në referendumin për Marrëveshjen Maqedoni – Greqi, pasi që kjo do të thotë integrim i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO, që premton ardhmëri më të mirë. Nuk ka vend për skepticizëm dhe aq më pak thirrje për bojkot ose për përmbajte nga votimi, shkruan Portalb.mk.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator dhe do të mbajë pyetjen: “A jeni për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Analistët thanë për Portalb.mk se partitë shqiptare kësaj radhe duhet të bashkohen dhe të bëjnë thirrje për votim në referendum pasi që vota shqiptare luan rol të rëndësishëm në këtë proces.

Osman Kadriu
Osman Kadriu

“Duke marr parasysh rëndësinë e suksesit të referendumit, që të rregullohet statusi ndërkombëtar i Maqedonisë, partitë politike shqiptare duhet të jenë pro, sepse me votimin e referendumit hapen rrugët integruese.  Rëndësia e votimit është  shumë e madhe dhe shqiptarët luajnë rol të rëndësishëm. Me miratimin e referendumit dhe marrëveshjes dhe fillimin e negociatave do të përmirësohet statusi i qytetarëve që jetojnë në Maqedoni”, tha për Portalb, gjykatësi kushtetues Osman Kadriu.

Ai shtoi se nëse partitë shqiptare janë kundër dhe ndodh që të dështon referendumi, ato do të bartin një peshë të rëndë të përgjegjësisë për fillimin e krizës së re politike në vend.

“Partitë shqiptare me doemos duhet ta përkrahin këtë referendum sepse nëse ndodh e kundërta dhe dështon referendumi, Maqedonia do të hyn në  një krizë të re politike, dhe çdo krizë që krijohet frenon të drejtat politike dhe kushtetuese dhe realisht qytetarët duhet të kuptojnë që është i rëndësishëm që ai të jetë i suksesshëm. Shqiptarët duhet që në mënyrë masovike ta pranojnë dhe votojnë marrëveshjen me referendumin. Nëse ndonjë parti politike shqiptare është kundër apo e përmbajtur sa i përket referendumit, ajo do të ballafaqohen me përgjegjësi të mëdha nëse dështon referendumi”, shtoi Kadriu.

Gjithashtu njohësi i çështjeve politike, Mersel Bilalli thotë për Portalb.mk se mos përkrahja e referendumit do të thotë të mos përkrahni projektin e aleatit natyror shqiptar NATO-s është baraz me vetasgjësim.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

“Shqiptarët në asnjë formë nuk guxojnë, jo vetëm ta kundërshtojnë atë, por ata përkundrazi me mobilizimin ma të madh që mundet duhet të dalin në përkrahje të tij. Mendoj se Shqiptarët kohëve të fundit janë duke treguar pjekuri dhe përgjegjësi shumë më të madhe se sa disa liderë që thirren në emër të tyre. Them se duhet përkrahur me të gjitha forcat që kanë, pasi realisht me te përkrahin vetveten, familjen e tyre dhe popullin e tyre. Pra, mbetja në kurthin dhe pengun dekadent vero-vian pa dilemë se është vetëvrasëse edhe për shqiptarët. Të mos përkrahni projektin e aleatit natyror shqiptar NATO-s është baraz me vetasgjësim, e të mos flasim për prosperitetin ekonomik dhe të gjithëmbarshëm zhvillimor, pa të cilin të gjithë do të shpërngulemi nga vendlindja”, tha për Portalb. Bilalli.

Ai shtoi se ky referendum nuk guxon të dështojë.

“Referendumi nuk guxon të dështon, pasi ai do të ishte jo vetëm dështim i të gjithë neve, por dështimi eventual do t’i inkurajonte forcat më të errta shovene, kriminale dhe proruse në vend”, shtoi ai.

Ndryshe, një nga partitë më të mëdha opozitare shqiptare në vend, Aleanca për Shqiptarët ishte e “përmbajtur” në ditën e shpalljes së referendumit. Nga ASH-ja nuk deklarohen se si do ta ftojnë elektoratin e saj të votojë në referendum, me: “  ‘Bojkotim’, ‘kundërshtim’ apo ‘pranim’ të Marrëveshjes me Greqinë për anëtarësim në NATO dhe BE”, pasi që sipas tyre, shqiptarët nuk kanë nevojë që t’ju bëhet fushatë për referendum. Aleanca për Shqiptarët numëron dy vota në Kuvendin e Maqedonisë.

Kujtojmë që disa banorë të Maqedonisë, maqedonas të afërt me ideologjinë e VMRO-DPMNE-së, janë për bojkot të referendumit, dhe këtë me të madhe e përhapin në rrjetet sociale.

LEXO: ANALIZË: Eurointegrimet, faktet flasin, hapet mundësia për rritje ekonomike dhe standard më të mirë në Maqedoni

LEXO: АNALIZË: Përfitimet ekonomike të anëtarësimit në NATO të kapshme për banorët e Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button