Teksas: babai vret pedofilin, Gjykata e fal

Një gjykatë në Teksas shpalli të pafajshëm vrasësin e një pedofili në Shtetet e Bashkuara. I akuzuari për vrasje ishte babai i një vajze pesëvjeçare, i cili e kishte parë me sytë e tij aktin e tmerrshëm.

Vendimi për çështjen që mori një vëmendje të madhe të mediave në Shtetet e Bashkuara, u mor nga Gjykata e Lartë e Teksasit.

Babai i vogëlushes së përdhunuar, emri i të cilit nuk është publikuar për të mbrojtur identitetin e vajzës, por është bërë e ditur vetëm mosha, 23 vjeç, gjatë dëshmisë në Gjykatë ishte shprehur se vajza e tij po sulmohej seksualisht pranë shtëpisë së tij, në një zonë rurale.

Një dëshmitar i kishte thënë se e bija ishte rrëmbyer, dhe babai 23-vjeçar kishte ndjekur të gjitha të dhënat që i dha dëshmitari, derisa kishte identifikuar vendin ku dëgjoheshin britmat e 5-vjeçares.

Ai e kishte rrahur pa pushim agresorin, i cili u gjet i shpërfytyruar dhe pa jetë. Edhe pse ligji në Teksas nuk e mbështet vrasjen e një agresori apo grabitësi në rast se akti që ai po kryen mund të ndalohet në forma të tjera, rasti në fjalë hapi shumë debate, ku publiku argumentonte fort në favor të babait.

Në Gjykatë debatohej nëse 23-vjeçari duhet të kishte telefonuar policinë, pasi i kishte shkaktuar agresorit plagë të tilla, ende pa e vrarë, që nuk i lejonin vazhdimin e krimit. Kjo çështje u shqyrtua prej ditësh dhe më pas juria e Gjykatës vendosi që të mos e ndëshkojë babanë e vajzës, duke e lënë atë të lirë dhe duke e justifikuar vrasjen e pedofilit si një akt që nuk mund të evitohej, nën rrethanat në të cilat ndodhi.

Lajme të ngjashme

Back to top button