Xhaferi: Të përmbushim qëllimin strategjik, anëtarësimin në BE dhe NATO

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në adresimin para monumentit të Metodija Andonov Çento-s, kryetarit të parë të Presidiumit të KAÇKM-së, deklaroi se “Ilindeni i 2 gushtit është një nga datat themelore në historinë e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, të cilët kanë luftuar dhe flijuar më të shtrenjtën e tyre për të krijuar shtetin tonë të përbashkët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij, Xhaferi tha se pa dallim nëse bëhet fjalë për Iindenin e vitit 1903 ose Ilindenin e vitit 1944 kur janë vendosur themelet e shtetformimit, të gjitha gjeneratat kanë patur një qëllim, që është shtet i lirë në të cilin do të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, ku përfundimisht, ëndrra për një shtet të pavarur u realizua në vitin 1991, me referendumin për pavarësi.

Që nga atëherë, tha Xhaferi, anëtarësimi në NATO dhe BE, mbetet një qëllim strategjik me rëndësi thelbësore për shtetin.

Duke folur për të kaluarën, kyeparlamentari Xhaferi, u ndal edhe tek aktualiteti politik, sepse siç tha, Republika e Maqedonisë ndodhet para një vendimi të madh, ndoshta dhe vendimtar, që është referendumi i caktuar për 30 shtator.

“A do të vazhdojmë përpara kah integrimi euroatlantik i vendit ose do të ngecim në rrugën e verbër ballkanike e cila nuk çon askund, është zgjidhja jonë”, tha ai.

Nga foltorja, Xhaferi tha se qeveria aktuale ka shfaqur sens për përgjegjësitë që ka për të ardhmen e shtetit, ndërsa të njëjtën e kërkoi edhe nga opozita.

“Së këtejmi, apelojmë që edhe opozita të merr përgjegjësitë që i takojnë për sa i përket të ardhmes së shtetit dhe qytetarëve. Prandaj sot kur shënojmë të dy Ilindenët dhe kur shprehim respekt dhe mirënjohje pa masë ndaj të gjithë ilindenasit, kisha dashur që nga ky vend të apeloj te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, te të gjithë liderët e partive politike dhe te të gjithë kolegët e mi deputetë, të jenë të përgjegjshëm dhe vizionarë dhe me fuqinë e votës së vet ta mbështesin përmbushjen e marrëveshjes me të cilën do të përmbushet qëllimi strategjik, anëtarësimi në BE dhe NATO”, tha Xhaferi.

Talat Xhaferi

Më herët, delegacione shtetërore vendosën kurora lulesh para përmendores së Metodija Andonov Çento-s në sheshin “Maqedonia” dhe paraprakisht tek përmendoret e ASNOM-it dhe Nikolla Karevit që ndodhen para Kuvendit Republikan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button