Referendumi për ardhmërinë

Më në fund, Komisioni Qendror Zgjedhor u formua dhe Referendumi u shpall. Me 30 Shtator qytetarët do të kenë mundësinë historike të përgjigjen tek pyetja e parashtruar në mënyrën më të qartë të mundshme: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranim të Marrëveshjes për Emrin?”
Disa ankohen që pyetja nuk qenka e qartë dhe që qenka shumë e gjatë dhe e komplikuar në vend që të ishte e shkurtër dhe e thjeshtë. Unë vërtetë nuk e kuptoj çka nuk është e qartë me këtë pyetje? Opsionet e përgjigjeve janë dy: Po ose Jo. Pra: Po, duam anëtarësim në NATO dhe BE edhe duke pranuar ta ndryshojmë emrin e shtetit, ose: Jo, nuk duam anëtarësim as në NATO as në BE, duam ta rruajmë emrin dhe të vdesim të izoluar.

Nuk e di si mund të mos jetë e qartë pyetja pas deklaratës që Stoltendberg disa herë rradhazi e përsëriti: “Qytetarët duhet ta dinë që nëse Marrëveshja për Emrin zbatohet, atëherë vendi do të bëhet anëtar i NATO-s, nëse nuk zbatohet, nuk do të bëhet anëtar i NATO-s.” Bile ai qartazi përsëriti që pikërisht përgjigja e fituar në referendum do të tregojë disponimin e qytetarëve të bëhen ose jo anëtarë të kësaj organizate. Nuk di çfar mund të jetë më e qartë se kaq.
Prandaj nuk i kuptoj as opsionet politike dhe as intelektualët që thërrasin në bojkot të kësaj ngjarje prej ku varet ardhmëria e të gjithëve. Një bojkot i tillë e saboton ardhmërinë e vendit dhe të qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike. Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dëm. Askush nuk ka të drejtë të na sabotojë ardhmërinë të gjithë neve.

Pikërisht për shkak të faktit që askush nuk ka të drejtë të na sabotojë ardhmërinë, vendimi ishte që referendumi të ketë karakter konsultativ dhe jo-obligativ. Me një bojkot aktiv nga VMRO-DPMNE dhe nga figura intelektualësh që kanë megjithatë një farë ndikimi në popull, rreziku të mos arrihet censusi i paraparë me ligj prej 900.000 qytetarësh që duhet të dalin në votim që ai referendum obligator të jetë i suksesshëm është real. Në këtë rast, institucionet shtetërore janë të lidhura për këtë vendim dhe nuk mund të vazhdojnë më tej me zbatimin e marrëveshjes për të cilën ndërkombëtarisht janë zotuar se do ta zbatojnë. Vetë Marrëveshja për Emrin për referendumin flet si për opsion dhe jo si për obligim.
Thotë që referendumi do t’u paraprijë ndryshimeve kushtetuese, nëse pala e dytë (Maqedonia) vendos të njëjtin ta realizojë.
Marrëveshjet ndërkombëtare lidhen mes qeverive dhe implementimi i tyre shkon në bazë të principit “Pacta sund servanda” – Marrëveshjet duhet të zbatohen. Prandaj, një referendum obligator do të ishte kusht shtesë për marrëveshjen e arrirë dhe do të vështirësonte zbatimin e saj. Për këtë arsye, referendumi u vendos si konsultativ në mënyrë që të mos bllokojë zbatimin e kësaj marrëveshjes historike nga e cila varet e ardhmja e vendit.

Në fakt a është konsultativ ose obligator referendumi për qytetarët nuk ka shumë rëndësi. Të gjithë ne e kemi mundësinë që me 30 Shtator të tregojmë a jemi për anëtarësim në NATO ose BE ose jo. Në një gjendje të relaksuar, pa presionin e censusit që duhet të arrihet, qytetarët janë të lirë të zgjedhin dhe të përgjigjen tek pyetja e parashtruar. E gjithë bota perëndimore pret të shohë përgjigjen e popullit në këtë drejtim. Një dalje masovike në këtë referendum dhe një shumicë e konsiderueshme në anën e përgjigjes pozitive do të ishte treguesi më i mirë i asaj se ku qëndrojmë si shoqëri dhe cila duam të jetë ardhmëria jonë. Kjo është pyetja më e rëndësishme që na është parashtruar ndonjëherë, prandaj edhe përgjigja duhet të jetë e qartë, e pakontestueshme dhe pa dilema.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button