Shkolla e mesme e Haraçinës përplas kryetaren Halimi me këshilltarët

Kryetarja e komunës së Haraçinës, Milikije Halimi nuk do të fillojë realizimin e ndërtimit të shkollës së mesme në Haraçinë pasi që sipas saj projekti është gati, mirëpo banorët janë ata që nuk duan ndërtimin e saj, njofton Portalb.mk.

Edhe pse ishte një ndër projektet prioritare, Halimi sqaron për Portalb.mk se pas takimit me banorët është konstatuar se nuk është nevoja e ndërtimit të shkollës së mesme në këtë komunë.

“Ne projektin e kemi gati, por banorët janë kundër këtij projekti, pasi që thonë se duan që fëmijët e tyre të dalin në qytet të mos izolohen vetëm në këtë komunë. Ne vazhdojmë të takohemi me banorët dhe do të konsultohemi sa i përket kësaj çështje”, tha për Portalb.mk, Halimi.

Nga ana tjetër, këshilltarët e kësaj komune kundërshtojnë Halimin duke thënë që shkolla nevojitet dhe së nuk është e vërtetë që banorët janë kundër ndërtimit të saj.

Naser Sinani, këshilltar i kësaj komune nga Aleanca për Shqiptarët thotë për Portalb.mk, se disa nga fëmijët nuk kanë vazhduar shkollimin e mesëm mu për këtë arsye, që nuk ka shkollë të mesme në komunë.

“Nuk e di se prej nga e ka marrë kryetarja atë konstatim që banorët nuk duan shkollë të mesme. Normale që ata që kanë kushte madje edhe në shkollë fillore i dërgojnë në qytet e lëre më në shkollë të mesme por ata që nuk kanë kushte është problematike. Disa nga fëmijët edhe nuk kanë vazhduar shkollimin për shkak të kushteve të vështira. Nëse nuk ndërtohet shkolla së paku disa paralele të hapen që ata fëmijë që nuk kanë mundësi të shkollohen në qytet të vazhdojnë shkollimin e mesëm këtu”, tha për Portalb, Sinani.

Gjithashtu edhe Afrim Sulejmani këshilltar në komunë nga radhët e BDI-së, thotë për Portalb.mk se duhet shumë t’i kushtohet rëndësi arsimit në këtë komunë.

“Është e nevojshme shkolla e mesme madje edhe nëse hapën vetëm disa paralele, por momentalisht kushtet janë të mjerueshme, nuk ka vend as ku të hapen ato paralele nëse merret vendimi. Në këtë komunë kemi një shkollë fillore e cila është e stërngarkuar ku mësohet në tre ndërrime dhe në një ndërrim ndjekin mësimin shtatë paralele. Mendoj se do të duhet t’i kushtohet shumë rëndësi arsimit në këtë komunë”, tha për Portalb, Sulejmani.

Që të dy thanë që do të insistojnë pro ndërtimit të shkollës së mesme, por Sinani u shpreh së është pakë e vështirë pasi që kryetarja ka shumicën e këshillit dhe kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër.

Ndërkaq kohë më parë kishte disa iniciativa për ndërtimin e objektit për një shkollë të mesme, mirëpo Komuna dhe banorët nuk ia dolën të merren vesh për vendin se ku do të ndërtohet shkolla.

Banorët shpesh herë janë ankuar lidhur me largësinë e shkollave të mesme, duke thënë që fëmijët e tyre duhet të udhëtojnë çdo dit në disa lagje të Shkupit, duke udhëtuar kështu me dy autobusë, duke u nisur një orë më herët se bashkëmoshatarët e tyre në Shkup për të arritur në mësim.

Kryetarja e re e kësaj komune, e cila në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni qysh në rrethin e parë iu besua udhëheqja e kësaj komune, atë kohë u shprej se ndërtimi i shkollës së mesme është prioritet për të.

“Ne e kemi paraparë në program edhe ndërtimin e një shkolle të mesme për nxënësit e kësaj komune. Planet janë që së shpejti të realizohet ky projekt, por duhet të shqyrtohet edhe buxhetin se si do e kemi, por është prioritet hapje e shkollës”, tha për Portalb.mk, Halimi.

Ndryshe në këtë komunë jetojnë rreth 16 mije banorë dhe rreth 1300 fëmijë ndjekin mësimin në shkollat e mesme të Shkupit, ngase edhe pas një dekade nga ligji që bëri shkollimin e mesëm të obligueshëm, në këtë komunë nuk është ndërtuar shkollë e mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button